Banka Kombëtare e Hungarisë rriti të martën normën bazë të interesit me një shifër më të madhe nga sa pritej prej 125 pikë bazë, duke e çuar atë në 13%. Kështu, ajo i dha fund ciklit më tepër se njëvjeçar të rritjeve të normës së interesit, në kushtet e një ekonomie me aktivitet të ngadalësuar.
Politikëbërësit e Europës Qendrore po kërkojnë t’i japin fund strategjisë së rritjes të normave të interesit, e cila ka filluar që prej vitit të kaluar, edhe pse presionet e inflacionit vazhdojnë të përbëjnë një problem dhe bankat qendrore kryesore të botës vazhdojnë të rrisin normat e tyre.
Banka Kombëtare e Hungarisë e ka rritur normën e saj të interesit me më shumë se 1,200 pikë bazë që nga qershori i vitit 2021, duke e çuar atë në nivelin më të lartë të të gjitha vendeve të Europës Qendrore, në një përpjekje për të frenuar inflacionin dyshifror i cili është ende në rritje.
“… Kushtet e normave të interesit janë bërë mjaft strikte, gjë e cila siguron arritjen e objektivit të inflacionit. Këshilli Monetar ka vendosur të ndalojë ciklin e rritjeve të normës bazë,” tha banka në një deklaratë.
Banka tha se kushtet e shtrënguara monetare do të vazhdojnë të qëndrojnë në fuqi “për një periudhë të zgjatur”, për të siguruar rënien e pritshmërive për inflacionin. Ndërkohë që i dha fund rritjeve të normës së interesit, banka rriti parashikimet e saj të inflacionit për këtë vit dhe për vitin e ardhshëm. Inflacioni mesatar gjatë vitit të ardhshëm parashikohet të jetë 11.5% – 14.0%.
“Fokusi i Bankës Kombëtare të Hungarisë do të jetë që të shohim përpara, të ulim likuiditetin dhe të rrisim më tepër transmetimin monetar. Për të arritur këto synime, banka qendrore mund të vendosë për të ndërmarrë masa të tjera në të ardhmen”, shtoi banka.
Banka Kombëtare e Hungarisë njoftoi një sërë masash të reja në gusht, të cilat pritet të reduktojnë likuiditetin e forintës duke filluar nga muaji tetor. Këto masa përfshijnë edhe rritjen e normës së rezervës të detyrueshme për bankat.
Një lëvizje e rrezikshme?
Vendimi për t’i dhënë fund rritjes së normave kishte shumë gjasa të ndodhte që pasi zëvendësguvernatori Barnabas Virag deklaroi javën e kaluar se Banka Kombëtare e Hungarisë mund të konsideronte përfundimin e ciklit të rritjeve të normës së interesit, pas takimit të së martës.
Kjo lëvizje e bankës qendrore do të shoqërohet me shumë risqe, pasi investitorët po refuzojnë asetet me risk më të lartë nga tregjet në zhvillim tani që Rezerva Federale e SHBA-së ka rritur në mënyrë agresive normat, duke shtuar kështu vlerën e dollarit. Zgjerimi i deficitit të llogarisë korente të Hungarisë pas rritjes së importeve të energjisë, e bën këtë vend shumë vulnerabël ndaj ndryshimeve në sentimentin global.
“Zgjerimi i vazhdueshëm i deficitit të llogarisë korente përgjatë tremujorit të dytë, së bashku me shqetësimet në rritje për ekonominë globale, tregojnë se ekziston rreziku për dobësimin e monedhës së forintës,” thanë analistët në Capital Economics të martën.
Guvernatori Gyorgy Matolcsy tha në një konferencë se inflacioni do të fillojë të ulet me ritme të ngadalta përgjatë gjysmës së parë të vitit 2023.
Ekonomistët e anketuar nga Reuters javën e kaluar parashikojnë që norma bazë do të rritet duke shkuar në 14% deri në fund të këtij viti./ Reuters