Departamenti amerikan i Tregtisë ka marrë më shumë se 130 kërkesa për autorizim që t’i shesin produkte Huawei nga kompani amerikane, në përputhje me atë që kërkon “ndalimi” i vendosur ndaj kompanisë kineze. Këtë e bën të ditur Reuters mbështetur në burime konfidenciale.
Deri më tani nuk është dhënë asnjë licencë – procesi i autorizimit është i gjatë dhe kompleks, por mbi të gjitha pozicioni default (i paracaktuar) është që të refuzojë çdo kërkesë autorizimi.
Në maj të këtij viti, administrata Trump e përfshiu zyrtarisht Huawei në listën e zezë të partnerëve tregtarë. Kompanitë amerikane që duan të kenë marrëdhënie biznesi me grupin me seli në Shenzen duhet së pari të kalojnë përmes një procesi autorizimi nga Departamenti i Tregtisë.
Sipas raporteve të bëra publike nga sekretari i Tregtisë, Wilbur Ross, numri i kërkesave të kompanive amerikane që dëshirojnë të vazhdojnë marrëdhëniet tregtare me Huawei arriti në 50 në muajin korrik. Një zëdhënës i Departamentit të Tregtisë njoftoi se kërkesat janë në rritje, por duke pasur parasysh pozicionin zyrtar të administratës Trump është e qartë zgjedhja për të mos dhënë licenca dhe kërkimi për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, në favor të SHBA.
Në këtë këndvështrim u vendos edhe armëpushimi i fundit i dhënë nga Departamenti amerikan i Tregtisë, një “Temporary general license”, që u jep mundësinë, edhe për 90 ditë të tjera, kompanive amerikane të furnizohen nga gjiganti kinez. Pa një marrëveshje, Huawei nuk mund të blejë asgjë në Amerikë – përveçse nga kompani që do të marrin një autorizim të veçantë (si ato të kërkuara tashmë në Departamentin e Tregtisë).
Armëpushimi i dhënë nga Trump lejon Huawei të respektojë kontratat ekzistuese, shpesh me kompani lokale telekomunikacioni, që mbulojnë shërbimet Tlc në zona rurale të pjesës qendrore dhe me dendësi popullsie më të ulët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, biznesi i të cilit do të dëmtohej seriozisht nga një e ardhme pa furnizime kineze. Për presidentin e Shteteve të Bashkuara, kompania kineze përfaqëson një rrezik për sigurinë kombëtare. SHBA gjithashtu pretendon se kompania kineze ofron pajisje dhe aparatura rrjeti që mund të përdoren nga Kina për të spiunuar amerikanët.
Huawei i ka hedhur gjithnjë poshtë këto akuza dhe ka kërkuar një zgjidhje përfundimtar të luftës tregtare.