Kanë hyrë në fuqi këtë javë, kriteret dhe procedurat për kalimin në administrim direkt të pasurive kulturore institucioneve publike qendrore ose njësive të vetëqeverisjes vendore, një ligj i cili hasi debate të mëparshme në kohën kur u diskutua.
Një ndër pikat e diskutuara më herët, ka qenë garantimi i shërbimit dhe aksesit për publikun, përmes një plani zhvillimi të mirëpërcaktuar pas administrimit të pronës, si dhe plani i detajuar i buxhetit.
- Pasuria kulturore publike i kalon në administrim institucionit publik qendror ose njësisë së vetëqeverisjes vendore, sipas procedurës së parashikuar në këtë krye, kur këto të fundit plotësojnë në mënyrë kumulative kriteret e mëposhtme:
- a) pasuria është nën juridiksionin territorial të tij;
- b) siguron ruajtjen, mbrojtjen, vlerësimin dhe administrimin më efektiv të pasurisë kulturore;
- c) siguron personelin e nevojshëm dhe të kualifikuar, kapacitetet teknike dhe financiare, për ruajtjen, mbrojtjen, vlerësimin e pasurisë kulturore, si dhe funksionet e tjera në bazë të ligjit nr. 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”;
- d) garanton shërbimet dhe aksesin për publikun;
- e) pranon zbatimin e planit të menaxhimit të pasurisë kulturore të paluajtshme të miratuar.
- Institucioni publik qendror apo njësia e vetëqeverisjes vendore, që kërkon marrjen në administrim direkt të një pasurie kulturore publike, pronë shtetërore, paraqet kërkesën pranë ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore. Kërkesa shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm:
- a) kartelën e regjistrimit të pasurisë të lëshuar nga zyra përgjegjëse e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, brenda 3 muajve nga data e dorëzimit të kërkesës;
- b) organikën e strukturës përgjegjëse për administrimin e pasurisë kulturore publike;
- c) plani i detajuar i buxhetit të miratuar dhe projektbuxhetit të vitit pasardhës;
- d) planin e zhvillimit të pasurisë kulturore publike;
- e) deklaratë për pranimin e planit të menaxhimit të pasurisë kulturore publike të paluajtshme;
- f) vendimin e organit publik qendror, ose vendimin e organit vendimmarrës të njësisë së vetëqeverisjes vendore në rastin e kërkesës për kalim në administrim të pasurisë kulturore publike në pronësi ose përgjegjësi administrimi të njësive të vetëqeverisjes vendore.
- Gjatë shqyrtimit të kërkesës ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore mund të kërkojë dokumentacion shtesë.
- Kërkesa e institucionit publik qendror ose njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe dokumentacioni përkatës i përcillet KKMPKsë, e cila brenda 30 ditëve shqyrton kërkesën dhe dokumentacionin e dorëzuar dhe në përfundim merr vendim për pranimin ose jo të kërkesës.
- Pas miratimit të kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues, KKMPK-ja nëpërmjet sekretarisë së saj teknike, harton projektmarrëveshjen nëpërmjet të cilës përcaktohen kushtet e administrimit të pasurisë kulturore.
- Projektmarrëveshja i njoftohet institucionit publik qendror ose njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse, për t’u dakordësuar brenda 10 ditëve nga njoftimi.
- Pas dakordësisë së palëve mbi projektmarrëveshjen, KKMPKja brenda 30 ditëve merr në shqyrtim praktikën dhe vendos:
- a) miratimin ose jo të marrëveshjes së dakordësuar për kalimin e pasurisë kulturore publike në administrim direkt;
- b) në rast miratimi, autorizimin e ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore për nënshkrimin e marrëveshjes për kalimin e pasurisë kulturore publike në administrim direkt.
- Brenda 10 ditëve nga vendimi i KKMPK-së, ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe institucioni publik qendror ose njësia e vetëqeverisjes vendore nënshkruajnë marrëveshjen e administrimit.
- Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore i propozon Këshillit të Ministrave kalimin e pasurisë kulturore publike në administrim direkt, së bashku me marrëveshjen përkatëse të administrimit ndërmjet ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe institucionit publik qendror ose njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.