Hulumtimi i AKB-së: Taksa ishte diplomatike, ngriti alarmin në BE, SHBA e Rusi

05/12/2019 9:00 AM 0 komente

Aleanca Kosovare e Bizneseve publikoi hulumtimin “Taksa 100%” një vit pas dhe ndikimi i saj në ekonominë vendore. AKB-ja e vlerëson taksën 100% si aset negociues ekonomik, politik dhe diplomatik kundër Serbisë.

 

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini ka thënë  se nga 21 nëntori 2018 e deri më 21 nëntor 2019 AKB-ja ka realizuar tri studime hulumtuese në 250 kompani të zgjedhura në industrinë ushqimore tregtare, shërbyese dhe të ndërtimtarisë me 250 konsumatorë të Kosovës për të arritur deri në një rezultat se në çfarë mase kanë ndikuar vendimet e taksës 100% për produktet ndaj Serbisë.

Sipas tij bizneset prodhuese dhe tregtare kanë treguar se kanë gjetur partnerë të rinj dhe zëvendësim të shpejtë dhe kjo ka ndikuar që të mos krijohet asnjë boshllëk në tregun konsumues, por ka pasur një rritje të lehtë të çmimeve.

“Kosova nga kjo ka përfituar shumë si në aspektin ekonomik, diplomatik, politik dhe negociues”, tha Shahini.

AKB-ja e vlerëson taksën 100% si aset negociues ekonomik, politik dhe diplomatik kundër Serbisë.

Taksa ndaloi hovin e ndarjes apo korrigjimit të kufijve të Kosovës, varfëroi fondin për veriun e Mitrovicës, taksa pati ndikim edhe për liberalizim të vizave, që e përdorën disa zyrtarë për arsyetim të zvarritjes se vizave nga BE.

Kryetari i AKB-së shtoi se Serbia humbi eksport në Kosovë mbi 550 mijë euro sipas deklarimeve serbe, e sipas Doganave të Kosovës humbi rreth 450 milionë.

100 milionë euro d.m.th ishin kontrabandë dhe informalitet. Ndërsa politike ishte, sepse ngriti zërat pro dhe kundër në Kosovë dhe Serbi, për qëndrueshmëri të liderëve që u detyruan l të shkojnë tek kutia e sovranit.

“Taksa ishte diplomatike, sepse ngriti alarm në BE, SHBA, Rusi e ktheu vëmendjen nga problemi i pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë. Letra e presidenti Trump, Samiti i Berlinit dhe Parisit janë efekt i taksës. Taksa pengoi Kosovën drejt integrimeve dhe Serbia e përdori si pretekste për fushatë për tërheqjen e disa njohjeve”, tha Agim Shahini.

Sipas tij, AKB-ja konstaton se taksa 100% ka rritur çmimet në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë me 1.5%; ka rritur prodhimin vendor 30%, punësimin vendor 20%, besimin në prodhimet vendore 60%. Po ashtu ka rritur besimin në Qeverinë e Kosovës 80%. Importi nga Serbia ka një rënie prej 99.2 %. Rriti punësimin për një vit rreth 5000 punëtorë. Qarkullimi i brendshëm u rrit mbi 100.000 milionë. 65 për qind e të anketuarve thonë se kanë besim tek prodhimet vendore; 80 për qind thonë se vendimi i qeverisë ishte i drejtë; 75 për qind thonë se qeveria nuk duhet ta heq taksën 100 %.

AKB-ja i rekomandon qeverisë që të jetë edhe më e vendosur për të ruajtur masën e taksës apo të reciprocitetit, të mbështet promovimin e biznesit vendor më shumë dhe të shtojë kontrollin e cilësisë së ushqimit për konsum për të gjitha produktet.

Ndërsa rekomandon biznesin vendor për prodhim dhe importe të cilësisë më të lartë, prodhim dhe import të sasive të mjaftueshme për konsum, prodhim dhe importe me çmimet e konkurrueshme, furnizim të mjaftueshëm për qytetarët e Kosovës dhe punësim të ri.

Kurse, këshilltari i kryeministrit Musa Limani, tha se ka mendime pozitive e negative për taksën, por ai tha se qëndron pas atyre pozitive edhe të cilat dominojnë.

Sipas tij taksa ishte vënë ndaj veprimeve armiqësore të Serbisë dhe se efektet e saja ishin jo vetëm ekonomike por edhe politike.

“Parimin e reciprocitetit e kam kërkuar tash disa vjet nga shtetit fqinj”, tha profesori Limani.

Analisti ekoomik Mustafë Kadrijaj, tha takse kishte efekte të jashtëzakonshme ekonomike, por në anën tjetër jo edhe politike.

Sipas tij ajo u shfrytëzua nga kryeministri në detyrë shumë si çështje politike, por që u vlerësua jo mirë nga sovrani.

“Në qeverisjet e kaluara vendosen kryeministrat, por jo edhe ekspertët, duke shpresuar nga qeveria e re që për çështje të rëndësishme të vendosin profesionistët e jo kryeministri”, tha analisti Kadrijaj

Sipas tij qeveria e re duhet të ketë parneritet politik më të madh me SHBA-të dhe BE-në e jo si deri tash ku ishte një ndalje e orës.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of