Huatë me probleme ulen në mars, por 550 milionë euro mbeten ende të pakthyera në banka

04/05/2018 10:46 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Huatë që nuk kthehen prej më shumë se tre muajsh në banka kanë shënuar rënie në muaji mars, duke kthyer tendencën rritëse që ishte konstatuar në muajt e parë të këtij viti.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, niveli i kredive me probleme zbriti në 13.4%, nga 13.7% që kishte arritur muajin e mëparshëm.

Pavarësisht rënies së marsit, ky tregues mbetet ende më i lartë se i fundit të 2017-s, kur arriti në 13.2% të totalit të huave, me rënie të dukshme me 5 pikë përqindje në krahasim me dhjetorin 2016, kur ishin 18%. Ky ishte niveli më i ulët i huave problematike që nga dhjetori 2010. Më pas, teksa kriza ekonomike trokiti dhe në Shqipëri pasi nisi në botë, bizneset filluan të ndienin pasojat dhe të mos i shlyenin kreditë. Në 2013-n u shënua dhe niveli rekord, ku gati një e katërta e huave ishin në vonesë më shumë se tre muaj.

Në fund të muajit mars, në vlerë absolute, huatë me probleme ishin 73.6 miliardë lekë (rreth 550 milionë euro), me një rënie prej gati 2% nga muaji i mëparshëm.

 

Efekti i fshirjes

Duke filluar nga janari 2015, bankat janë të detyruara nga kërkesat rregullative për të ndërmarrë procesin e pastrimit të bilanceve, duke fshirë kreditë që gjenden në kategorinë “e humbur” për më shumë se 3 vjet.

Banka e Shqipërisë njoftoi se gjithsej, që nga fillimi i procesit, janë fshirë 47.8 miliardë lekë (rreth 360 mln euro) kredi të humbura deri në fund të vitit 2017. Nëse ato nuk do të ishin fshirë, stoku i kredive me probleme do të kishte arritur në 121 miliardë lekë në fund të marsit 2018 ose 22.1% e stokut të kredisë, nga 13,4% që zbriti në fund të marsit, pra rreth 9 pikë përqindje më të larta sesa aktualisht.

 

Ristrukturimi

Krahas fshirjes, rënia e stokut të kredive me probleme ka ardhur si pasojë e ristrukturimit të këtyre kredive, shlyerjes së kredive në klasa të ndryshme të portofolit me probleme dhe fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave. Gjatë gjysmës së dytë të vitit, nga bilancet e bankave janë fshirë rreth 4.5 miliardë lekë kredi të humbura, kryesisht të marra nga bizneset.

 

 

 

 

 

 

 

 

Burimi: BSH

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of