Sistemi operativ i Huawei, i cili do të zëvendësojë sistemin Android të Google, mund të jetë i disponueshëm te smartphonet në fillim të vitit të ardhshëm.
Këtë e bëri të ditur, Yu Chengdong, CEO i sektorit të produkteve të konsumit i kolosit kinez, gjatë konferencës së zhvilluesve. Vendimi, i marrë në muajt e kaluar, vjen si pasojë e ndalimit të vendosur nga presidenti Trump. SHBA kanë nxitur aleatët të shmangin produktet e realizuara nga Huawei, i cili është edhe lider në tregun global për 5G.
Sistemi operativ HarmonyOS i Huawei përdoret vetëm te disa produkte, ndër to smart TV dhe pajisje ‘wearable’, por jo te smartphonet e kompanisë. Lëvizja për ta përfshirë atë te smartphonet tregon synimin e kolosit kinez për të intensifikuar planet në krijimin e ekosistemit të tij, duke u shkëputur nga Shtetet e Bashkuara, ku dominon sistemi operativ Android i Google dhe iOS i Apple.
“Ne do t’ia prezantojmë punën e zhvilluesve kinezë konsumatorëve në mbarë botën, duke shpresuar se do të shohim më shumë TikTok në të ardhmen” – theksoi Yu Chengdong, duke iu referuar aplikacionit të famshëm kinez, edhe ky në qendër të vëmendjes së Trump.
Njoftimi i Huawei mbi sistemin e tij operativ HarmonyOS u bë gjatë konferencës së përvitshme të zhvilluesve që organizohet në selinë e shoqërisë, në qytetin e Shenzen. Huawei është prodhuesi i dytë i smartphoneve në botë, pas Samsung, por shoqëria Canalys tha së fundi se Huawei kapërceu shoqërinë koreanojugore në tremujorin e dytë 2020, kur u ndien efektet e koronavirusit në tregun e smartphoneve.