Hyn në fuqi Marrëveshja për nxitje të investimeve mes Amerikës dhe Kosovës

05/02/2021 10:41 AM 0 komente

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova nënshkruan në muajin dhjetor të vitit të kaluar një marrëveshje për nxitjen e investimeve. Marrëveshje është njoftuar se ka hyrë në fuqi.

Korporata amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC) njoftoi se ka hyrë në fuqi Marrëveshja për nxitjen e investimeve që ka arritur me Kosovën.

Hyrja në fuqi e marrëveshjes, “i mundëson DFC-së që të vendose gamën e plotë të produkteve financiare në Kosovë”, tha DFC në një postim në Twitter.

Marrëveshja do t’i mundësojë Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar, që të ofrojë gamën e saj të plotë financiare, që përfshin financim të borxhit, investime në ekuitet, sigurim të riskut politik dhe grante në ndihmën teknike.

Kryeministri Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, më 31 dhjetor, kanë nënshkruar marrëveshjen për nxitjen e investimeve që ia mundëson Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), bankës për zhvillim të Amerikës, për të sjell produktet financiare.

Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane në Kosovë, kjo marrëveshje do të ndihmojë vendin në krijimin e vendeve të punës.

“DFC ka kënaqësinë që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan marrëveshjen për nxitjen e investimeve, që forcon përkushtimin e SHBA-së për shtrirjen e veglave financiare në dispozicion për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, veçanërisht sektorit të saj privat. Ne shohim potencial të madh për DFC-në për të ndihmuar në mobilizimin e investimeve që krijojnë vende pune dhe mbështesin zhvillimin për popullin e Kosovës”, tha nënkryetari i DFC-së dhe drejtor menaxhues për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun, John Jovanoviq.

Lexo edhe këtë: Kosova dhe Amerika nënshkruajnë marrëveshje për nxitjen e investimeve

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, këtë marrëveshje e ka cilësuar si thellim të marrëdhënieve strategjike me SHBA-në.

“Marrëdhënia kryesore strategjike e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës thellohet edhe më tej sot me nënshkrimin e Marrëveshjes për Nxitje të Investimeve, të cilën si Ministri e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e kemi propozuar dhe miratuar në mbledhjen e Qeverisë më 7 tetor 2020. Kjo marrëveshje që u nënshkrua sot nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e SHBA-ve, afirmon dëshirën e përbashkët për nxitjen e aktiviteteve shumë të nevojshme ekonomike amerikane në Republikën e Kosovës që promovojnë zhvillimin e burimeve dhe kapaciteteve ekonomike të Republikës së Kosovës, rrisin punësimin, prosperitin e mirëqenien për qytetarët e Kosovës”.

Ligji i SHBA-së kërkon që çdo shtet, përfshirë edhe Kosova, të lidhë marrëveshje për nxitjen e investimeve (IIA) me SHBA-në që DFC-ja të ofrojë gamën e plotë të saj të prodhimeve financiare, që përfshijnë financim të borxhit, investime në ekuitet, sigurim të riskut politik dhe grante për ndihmë teknike.

Nënshkrimi ka pasuar pas vizitës që kryeshefi ekzekutiv i DFC-së, Adam Boehler ia bëri Kosovës në shtator.

Gjatë asaj vizite, Boehler kishte nënshkruar deklaratë të përbashkët me kryeministrin Hoti për zgjerimin e fokusit të investimeve të DFC-së në Kosovë për forcimin e infrastrukturës transportuese, energjisë, teknologjisë dhe industrive të tjera.

Korporata e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar e lansuar më 2020-n, bashkëpunon me sektorin privat për financimin e zgjidhjeve të sfidave më të rënda me të cilat përballet bota në zhvillim sot.

Ajo investon në sektorë të ndryshëm përfshirë në sektorin e energjisë, kujdesit shëndetësor, infrastrukturës thelbësore dhe teknologjisë.

DFC-ja gjithashtu ofron financim për biznese të vogla dhe gratë sipërmarrëse për të krijuar vende pune në tregjet në zhvillim. Të gjitha investimet e saj iu përmbahen standardeve të larta dhe respektojnë mjedisin, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e punëtorëve.

Marrëveshja e re në mes të Kosovës dhe SHBA-së për Stimulim të Investimeve pritet që të sigurojë qasje të plotë të të gjitha investimeve të mbështetura nga Korporata Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar e SHBA-së, si dhe të përcaktojë veprimet që lidhen me mbështetjen e korporatës për projektet në Kosovë dhe trajtimin nga Kosova të këtyre projekteve.

Pas marrëveshjes historike për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë të 4 shtatorit 2020 në Washington, Kosova dhe SHBA-së synojnë avancimin e negociatave, pas datës së hyrjes në fuqi të marrëveshjes së re për Stimulim të Investimeve, për projekte me rëndësi në Kosovë, përfshirë projekte që është arritur pajtueshmëri të cilat janë pjesë e marrëveshjes për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of