Nga EUIPO (European Union Intellectual Property Office) vjen një lajm që ndërlikon situatën: Huawei ka aplikuar për një patentë për një sistem të ri operativ, i quajtur “Harmony OS”.
Kjo lëvizje i bën të gjithë pak konfuz, pasi, pas ndalesës së vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump (që i ka vështirësuar marrëdhëniet midis Huawei e Google/Android), shtëpia kineze regjistroi markat e një sistemi të ri operativ mobil i quajtur HongMeng dhe Ark (respektivisht në tregun kinez dhe në atë ndërkombëtar).
Po Harmony OS çfarë është? Për çfarë bëhet fjalë? Nga kërkesa e markës së regjistruar kuptohet që patenta i referohet “Downloadable operating system programs, Recorded operating system programs, Mobile operating system programs, Computer operating system programs, Downloadable computer operating system programs and computer operating systems”. Për më tepër një sistem operativ që duhet të funksionojë si në kompjuterë edhe në laptopë, ashtu edhe në pajisje mobile. Ai mund të parainstalohet dhe po ashtu të shkarkohet në pajisje një moment të dytë. Është kompatibël me një sërë pajisjesh të pranishme tashmë në treg.
Pyetja që shtrohet me të drejtë është: bëhet fjalë për një sistem operativ të ndryshëm krahasuar me HongMeng/Ark apo për të njëjtin sistem por me një emër më tingëllues?
Mund të jenë të dyja përgjigjet, por megjithatë ka një diferencë mes patentës së HongMeng dhe Harmony. E para është specifikisht për smartphone, e dyta duhet të jetë një sistem edhe për kompjuterë (si dhe për smartphone, pajisje wearable, tabletë dhe pajisje mobile në përgjithësi).
Ndryshimi nuk duhet të nënvlerësohet: për momentin, administrata e presidentit Trump duket se është e orientuar të bëjë një hap pas, por nëse do të konfirmohet ndalimi i plotë në lidhje me Huawei, atëherë ky i fundit do të ketë probleme edhe me Microsoft – me Windows 10, që do të ishte i vështirë të instalohej në Matebook dhe në laptopë të tjerë Huawei të pranishëm në treg, ose në të ardhmen.
Duket se kompania kineze është duke u përpjekur për të gjetur një zgjidhje në rast të një mase edhe më të fortë nga qeveria e SHBA-së.