Huawei ,“viktima e parë” e përplasjes së Kinës me Amerikën

31/05/2019 10:02 PM 0 komente

Në pak më shumë se 30 vjet, Huawei është shndërruar nga një startup në fillimet e saj në markën më të suksesshme globale të konsumit në Kinë. Dhe është pikërisht kjo kompani, që sot mund të jetë viktima e parë e luftës përshkallëzuese të Kinës me Amerikën mbi tregtinë dhe të ardhmen e teknologjisë.

Smartphone e Huawei njihen më shumë nga njerëzit në krahasim me iPhone e Apple, ndërkohë që shitjet kanë shënuar një rritje më të shpejtë se ato të Samsung (SSNLF). Kompania synonte të shndërrohej në markën më të rëndësishme të smartphoneve në botë deri vitin e ardhshëm dhe të udhëhiqte rrjetin global të gjeneratës së ardhshme 5G, shkruan CNN.

Por ishte Presidenti Donald Trump ai që ia theu ëndrrën në mes nëpërmjet masave që mori, duke u ndaluar të gjitha kompanive amerikane që të shesin komponentë të ndryshëm të smartphone apo edhe software te kompania Huawei, pa marrë më parë miratimin e qeverisë.
Sanksioni i qeverisë amerikane ka bërë që Google (GOOGL) të mos licencojë sistemin e tij operativ Android, së bashku me disa aplikacione dhe shërbime të tjera shumë të njohura te pajisjet e reja të Huawei. (Telefonat ekzistues do të përjashtohen tani për tani nga ky sanksion)
Kompania Huawei këmbëngul se ajo mund të përballojë krizën, duke u kujtuar klientëve të saj se do të bëjë gjithçka për të mbijetuar, si një luftëtar që nuk dorëzohet kurrë.

“Praktika aktuale e politikanëve amerikanë nënvlerëson forcën tonë”, u shpreh themeluesi dhe CEO i Huawei, Ren Zhengfei, në një intervistë dhënë për televizionin kombëtar shtetëror kinez, CCTV. Prej më shumë se një viti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina janë përfshirë në një luftë të ashpër tregtare, dhe masat e ndërmarra kundrejt kompanisë Huawei mund ta detyrojnë Kinën që të pranojë disa prej kushteve të vendosura nga qeveria amerikane. Por nga ana tjetër, Huawei ka ndërtuar një pozitë dominuese në teknologjinë 5G, e cila është shumë e rëndësishme për shërbimet e ardhshme që Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të udhëheqin.

Z. Ren, një ish-inxhinier në ushtrinë kineze, u shpreh se pavarësisht konfliktit, kompanisë Huawei i duhet me patjetër që të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara për të qenë e suksesshme. “Ne sakrifikojmë veten dhe familjet për idealet tona. Ne po përballemi me SHBA-në në nivelin më të lartë, por në fund të fundit dhe më e rëndësishme se e gjithë kjo situatë është të mos harrojmë se ne duhet të kontribuojmë bashkërisht për njerëzimin”, përfundoi ai.

 

 

Rruga drejt dominimit të smartphone

Huawei ka bërë një rrugëtim të gjatë që nga fillimet e saj në vitet 1980, kur shërbente kryesisht si një furnizues i pajisjeve të ndryshme për telefona me çmime të lira në treg. Zëdhënës të kësaj kompanie thanë se ajo e pa potencialin e telefonave celularë në vitet 1990, kur miliona kinezë të zonave rurale filluan të zhvendoseshin drejt qyteteve në kërkim të një jete më të mirë, gjë të cilën ia mundësonte puna në fabrikat që ndodheshin atje. Ndërsa në vitet 2000, kur ajo pa sërish mundësinë për një revolucion të smartphone, filloi të prodhonte telefona për kompanitë europiane Vodafone (VOD) dhe 3. Sot, Huawei renditet si kompania nr. 2 në botë për prodhimin e smartphone, me cilësi të lartë të pajisjeve të tyre dhe mbi të gjitha, kundrejt një çmimi të ulët.

Dërgesat e Huawei i tejkaluan ato të Apple në vitin 2018, duke i shkuar njëkohësisht edhe shumë pranë dërgesave të Samsung. Samsung ka transportuar rreth 72 milionë telefona në tre muajt e parë të këtij viti, krahasuar me 59 milionë të Huawei dhe 40 milionë të Apple, të dhëna këto të nxjerra nga firma kërkimore, Canalys. Bazuar në të dhënat e mësipërme, 17% të tregut global e mbulon Huawei, 21% Samsung dhe në fund me 12%, Apple. Kjo tendencë e kompanisë Huawei me prirje drejt lidershipit global u godit së fundmi nga sanksionet e administratës Trump.

Njësoj si më shumë se 85% e smartphone në botë, edhe smartphone e Huawei përdorin sistemin operativ Android të Google dhe jashtë Kinës kanë akses në aplikacione dhe shërbime të njohura, si Gmail, Google Maps dhe YouTube. Në fillim të kësaj jave, administrata Trump i hoqi kompanisë kineze disa prej kufizimeve të vendosura, duke e lejuar këtë të fundit që të vazhdojë të mbajë rrjetet dhe shërbimet ekzistuese në telefonat celularë që janë hedhur tashmë në treg.

Por Huawei i është i ndaluar blerja e pajisjeve amerikane, të nevojshme për të prodhuar dhe për të nxjerrë produkte të reja, që do të thotë se telefonat e rinj nuk do të kenë akses në softuerin kryesor të Google apo në atë të Google Play. Por përjashtimi nga ekosistemi i Google do t’i bënte pajisjet e Huawei shumë më pak tërheqëse ndaj blerësve globalë.
Mbijetesa pa Google

Huawei kohët e fundit ka filluar të ofrojë edhe shërbimet e veta, duke përfshirë një app store për telefonat celularë. Edhe kompani të tjera, kanë provuar të krijojnë ekosistemet e tyre, por nuk kanë qenë të suksesshme, thotë Nicole Peng, një analiste e firmës kërkimore Canalys. Huawei po përpiqej të shihte nëse mund të mbijetonte pa aplikacionin Google Play, por shumica e përdoruesve të Huawei janë në Kinë, ku Google është bllokuar. Edhe Samsung ka tentuar dikur që të shkëputet nga varësia ndaj Google, tentativë e pasuksesshme, tha më tej znj. Peng.

Shumica e përdoruesve të Samsung ende përdorin Google Play në vend të Galaxy App Store të Koresë së Jugut, vuri ajo në dukje. Microsoft (MSFT) dhe Nokia gjithashtu nuk arritën të bindnin disa prej zhvilluesve më të mirë që të krijonin aplikacione të posaçme për telefonat e tyre.
Bryan Ma, një analist në firmën kërkimore IDC, tha se nëse Google nuk do të lejohet nga qeveria amerikane që të implementohet në smartphone e Huawei, pasojat do të fillojnë të ndihen pas gjysmës së dytë të këtij viti, periudhë gjatë së cilës kompania kineze ka planifikuar të hedhë në treg modelet e reja.

Por nëse kjo miratohet, do të shoqërohet edhe me pasoja të tjera negative, sepse edhe aplikacionet e palës së tretë si platformat e udhëtimit apo ato shpërndarjes së ushqimit që mbështeten në Google Maps nuk do të funksionojnë më në një telefon Huawei, duke larguar prej kësaj marke një numër të madh përdoruesish si pasojë e vështirësive dhe kufizimeve të shumta me të cilat ata do të përballeshin, përfundoi z. Ma.

 

 

Një lojtar i rëndësishëm në teknologjinë 5G

Huawei ka luftuar gjithmonë për të ndërtuar teknologjinë e vet dhe për të ofruar shërbime të besueshme telefonike për të gjithë përdoruesit e saj.
Sot ajo është kompania prodhuese më e madhe në botë e pajisjeve të telekomunikacionit dhe njëkohësisht edhe kompania lider në botë në gjeneratën e ardhshme të teknologjisë 5G. Huawei ka nënshkruar deri tani dhjetëra kontrata tregtare të teknologjisë 5G, ku 25 prej tyre janë në Europë, ndërsa 10 në Lindjen e Mesme.

Por kompania ka nevojë për pjesë dhe komponentë të rëndësishëm të tregut amerikan për të ndërtuar pajisjet e reja të rrjetëzimit 5G. Huawei thotë se i gjithë stoku i pajisjeve po përdoret me kujdes, ndërkohë që është ndryshuar edhe zinxhiri i furnizimit në mënyrë që, nëse miratohet ligji nga qeveria amerikane, goditja e tij të mos jetë shumë e fortë. Ajo mund të jetë në gjendje të realizojë kontratat 5G, të cilat i ka nënshkruar tanimë, por sipas analistëve do ta ketë shumë të vështirë vazhdimësinë në rast se i ndalohet blerja e pjesëve dhe komponentëve të ndryshëm nga kompanitë amerikane.

Ndalimi afatgjatë “do të ishte shkatërrimtar për të”, tha Charlie Dai, një analist në firmën kërkimore Forrester. Por në intervistën e dhënë për televizionin kombëtar shtetëror kinez CCTV, z. Ren theksoi se masat e ndërmarra nga qeveria amerikane nuk do të dëmtojë kompaninë Huawei, së paku në drejtim të teknologjisë 5G. Dhe jo vetëm që ajo nuk do të dëmtohet, por pas dy apo tre vitesh, askush nuk do të jetë në gjendje që të ecë me hapin e saj”, përfundoi CEO-ja i saj, Ren Zhengfei.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of