Huatë me probleme zbresin nën 10% për herë të parë nga viti 2009

15/01/2020 10:00 AM 0 komente

Kreditë që nuk kthehen në afat në banka kanë zbritur në nëntor në nivelin më të ulët në 11 vjet. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, huatë me probleme zbritën në 9.53% në nëntor, me një rënie prej 0.64 pikë përqindje në raport me muajin e mëparshëm.

Ky është niveli më i ulët që nga tremujori i tretë i vitit 2009. Pas kësaj periudhe, kredimarrësit që vonoheshin më shumë se tre muaj për të paguar këstet filluan të rriteshin ndjeshëm, duke kulmuar në shtator 2014, në gati 25%, nivelet rekord të larta që nga fillimi i viteve 2000, kur mori hov zhvillimi i sistemit bankar privat.

Pas kulmimit të huave problematike në 25%, banka e Shqipërisë nisi një plan të gjerë për uljen e tyre, që përfshinte përmirësimin e rregulloreve për fshirjen e kredive si dhe ristrukturimin e huave të mëdha.

Banka e Shqipërisë tha në raportin e fundit të politikës monetare se raporti i kredisë me probleme ndaj totalit është shfaqur në vazhdimësi në rënie, duke konfirmuar kushte më favorizuese për zgjerimin e ofertës për kredi nga bankat.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rënia e kredive me probleme, krahas përmirësimit të aktivitetit ekonomik, pasqyron edhe angazhimin e bankave në përmbushje të planit të masave për të ulur kreditë me probleme. Pritshmëritë e Bankës ishin që pastrimi i bilanceve të bankave nga kreditë me probleme dhe konsolidimi i sistemit bankar të ndihmojnë në një rritje të qëndrueshme të kredisë në të ardhmen.

Pak kohë më parë, Banka e Shqipërisë miratoi një plan shpëtimi të pagëzuar si “Qasja e Tiranës”, për bizneset që kanë dështuar në shlyerjen e kredive në banka, me vlerë mbi 8 milionë euro. Plani i shpëtimit, tashmë në fuqi, do të nisë të aplikohet në muajin shtator për 9 korporata, nga grupi i të 35 kompanive që ishin problematike në kthimin e huave.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of