Rreth 6,7 mln lekë do të përdoren nga buxheti i shtetit për rikonstruksionin e Qendrës Kombëtare Pritëse për azilkërkues me qëllim rritjen e kapaciteteve akomoduese.
Vendimi për kryerjen e procedurës së prokurimit është miratuar disa ditë para përmbushjes së angazhimit të qeverisë shqiptare për pritjen e shtetasve nga Afganistani që po largohen nga vendi i tyre për shkak të emergjencës së krijuar nga pushtimi i talebanëve.
“Në buxhetin e vitit 2021 të bëhet rishpërndarja e fondeve brenda programeve buxhetore të miratuara për Ministrinë e Brendshme, si më poshtë vijon: Fondi prej 6,700,000 lekësh të përdoret nga Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkues, për kryerjen e procedurës së prokurimit me objekt: “Rikonstruksion i godinës së QKPA-së”, me qëllim rritjen e kapaciteteve akomoduese për kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkues në Tiranë.
Ngarkohet Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkues që, për shkak të emergjencës së krijuar nga kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare, të marrë masa të menjëhershme në funksion të rikonstruksionit të godinës, sipas përcaktimeve të pikës 2, të këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.”, citohet në vendimin e Këshillit të Ministrave të botuar në Fletoren Zyrtare.
Kapaciteti akomodues i Qendrës Kombëtare Pritëse për Azilkërkues që ndodhet në Babrru është për 180 persona.
Prej disa vitesh është rritur fluksi i emigrantëve të paligjshëm të ndaluar në Shqipëri që kërkojnë të emigrojnë drejt vendeve të BE-së.
Sipas të dhënave të INSTAT në 2020 që përkoi me periudhën e pandemisë numri i azilkërkuesve në Shqipëri ra 66% krahasuar me 2019.
Nga 2,232 raste azilkërkuesish të 2020 me origjinë nga Siria ishin 876 prej tyre, nga Iraku me 339 azilkërkues, Afganistani me 316 azilkërkues dhe nga Maroku me 297 azilkërkues.
Lexo edhe këtë: Pandemia uli ndjeshëm numrin e azilkërkuesve në Shqipëri |Revista Monitor
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.