Humbjet e bankave nga vjedhjet dhe gabimet njerëzore ishin 5.2 mln euro më 2017 ​

01/05/2018 10:50 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Humbjet e bankave nga aktiviteti operacional në vitin 2017 kapën vlerën e 5.2 milionë eurove raportoi Banka e Shqipërisë. (Rreziku operacional, sipas përkufizimit rregullativ, përfaqëson rrezikun që subjekti të pësojë humbje, si rezultat i papërshtatshmërisë ose dështimit të proceseve të brendshme dhe të sistemeve, gabimeve njerëzore, apo i ngjarjeve
të jashtme).

Sipas Bankës së Shqipërisë, humbjet operacionale të bankave për vitin 2017, shënuan 0.7 miliardë lekë. Niveli mesatar i humbjeve operacionale ndaj kërkesës për kapital për sektorin bankar është 10%. Një vit më parë, ky raport rezultoi 7.4%.

Por Autoriteti Qendror Bankar theksoi se në fund të vitit 2017, humbjet operacionale të sektorit bankar nuk e tejkalojnë kërkesën për kapital për rrezikun operacional dhe pesha e tyre është e ulët.

Në fund të vitit 2017, kërkesa për kapital për rrezikun operacional shënoi nivelin 6.7 miliardë lekë, duke shënuar rënie.

Ndonëse raportimet e bankave tregojnë përmirësim të mbulimit me kapital të rreziqeve tërësore operacionale, veprimtaria mbikëqyrëse e Bankës së Shqipërisë ka evidentuar nevojën e përmirësimit të mëtejshëm të procesit për identifikimin dhe raportimin e humbjeve operacionale në përputhje me profilin e aktivitetit të bankës.

Gjithashtu, në përgjigje të cenimit të sigurisë fizike në veprimtarinë e transportimit të fondeve gjatë 2015, Banka e Shqipërisë, ka forcuar kërkesat minimale në aktet përkatëse rregullative, kryesisht në drejtim të planifikimit, hartimit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së zbatueshmërisë së procedurave, nga njësitë e posaçme të sigurisë në banka.

Në vijim, Banka e Shqipërisë njofton se do të forcojë fokusin e vlerësimit të përshtatshmërisë së sistemeve të bankave për kontrollin e rrezikut operacional, si pjesë e inspektimeve të rregullta pranë subjekteve të mbikëqyrura.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of