Sot në pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë ka nisur zbatimi i pikës së dytë të marrëveshjes së arritur në Bruksel, për çështjen e targave. Sipas pikës dy të kësaj marrëveshje parashihet zbatimi i përkohshëm i sistemit të pullave ngjitëse me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra-tjetrës.
Në pikat kufitare ka nisur zbatimi i regjimit të pullave ngjitëse të përkohshme në pikat kufitare. Kjo masë është pjesë e marrëveshjes së Brukselit, e arritur ditë më parë.
“E para nga dita e hënë si Kosova ashtu edhe Serbia të avancojnë në përdorimin e pullave ngjitëse në vend të ndërrimit të tabelave, që ishte edhe synimi i ynë të kemi trajtim të barabartë. Është e përkohshme dhe do të formohet grup punues për gjetje të një zgjidhje të përhershme për lëvizje të lirë të veturave mes vendeve, brenda gjashtë muajve”, ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Implementimin e marrëveshjes së dytë të Brukselit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
Policia përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se si institucion i zbatimit të ligjit ka bërë përgatitjet e nevojshme për implementim dhe zbatim të vendimit i cili i referohet marrëveshjes së arritur në Bruksel, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e që ka të bëjë me vendosjen e targave të përkohshme të cilat do të jenë në formën e pullave ngjitëse.
“Ashtu siç është përcaktuar me marrëveshje, zbatimi ka filluar në nivel vendi, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, pasi me kohë janë bërë përgatitjet si në aspektin e angazhimit të resurseve njerëzore po ashtu edhe të atyre logjistike, në mënyrë që të ju mundësohet qytetarëve pajisja më e shpejtë me targa të përkohshme në formë të pullave ngjitëse dhe mundësia e qarkullimit dhe lëvizjes së lirë”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ka theksuar se sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe garantimin e lëvizjes së lirë në nivel vendi.
Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurtin, në një deklarim për media ka thënë se Qeveria është duke u angazhuar për reciprocitet të plotë, në mënyrë që të ketë drejtësi karshi raporteve të Kosovës me Serbinë.
Sipas Kurtit, në kuadër të reciprocitetit të plotë, të vije edhe njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Reciprocitetin nuk e kem as për hakmarrje, por konsiderojmë që është parim i marrëdhënieve të mira fqinjësore, nga koncepti i barazisë. Kosova dhe Serbia nuk mund të kenë marrëdhënie të pabarabartë asimetrike, andaj si shtet i pavarur, si Qeveri do të angazhohemi që në vijim të kemi reciprocitet të plotë që do të vinte drejtësi në vend sa i përket raporteve tona, e në kuadër të këtij reciprociteti në qendër të jetë edhe njohja reciproke, pra dita kur Serbia e njeh Kosovën”, ka thënë Kurti.
Më 30 shtator Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Lajmin e bëri të ditur i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Lajçak publikoi letrën e marrëveshjes ku shihet se palët janë pajtuar për tri pika kryesore.
- Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
- Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
- Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Pune, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.