Huawei prezanton Mate 30 dhe Mate 30 Pro, në një event në Mynih, i mbështjellë me paqartësi. Bëhet fjalë për gamën e parë të telefonave, pas përfshirjes së Huawei në listën e kompanive që nuk mund të kenë marrëdhënie tregtare me kompanitë amerikane. Ndër to është Google dhe versioni i plotë i Android, që përfshin aplikacionet kryesore të Google dhe Google Play Store.
Disa zëra thoshin se telefonat do të lançoheshin vetëm në Kinë, tregu i parë i kompanisë ku nuk ndikon problemi i Google. Por më në fund, Huawei ka vendosur se këta telefona do të dalin edhe në Europë, “në vazhdim të 2019-s”
Versioni bazë i Android nuk ka Google Mobile Servises (GMS), një koleksion aplikacionesh dhe shërbimesh si Play Store, të cilat, që të instalohen në pajisje kanë nevojë për firmën e MADA (Mobile Application Distribution Agreement), një marrëveshje që e bën prodhuesin një partner Android me licencë.
Siç e thamë, ky nuk është rasti i Mate – aplikacionet mund të shkarkohen nga store i Huawei, App Gallery. Richard Yu, kreu i divizionit të konsumit, foli për ekosistemin e Huawei, duke mos e përmendur asnjëherë Google, por duke e paraqitur si një alternativë të lidhur me Huawei Mobile Servises. Në këtë ekosistem, kompania po investon 1 miliard dollarë.
Megjithatë Huawei theksoi se Android është zgjedhja e tij e parë si sistem operativ, ndërsa sistemi i ri HarmonyOS mund të jetë gati në pranverën e vitit të ardhshëm, nëse ndërkohë nuk ka zhvillime pozitive mes kompanisë dhe Departamentit Amerikan të Tregtisë.
Huawei ka vendosur të vonojë lançimin në Europë, i cili nuk ka një datë të saktë, duke shpresuar në zhvillime në këto fronte me kalimin e kohës. Kompania thotë se në këta muaj do të punojë për t’u dhënë përdoruesve “një përvojë të kënaqshme”, që në këtë moment nuk kuptohet mirë se çfarë do të thotë. A do të rrisë numrin e aplikacioneve të disponueshme në App Gallery? Apo do të gjejë një mënyrë, nërpërmje file Apk, të shkarkojë aplikacionet e Google, edhe pa pasur Google Play Store. Eventi në Mynih nuk u dha përgjigje asnjërës prej këtyre pyetjeve.
Walter Ji, kreu i divizionit të konsumit të Huawei në Europën Perëndimore, shfaqi optimizëm në një konferencë me gazetarët, në lidhje se çfarë mund të ndodhë në muajt e ardhshëm, duke folur për një moment të vështirë. Por “Huawei, në 32 vjet, i ka shndërruar sfidat në mundësi”, duke u bërë numri 1 në botë në rrjete dhe numri 2 për smartphone. Kur foli për “objektiva në afat të gjatë” telefonat e rinj bëjnë një hap përpara në teknologji, në veçanti sa u përket fotokamerave dhe procesorëve.
Karakteristikat e Mate 30 Pro dhe Mate 30
Dizajni i Mate 30 Pro karakterizohet nga katër fotokamera (ndërsa Mate 30 ka tre): 40MP cine camera, 40MP supersensing camera, 8MP telephoto camera dhe 3D depth sensing camera.
Huawei Mate 30 ka një kamera Ultra wide 16MP, një sensor SuperSensig Wide 40MP dhe një Telephoto 8 MP, shoqëruar nga një Laser Focus. Huawei Mate 30 Pro ka katër fotokamera: fotokamera Cine 40 MP, fotokamera SuperSensing 40 MP, një fotokamera me teleobjektiv 8 MP dhe një fotokamera për zbulimin e thellësisë 3D.
Ekrani i Mate 30 është 6,62 inç, kurse ekrani i Mate 30 Pro është AMOLED, 6,53 inç, pasi ky model ka një notch më të madh dhe “më të sofistikuarin” në treg.
Bateria e Mate 30 është 4.200 mAh me rikarikim të shpejtë 40 W dhe 27 W për karikimin wireless, ndërsa te Mate 30 Pro bateria është 4.500 mAh. Mate 30 dhe 30 Pro, peshojnë respektivisht 196 dhe 198 gramë.
Mate 30 Pro, në versionin 5G ka 21 antena, 14 nga të cilat për 5G. Huawei tregoi në skenë fuqinë e kësaj mbështetje, duke krahasuar shpejtësinë e download me një Note 10+ 5G, që ndalet në 985 MB përkundër 1,5 GB download të Mate 30 Pro.
Mate 30 ka të instaluar procesorin Kirin 990, i prezantuar disa ditë më parë në Panairin e Elektronikës IFA 2019, në Berlin, që integron një modem 5G me një rritje të performancës së Cpu me 23%.
Kur të mbërrijnë në Europë, çmimi i Mate 30 nis nga 799 euro, ndërsa Mate 30 Pro 1199 euro. Versioni i krijuar në bashkëpunim me Porsche, do të kushtojë 2095 euro. Në fund, kompania prezantoi edhe orën e re inteligjente Watch GT2 – në varësi të modelit do të kushtojë 229 dhe 249 euro dhe do të dalë në treg në tetor.
Burimi: Il Sole 24 Ore