Dy drejtues të lartë të Credit Suisse po largohen nga banka, e cila ka njoftuar 4.7 miliardë dollarë humbje në Archegos Capital pas krizës së fundit që përfshiu Greensill Capital.
Lara Warner, shefja e riskut dhe Brian Chin, kreu i investimeve, do të largohen, u njoftua mëngjesin e ditës së sotme nga banka Credit Suisse.
Largimi i Znj. Warner u raportua fillimisht nga Financial Times.
Në një përditësim të fundit, Credit Suisse tha se do të humbte rreth 4.7 miliardë dollarë nga goditja e Archegos, një biznes familjar i drejtuar nga ish-menaxheri i fondit mbrojtës, Bill Hwang.
Kjo do ta çonte bankën në një humbje të tremujorit të parë me rreth 900 milionë franga (960 milionë dollarë). Si rezultat, Credit Suisse pezulloi programin e saj të blerjes së aksioneve prej 1.5 miliardë frangash dhe shkurtoi dividentin e saj me dy të tretat në 0.10 franga për aksion. Grupi gjithashtu njoftoi edhe kryerjen e dy hetimeve nga palët e jashtme sa I takon faktorëve që çuan në humbjet e Archegos dhe Greensill.
Si pasojë e një situate të tillë, dy prej drejtuesve të lartë të bankës u janë hequr shpërblimet për këtë vit.
Humbjet e Archegos pasuan pezullimin gjatë muajit të kaluar të një sërë fondesh financiare që Credit Suisse u ofroi klientëve të saj që drejtoheshin nga Greensill Capital. Credit Suisse ka llogaritur që klientët e saj mund të humbin deri në 3 miliardë dollarë nga ato fonde.
Krizat Archegos dhe Greensill kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi proceset e administrimit të riskut brenda bankës zvicerane, raportoi FT.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.