Por e ardhmja mbetet e paqartë…
Huawei foli dje publikisht rreth ndalimit të përdorimit të sistemit operativ Android, por strategjia në afat të gjatë e kompanisë në lidhje me smartphone mbetet e paqartë.
Në një përpjekje për të qetësuar klientët e shqetësuar, kompania kineze tha (dje) se do të vazhdojë të bëjë azhurnimet e sigurisë dhe të japë mbështetje post-shitje për linjën aktuale të smartphone-ve. Megjithatë, pikërisht ato çfarë nuk tha, shkaktojnë shqetësime.
Huawei nuk ishte në gjendje të garantonte nëse klientët ekzistues do të vijojnë të marrin azhurnimet e Android. Deklarata e Huawei nuk thotë asgjë nëse telefonat e ardhshëm do të dërgohen me sistemin e tanishëm të Android apo me diçka tjetër.
Huawei, prodhuesi i dytë më i madh në botë për sa u përket dërgesave, tha se do të vazhdojë të zhvillojë një ekosistem software të sigurt për klientët e tij në të gjithë botën.
Huawei shtoi se do të rrisë mbështetjen ndaj Honor, një markë smartphonesh në pronësi të tij. Rreth 50% e shitjeve të Huawei vjen nga jashtë Kinës – tha shoqëria e kërkimeve Counterpoint për TechCrunch.
Më poshtë deklarata e plotë:
Huawei ka dhënë një ndihmë të rëndësishme në zhvillimin dhe rritjen e Android në të gjithë botën. Si një nga partnerët kryesorë në botë të Android, kemi punuar ngushtë me platformën e tyre open-source për të zhvilluar një ekosistem, i cili u ka sjellë përfitime si përdoruesve, edhe industrisë.
Huawei do të vazhdojë të bëjë azhurnimet e sigurisë dhe të japë mbështetje post-shitje për gjithë smartphonet dhe tabletët ekzistues Huawei dhe Honor, që përfshijnë ata të shitur apo ende të disponueshëm në nivel botëror.
Do të vijojmë të ndërtojmë një ekosistem software të sigurt dhe të qëndrueshëm, me qëllimin që t’u japim një përvojë më të mirë të gjithë përdoruesve në të gjithë botën.
Ndër të tjera, kompania tha se planifikon të nxjerrë në treg Honor 20, ashtu siç e kishte planifikuar. Kjo pajisje do të prezantohet sot në një event në Londër. Ndërkohë që Honor është një nën-markë, çdo sanksion që i vendoset Huawei, me siguri do të reflektohet edhe në aktivitetin e tij. Kjo përgjigje nuk është e papritur. Pak kohë më parë, Google bëri një deklaratë të ngjashme e cila nuk e saktësonte nëse përdoruesit e telefonave Huawei do të vijojnë të kenë akses në Google Play Store dhe Google Play Protect. Ashtu si kompania kineze, Google nuk foli rreth së ardhmes dhe kjo është vërtet një pyetje kyçe.
Burime, si nga Google edhe nga Huawei thanë për TechCrunch se plani për veprim të menjëhershëm rreth asaj se çfarë do të ndodhë më pas mbetet i paqartë.
Përgjigjja e Huawei vjen një ditë pas lajmit në Reuters se Google kishte pezulluar disa prej bizneseve të tij me gjigantin kinez të teknologjisë. Prodhuesi i Android po vepron në përputhje me një direktivë të Departamentit Tregtar të Shteteve të Bashkuara që ka përfshirë Huawei dhe 70 shoqëritë që lidhen me të në një “listë entiteti”, që i kërkon çdo kompanie amerikane të marrë miratimin nga qeveria, para se të bëjë biznes me gjigantin kinez të teknologjisë.
Ndërkohë problemet për Huawei po shtohen. Përveç Android, lëvizja e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë që Intel, Qualcomm, Xilinx dhe Broardcom të pezullojnë furnizimin me chip për Huawei, deri sa të arrihet në një zgjidhje.
Burimi: TechCrunch