Hyjnë në fuqi procedurat dhe kriteret e reja për inspektimin e shkollave private dhe shtetërore të arsimit profesional.
Në vendimin e ministrisë të Financave dhe Ekonomisë (MFE) të botuar në fletoren zyrtare përcaktohet se në hartimin e planit vjetor të inspektimit përparësi kanë subjektet që janë konstatuar me shkelje gjatë inspektimeve të mëparshme; të cilave u janë lënë rekomandime për përmirësimin e situatës nga inspektime të mëparshme; të cilat kanë arritje të ulëta të nxënësve/kursantëve lidhur me programet që ofruesit e AFP-së ofrojnë, por dhe të arritjeve të ulëta të nxënësve në provimet e maturës shtetërore profesionale.
Procedurat e reja të inspektimit të shkollave profesionale kanë si qëllim rritjen e cilësisë të tyre, të akreditimit dhe monitorimit.
Vendimi i MFE përcakton se inspektimi i ofruesve të arsimit profesional do të jenë në katër lloje bazuar nga ankesat, plotësimi i prioriteteve të këtyre institucioneve apo dhe inspektimi i detyrave të lëna. Inspektimet synohen të jenë të pa lajmëruara, por edhe të planifikuara. Konkretisht do të zbatohet inspektimi i orientuar, një inspektim specifik për një proces konkret të veprimtarisë së ofruesve të arsimit profesional për të cilin ka një ankesë apo ka informacion për shkelje të legjislacionit për arsimin profesional. Inspektimi i orientuar është i paplanifikuar. Inspektimi tematik do të jetë i planifikuar dhe synon kontrollin, monitorimin dhe vlerësimin e fushave të caktuara të funksionimit të ofruesit të arsimit profesional, të cilat konsiderohen përparësi për politikat e tyre.
Inspektimi i plotë nënkupton vlerësimin e jashtëm, tërësor të veprimtarisë së institucioneve të arsimit profesional. Inspektimi i plotë mbështetet në raportin e vetëvlerësimit të ofruesit të arsimit profesional. Vendimi përcakton se do të realizohet edhe inspektimi i plotë për shkollat profesionale në rastin kur përfshihet dhe inspektimi i aspekteve të kulturës së përgjithshme, realizohet në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për arsimin. Sakaq inspektim i detyrave të lëna (rekomandimeve) synon inspektimin e rekomandimeve përkatëse dhe detyrave të lëna për përmirësimin e situatës pas inspektimeve të mëparshme.
Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, MFE do të miratojë rregulloren e brendshme të detajuar të punës për inspektimin e shkollave profesionale. Procedurat e kontrollit përcaktojnë se subjekti i inspektuar është i detyruar të njoftojë për korrigjimin e shkeljeve brenda afatit të përcaktuar dhe, nëse është e nevojshme, të paraqesë provat që e vërtetojnë këtë fakt. Në rast të moszbatimit të rekomandimeve të dhëna, sipas vendimit, në mënyrë të përsëritur, ministri përgjegjës për arsimin profesional mund të vendosë mbylljen e një ofruesi të AFP-së, kur nuk respektohen kriteret e përcaktuara.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.