Humbjet e bankave nga rreziqet operacionale u rritën vitin e kaluar.
Mbështetur në të dhënat e Raportit Rrjetor të Mbikëqyrjes, së Bankës së Shqipërisë, këto humbje arritën vlerën e 193 milionë lekëve, në rritje me 39% krahasuar me vitin 2021.
Sipas Bankës së Shqipërisë, viti 2022 u karakterizua nga rritja e burimeve të rrezikut operacional për shkak të kërcënimeve kibernetike në drejtim të të gjitha fushave, duke përfshirë sistemin bankar, kërcënime të cilat u kulmuan në tremujorin e fundit të vitit.
Megjithatë, raporti nënvizon se, në përgjigje të rritjes së këtyre rreziqeve, bankat kanë ndërmarrë masat përkatëse në drejtim të shtimit të kontrolleve të brendshme duke rritur njëkohësisht shpenzimet e kryera për këtë qëllim.
Si pasojë e rritjes së humbjeve, edhe raporti i tyre ndaj kërkesës për kapital erdhi në rritje, nga 1.78% në vitin 2021 në 2.31% në vitin 2022. Ndikimi në këtë rritje ka ardhur si pasojë e rritjes së humbjeve operacionale nga viti i kaluar me 39%, pavarësisht rritjes së lehtë të kërkesës për kapital me 6.5%.
Humbjet operacionale të bankave mund të jenë të llojeve të ndryshme dhe lidhen kryesisht me rrezikun e vjedhjeve të fondeve nga persona të brendshëm ose të jashtëm. Rreziku më i shpeshtë historikisht ka qenë ai i grabitjeve të armatosura, qoftë në degët e bankave ose të vlerave monetare në transport.
Nuk kanë munguar gjithashtu rastet e vjedhjeve të fondeve kryera nga punonjës të bankave. Por, me rritjen e përdorimit të teknologjisë, bankat janë gjithnjë e më të rrezikuara ndaj rrezikut të krimit kibernetik.
Banka e Shqipërisë shprehet se vitin e kaluar kërcënimet kibernetike janë përshkallëzuar, por megjithatë bankat kanë reaguar me rritjen e nivelit të alarmit dhe të masave, përfshirë intensifikimin e fushatave ndërgjegjësuese për përdoruesit e infrastrukturës informatike mbi natyrën e sulmeve dhe rreziqet kibernetike.
Aktualisht, sipas Bankës së Shqipërisë, siguria e informacionit dhe veçanërisht ajo kibernetike paraqitet e qëndrueshme. Bankat kanë shtuar kontrollet e brendshme, duke marrë masa shtesë për infrastrukturën ekzistuese përmes implementimit të kontrolleve (logjike dhe teknike) shtesë në të gjitha komunikimet, përfshirë këtu edhe ato me palë të treta.
“Bankat kanë rritur bashkëpunimin dhe komunikimin midis tyre në ndarjen e informacionit mbi kontrollet e sigurisë kibernetike, indikatorët e kompromentimit dhe vulnerabilitete të reja sa i përket trajtimit të kërcënimeve të vërejtura në sistemet e tyre dhe masave të ndërmarra për parandalimin e incidenteve. Në kuadër të sensibilizimit të sektorit financiar në lidhje me rrezikun kibernetik, Departamenti i Mbikëqyrjes ka vijuar komunikimet me bankat duke iu risjellë në vëmendje çështjet kryesore mbi të cilat nevojitet në vazhdimësi një intensifikim i masave mbrojtëse në aspektin rregullativ dhe teknik sa i përket sensibilizimit të tyre në të gjitha nivelet mbi rrezikun kibernetik,” thuhet në raportin vjetor të Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.