Huawei është duke testuar një smartphone me sistemin operativ në pronësi, Hongmeng, i cili është sistemi operativ alternativ ndaj Android i kompanisë amerikane Google. Këtë e bën të ditur e përditshmja shtetërore kineze “Economic Times”, sipas së cilës, smartphone mund të dalë në shitje deri në fund të vitit.
Sipas zërave, telefoni i ri nuk do t’i përkasë “top gamës”, por telefonave të fashës së mesme-të ulët në treg, me çmim rreth 2 mijë juanë kineze (rreth 250 euro).
Për sistemin operativ Hongmeng filloi të flitej gjerësisht në maj, pas përfshirjes së Huawei në listën e zezë tregtare të SHBA, që i ndalon kompanitë amerikanë t’u shesin produkte dhe shërbime kolosit kinez. Kjo masë, e cila mund të hyjë në fuqi më 20 gusht, mund të rrezikojë praninë e sistemit operativ Android te telefonat e ardhshëm Huawei.
Javën e kaluar, drejtuesit e kompanisë me seli në Shenzen, përsëritën pëlqimin e tyre për Android si sistem operativ për smartphone dhe e cilësuan Hongmeng si pjesë të një “strategjie në afat të gjatë”. Sistemi operativ “made in China” megjithatë është gati të debutojë në segmentin e pajisjeve të lidhura me internet. Të shtunën e ardhshme, Hongmeng do të paraqitet te smart tv Honor, markë në pronësi të Huawei.
Burimi: ANSA