Dikur konflikti në Lindjen e Mesme rrit interesin e sipërmarrësve të huaj për të investuar në Shqipëri, por nuk arritëm t’i mbajmë.
Biznesi nuk siguroi përpunimin e sasive të mëdha, dhe as qeveria nuk ofroi mbështetje konkrete, siç bëri Serbia. Avantazhet e një tregu të vogël nuk na ngushëllojnë…
Trazirat e Egjiptit e sollën një sipërmarrës italian të industrinë ushqimore në një prej fabrikave të përpunimit të zorrëve në Lezhë.
Por, pas një pune gjashtëmujore ai u rikthye përsëri në stabilimentin e tij në Egjipt. Partneri i tij shqiptar Alban Zusi, tregon se, nuk arriti ta mbante këtë klient të ri,
pasi nuk mundi të kishte kapacitete përpunuese të mjaftueshme. Kështu ndodhi edhe më të tjerët.
Trazirat e vitit të kaluar në Lindjen e Mesme u panë si një mundësi për ndërmarrjet shqiptare të prodhimit me material porositësi.
Por, nuk u desh shumë kohë për të kuptuar sa pak përfituam nga mundësia e madhe e transferimit të aktivitetit përpunues.
Një vit më parë, sipërmarrës të tregjeve europiane u tërhoqën nga puna disa vjeçare në Marok, Egjipt e pak më vonë edhe nga Libia.
Por, kush nuk pati mundësi të priste për t’u rikthyer më vonë tek stabilimentet e mbetura në këto vende, u zhvendos në Bangladesh, Indi e Vietnam.
Këto ishin tregjet që fituan përparësi krahasuar me rajonin e Ballkanit, pasi ofruan më shumë avantazhe konkurruese: kosto ende të ulët të fuqisë punëtore e mbi të gjitha kapacitete të mjaftueshme prodhimi.
Gjergji Gjika, kryetari i Shoqatës së Fasonistëve, pati vërejtur një rritje të interesit të sipërmarrësve të huaj, kryesisht italianë e gjermane gjatë krizës së Lindjes por
mendon se efektet u ndien vetëm indirekt në tregun tonë. Sipas tij, varianti “B” i zgjedhjes nuk ishte Shqipëria.
Përfaqësues të biznesit kërkojnë që fajin t’ua “faturojnë” politikave ekonomike, që nuk arritën të përshtateshin kur u ofrua një shans.
Sipas tyre, sipërmarrjet nuk u mbështetën financiarisht për të përfituar nga mundësia e ofruar papritur. Z.Zusi, tregon se vitin e kaluar i duhej të investonte për të shtuar sasinë e përpunimit,
por “tregu nuk ofronte kushte të përshtatshme që një prodhues të marrë përsipër të gjithë riskun e investimit”. Fondet e garancive për kredi do të ishin një nxitje e mirë për investimet.
“Por, nëse kjo do të kuptohej si kërkesë e tepërt për një biznes me histori të konsoliduar të paktën tatimet duhej të ishin treguar me elastike në rimbursimin e detyrimeve”, thotë z. Zusi.
Kompanitë eksportuese ankohen për vonesat e tepërta të rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Sipas Zusit, i cili është edhe Drejtues i Shoqatës së Eksportuesve,
“do të mjaftonte rimbursimi i TVSH-së në kohë për të mbajtur një pjesë të mundësive të ofruara vitin që shkoi”.
Përpunuesit kujtojnë se në muajt e parë 2011, në adresat e tyre elektronike vinin 4-6 shprehje interesi në ditë. Kërkesat më të mëdha vinin për kostot e përpunimit.
Sipërmarrës gjermanë të veshjeve u interesuan edhe për investime që mund të hapnin 20 mijë vende të reja të punës. Pritshmëritë më të mëdha ishin për ndërmarrjet italiane, që kanë punuar me Tunizinë.
Por edhe nga Franca, e cila nuk është afruar shumë në Ballkan, por që është partneri kryesor në veshje në Lindjen së Mesme, kishte shpresa.
Pavarësisht dëshirës së madhe të biznesit shqiptar për të përfituar nga kjo mundësi që “trokiti në derë”, një pjesë e mirë e tyre ishin të vetëdijshëm për kapacitetet e tyre të kufizuara të përpunimit dhe dyshonin tek aftësia për të mbajtur porositësit e rinj,
megjithëse kosto e ulët të punës në Shqipëri është 50% më e ulët se në Tunizi, më e vogël madje edhe se në Bangladesh e Indi. Duheshin disa faktorë të tjerë favorizues që të gjithë së bashku të mund ta bënin vendin interesant.
Investitorët e interesuar nuk mungojnë as sot, por as pesimizmi. Vincenzo Pastoressa, Drejtues i Dhomës së Tregtisë Italiane në Shqipëri, thotë se po vëren një fluks investitorësh, të cilët kanë punuar në Libi e Tunizi.
“Ata shikojnë me interes afërsinë me tregun shqiptar dhe sistemin fiskal të favorshëm”, por shton se destabilizimi politik po ndikon negativisht.
Gara e humbur
Ndaj Ballkanit, Indonezia fiton në tërheqjen e investimeve
Pengesat
-Fabrikat e përpunimit nuk mund të plotësonin kërkesat për sasi
-Sipërmarrësit: Mos rimbursimi i TVSH-së na pengoi investimet
Serbia fitoi në Rajon
Ndërsa India e Bangladeshi mbetën më interesante se Ballkani për pjesën më të madhe të investitorëve të prekur nga trazirat, brenda vetë rajonit tonë pati vende që përfituan pak më shumë nga zhvendosja e investitorëve.
Prodhuesi italian i veshjeve “Benetton”, i cili kishte stabilimentet e përpunimit në Libi erdhi në vendin tonë për të parë kushtet e tregut. Ai vizitoi edhe Serbinë, ku dhe u ndal për të investuar.
Në takimet me biznesmenët shqiptarë, prodhuesi i veshjeve ka shpjeguar arsyen e zgjedhjes së tregut serb: financimi nga qeveria serbe prej 5,000 euro për çdo punëtor për një kontratë pune pesëvjeçare.
Nëse tërheqjen e investimeve nga Lindja e Mesme do ta shikonim si një garë mes Shqipërisë e Serbisë, sigurisht që qeveria serbe bashkë me sipërmarrësit e saj doli e fituar, krahasuar me qeverinë apo sipërmarrësit shqiptarë.
Shteti ynë nuk ofroi incentiva konkrete për tërheqjen e investimeve, por ekspertë të huaj kanë vlerësuar shumë favorizuese barrën fiskale në vendin tonë për fasonin.
Një pjesë e “fajit” bie mbi vetë ndërmarrjet, të cilat jo vetëm nuk nxituan të rriten aq sa duhet këto vite, por shtuan shumë pak proceset e përpunimit dhe bashkëpunojnë shumë pak mes tyre.
Për “Benetton” ashtu si edhe për prodhuesit e veshjeve “MaxMara”, nuk jemi interesantë, pasi nuk japim një ofertë të integruar të përpunimit.
Përfaqësuesit e fasonit tregojnë se kjo nuk mund të realizohej vetëm nëse krijohen komplekse industriale, ku të përqendrohen disa ndërmarrje që kryejnë procese të ndryshme pune,
të cilat do të plotësonin kërkesën e përpunuesve për të nxjerrë një veshje të gatshme nga copa.
Një tjetër arsye për të cilën na kritikojnë të huajt (dhe kritika bie mbi institucionet shqiptare dhe vetë sipërmarrjet) është niveli i ulët i marketingut në tregjet e jashtme.
Sipas z.Gjika, Shqipëria ka çfarë të ofrojë, “pasi realisht jemi një vend që sigurojmë shërbime të mira për shumë procese pune. Këtë nuk e marketojmë aq sa duhet”.
Shefi i industrialistëve gjermanë, u ka vënë në dukje sipërmarrësve shqiptarë se “marketingun e lini në nivel politik”.
Prezantimet e agjencive tona të specializuara për promovimin e biznesit kufizohen në politikat ekonomike në nivel makro, po ashtu si edhe të interesuarit direkt: përfaqësues të biznesit.
Edhe në marketing Serbia duket se po bën më shumë se ne. Vetëm gjatë këtij viti (janar-mars) ministri serb i ekonomisë ka zhvilluar 12 misione biznesi në vendet e huaja.
A humbëm një shans?!
Studime të bëra në sektorin e përpunimit aktiv, tregojnë se Shqipëria ka avantazh për të prodhuar sasi të vogla, për porosi të shpejta.
Sipas ekspertëve , ky është avantazhi i të qenit shumë afër tregut italian ndërsa kemi shumë ndërmarrje të vogla (punishte përpunimi).
Kjo përparësi u bë më e dukshme kur në Rumani dhe Bullgari pati rritje të kostove të fuqisë punëtore , pas hyrjes në BE, por edhe pak më vonë me rritjen e kostos punës në Kinë.
Afërsia mbetet përparësi edhe sot, kur kostot e transportit po rriten për shkak të çmimeve rekord të karburantit. Por a është ky avantazh i fortë, aq sa të mund të na qetësojë për humbjet e shanseve të mëdha?
Përpunues e eksportues nuk janë aspak dakord. Ata mendojnë se ky është një argument për të ngushëlluar veten për aq kohë sa nuk arrijnë të rrisin sasitë e përpunimit.
“Porosi të vogla do të thotë kosto më të larta për çdo të punësuar”, thotë drejtuesi i Shoqatës Eksportuese. Porosive të vogla, duhet t’u gëzohen punishtet që punojnë për llogari të ndërmarrjeve të tjera shqiptare, më të mëdha në përmasa.
Ekspertë në fushën e tregtisë nuk janë dakord me avantazhet e të qenit i vogël për disa arsye, duke theksuar se përparësia e fleksibilitetit në porosi të vogla për kohë të shkurtra duhet të shfrytëzohet për aq kohë sa i nevojitet kompanisë të zgjerojë aktivitetin.
Sipas ekspertëve, rritja e ndërmarrjeve duhet të nxitet, pasi bizneset e vogla kanë kosto të larta, dhe për më tepër klientët e rinj po kërkojnë sasi të mëdha e sa më shumë procese pune.
Rritja e ndërmarrjeve mund të shmangë edhe avantazhin që s’duhet të jetë i përjetshëm, atë të kostos së ulët të fuqisë punëtorë.
Edhe një humbje tjetër
Shenjat negative të krizës së Lindjes se Mesme kanë qenë më të qëndrueshme në eksportet tona. Eksportuesit e materialeve të ndërtimit tregojnë se nuk kanë rifilluar ende aktivitetin tregtar drejt Egjipit,
apo tranzitit përmes këtyre vendeve për të eksportuar në Brazil. Drejtori i marketingut në “Edil-Centro”, Elmir Boriçi, tregon se kompania nuk ka rifilluar akoma të eksportojë tjegulla në Egjipt.
Sipas tij, tregu, ku përfundonte rreth 35% e eksporteve të “Edil-Centro” shfaq ende mungesë të stabilitetit politik. Kompania eksporton në total mbi 1.5 milionë tjegulla në vit dhe vlera e eksporteve vetëm drejt Egjiptit ishte mbi 1 milionë euro në vit.
Kompania po eksporton tjegulla vetëm në rajon (Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi) dhe synon të rrisë këto eksporte për të zbutur sa më shumë efektet negative që erdhën nga kriza e Egjiptit.
Mungesa e këtij eksporti, apo edhe transportit të hekurit në tregun brazilian bënë që çmimi i tyre të ulet në tregun vendas rreth një vit më parë. Çmimi i shufrave të hekurit për ndërtim ra rreth 7% në atë periudhë.
Sot ky avantazh për blerësit e bredshëm nuk është më, pasi çmimi po ndikohet nga faktorë të tjerë.
Turizmi, rimëkëmbje e pjesshme
Pushimet drejt Egjiptit janë në rrugën e duhur. Drejtuesit e agjencive turistike tregojnë se ka një rritje të interesit për fluturime drejt këtij destinacioni.
Stabilizimi i i një destinacioni të rëndësishëm turistik për Europën reflektohet edhe tek vetë politikat e zhvillimit të turizmit të Egjiptit.
Gëzim Hajdini, menaxher i përgjithshëm i “Union Travel” tregon se, ndryshe nga viti i kaluar, kur qeveria egjiptiane mbështeste kompanitë me rimbursim të vendeve bosh të Charterave.
Këtë vit, Qeveria egjiptiane nuk e ka ndier të nevojshme mbështetjen me rimbursime.
Më e pa stabilizuar është gjendja në Turizi. Ky destinacion, sipas operatorëve turistikë, ofron ende shumë pasiguri.
Turizmi shqiptar nuk u prek menjëherë nga trazirat e Afrikës së Veriut. Ato ndodhën në dimër, kur shqiptarët nuk i shohin si destinacion.
Lindja po rimëkëmbet
Situata ekonomike në Lindjen e Mesme po i drejtohet rimëkëmbjes. Prof. Andrew Scott i London Business School duke folur në Dubai për kushtet aktuale të Lindjes së Mesme,
ka vlerësuar se rritja do të jetë e ngadaltë këtë vit, por ka shtuar se strategjia e ribalancimit ekonomik të këtij rajoni po fiton terren.
Rritja në këto vende, nuk pritet të vijë nga sektorët e ekspozuar të pasurive të paluajtshme e të financës. Zgjerimi ekonomik në këtë rajon është i lidhur me pozicionin si një pikë takimi mes perëndimit dhe vendeve BRIC.
Tregu financiar i këtij rajoni, sipas ekspertëve, karakterizohet nga kreditorë në pozita të forta e debitorë të dobët, ndaj rivendosja e ekuilibrave është jetësore për ekonominë e shëndetshme të këtyre vendeve.
Rimëkëmbja po i shërben edhe tregut europian, i cili po rivendos raportet tregtare, mbi të gjitha për të importuar naftë e gaz nga Libia. Kjo pak ndryshoi kushtet e tregut europian,
pasi një tjetër kanal i rëndësishëm furnizimi ai nga Irani po tensionon tregjet e karburanteve.