Ndikimi i shpërthimit të koronavirusit në industrinë e transportit detar “po vazhdon të rritet, dhe efektet e shumta po vazhdojnë të shfaqen”, tha Sea-Intelligence, një kompani analitike e specializuar në këtë sektor. Një vëzhgim i tillë vjen në një kohë kur industritë dhe tregtia po rifillojnë dalëngadalë procesin e tyre të punës në të gjithë Kinën. Sipas këtij raporti, në periudhën 10-javore, që përfshin Vitin e Ri Kinez dhe shpërthimin e koronavirusit, industria u përball me një rënie prej rreth 1.7 milion TEU (njësia ekuivalente e një kontejneri), afërsisht rreth 1.7 miliardë dollarë amerikanë të ardhura. Për kompaninë me qendër në Kopenhagë, kjo humbje përfaqëson 1 për qind të vëllimit të përgjithshëm global në vitin 2019, që do të thotë se “koronavirusi është larg ndikimit në uljen e rritjes globale të kontenierëve në vitin 2020, nëse do të lëvizë me vetëm një pikë përqindje”. “Shpresa më e madhe në këtë drejtim është se kjo situatë do të vihet nën kontroll të plotë në të ardhmen e afërt, duke u shoqëruar me një rikuperim të mundshëm”. Por edhe në skenarin më të mirë të mundshëm, duke qenë se një numër shumë i lartë kontejnerësh janë eksportuar jashtë Kinës, riatdhesimi i tyre do të jetë një sfidë shumë e madhe për transportuesit, në mënyrë të tillë që të realizohet një rritje pas shpërthimit të virusit”. Sipas Andy Lane, një analisti në Sea-Intelligence, “pa një përshkallëzim të mëtejshëm të rasteve të reja të infektuara dhe ndërsa njerëzit po u rikthehen punëve të tyre, përmirësimet do të jenë të dukshme brenda javëve të ardhshme”. Ndërsa sipas ship-technology.com, numri i thirrjeve portuale në Shanghai dhe Yangshang shënoi një rënie me 17 për qind në janar, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kompania daneze e anijeve, “Maersk Line”, pritet të përballet me një sfidë shumë të madhe dhe ndikimi i kësaj krize tek ajo do të jetë shumë i madh, pasi Kina përfaqëson 30 për qind të vëllimit të saj vjetor të transportit. “Hapag Lloyd” gjithashtu mund të përballet me një tremujor të dobët, duke qenë se operacionet e Kinës përbëjnë 25 për qind të të ardhurave totale të këtij grupi.
Bllokimi godet portet e tjera aziatike
Bllokimet e raportuara më parë në portet kineze kanë pasur ndikim negativ edhe në portet e tjera. Kështu, për shembull, importuesit indianë nuk mund të marrin dokumentet e duhura nga homologët kinezë, “duke shkaktuar kështu që ngarkesa të ngecë në portet indiane, dhe rrjedhimisht të krijojë probleme bllokimi”. Kjo do të thotë që një situatë e tillë po ndikon negativisht edhe në porte të tjera në kontinentin aziatik. Për të shmangur mbylljet e fabrikës për shkak të mungesës së komponentëve, disa kompani automjetesh, si “Jaguar Land Rover”, vendosën të përdorin transportin e ngarkesave ajrore.
Reduktim i lartë i kapacitetit
Duke qenë se Viti i Ri kinez është festa më e madhe në kalendarin e Kinës, kompanitë e transportit dhe logjistikës prisnin një reduktim të mallrave të transportuara, por ato u bënë akoma edhe më të larta si pasojë e shpërthimit të epidemisë. Ulja më e madhe e kapaciteteve u regjistrua në linjën nga Azia në Europën e Veriut, me një rënie prej 11 për qind nga Viti i Ri Kinez. Në tregtinë Trans-Paqësore në Bregun Perëndimor të Amerikës së Veriut, 10 për qind e lundrimeve shënuan rënie për shkak të virusit, duke e çuar nivelin e përgjithshëm të rënies së kapacitetit në 24.1 për qind.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.