Huatë që nuk kthehen në afat në banka shënuan rritje të lehtë në raport me muajin dhjetor të vitit 2018, por pësuan ulje në raport me muajin maj 2019.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, treguesi i kredive me probleme ra me 0.2% pikë përqindje nga muaji i kaluar, duke arritur në 11.2% të totalit të huasë që është dhënë nga bankat për bizneset, individët etj. Në dhjetor, ky tregues zbriti në 11.08%. Në vlerë absolute, kreditë e marra nga bizneset e individët, që janë më shumë se tre muaj vonesë në kthimin e kësteve ishin 500 milionë euro.
Gjatë gjithë vitit 2018, sistemi bankar pa një rënie të nivelit të kredive me probleme. Në dhjetor të vitit 2018, 11.08% e totalit të huave ishin në vonesë më shumë sesa 3 muaj, nga 13.28% që ishin në dhjetor 2017. Banka e Shqipërisë vlerësoi se rënia e kredive me probleme, krahas përmirësimit të aktivitetit ekonomik, pasqyron edhe angazhimin e bankave në përmbushje të planit të masave për të ulur kreditë me probleme. Pritshmëritë e Bankës ishin që pastrimi i bilanceve të bankave nga kreditë me probleme dhe konsolidimi i sistemit bankar pritet të ndihmojnë në një rritje të qëndrueshme të kredisë në të ardhmen
Por, në 2019-n, kjo tendencë nuk po konstatohet, të paktën në katër muajt e parë të vitit, duke sinjalizuar për vështirësi në aktivitetin e bizneseve, të cilët mbajnë dhe peshën më të madhe të huave problematike. Një raport i fundit i bërë publik nga Iniciativa e Koordinimit të Bankës Europiane në Vjenë pohonte se pavarësisht uljes, Shqipëria ka nivelin më të lartë të kredive me probleme (NPL) të sektorit të saj bankar nga 17 vende në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) gjatë 12 muajve deri në shtator 2018.
Pak kohë më parë, Banka e Shqipërisë miratoi një plan shpëtimi të pagëzuar si “Qasja e Tiranës”, për bizneset që kanë dështuar në shlyerjen e kredive në banka, me vlerë mbi 8 milionë euro. Plani i shpëtimit, tashmë në fuqi, do të nisë të aplikohet në muajin shtator për 9 korporata, nga grupi i të 35 kompanive që ishin problematike në kthimin e huave.
Bizneset me kredi të keqe, vlera e së cilës i kalon 100 milionë lekët (rreth 8 milionë euro) në disa banka kanë mundësi të rinisin aktivitetin dhe të dalin nga gjendja e falimentit, të ndihmuara nga vetë bankat.
Rregullorja e pagëzuar me emrin “Qasja e Tiranës”, e ngjashme me “Modelin Podgorica”, synon të ristrukturojë të paktën 9 korporata të mëdha në vjeshtë, pjesë e 35 bizneseve të mëdha në vend që zotëronin 65% të kredisë me probleme në vitin 2015. “Qasja e Tiranës” u miratua së fundmi nga Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë dhe do të aplikohet në vijim për të gjitha bizneset që dështojnë të shlyejnë shumat e kredisë mbi 8 milionë euro.
Pas goditjes që bankat pësuan pas krizës ekonomike të vitit 2008 nga moskthimi i huave, të cilat kulmuan në 24,9% të totalit të kredisë së dhënë në shtator 2014, me vlerë mbi 1 miliard euro, institucionet ndërkombëtare financiare u angazhuan për të zgjidhur ngërçin që po mban peng kreditimin normal të ekonomisë sot e kësaj dite.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.