IATA: Trafiku botëror ajror nuk do të rimëkëmbet nga COVID-19 deri në vitin 2024

30/07/2020 4:21 PM 0 komente

Trafiku ajror global nuk do të rikthehet në nivelet e para-koronavirusit të paktën deri në vitin 2024 – një vit më vonë se parashikimet e mëparshme – tha të martën Air Transport Association (IATA – Shoqata e Transportit Ajror). Një nga arsyet kryesore të cituara nga IATA në lidhje me perspektivat “më pesimiste” është frenimi i ngadaltë i virusit në SHBA dhe vendet në zhvillim.

“Edhe pse vendet me ekonomi të zhvilluar jashtë SHBA kanë qenë të suksesshme në kufizimin e përhapjes së virusit, raste të reja me të prekur janë verifikuar ndërkohë në këto vende dhe në Kinë” – theksoi IATA.

“Për më shumë, ka pak shenja në kufizimin e përhapjes së virusit në shumë vende të rëndësishme në zhvillim, të cilat, së bashku me SHBA, përfaqësojnë 40% të tregjeve botërore të udhëtimeve ajrore” – shtoi Shoqata e Transportit Ajror.

IATA parashikon rënie me 55% në vitin 2020 krahasuar me 2019, duke theksuar se, edhe pse numri i pasagjerëve duhet të rritet në 62% në vitin 2021, do të jetë gjithsesi në rënie me një të tretën krahasuar me 2019.

Për këtë arsye, nuk parashikohet një rimëkëmbje e plotë e numrit të pasagjerëve si në 2019, deri në vitin 2023. Ndër të tjera, duke qenë se tregjet kombëtare po rihapen më shpejt se ato ndërkombëtare, RPK (Revenue Passenger Kilometres) e marrin veten edhe më ngadalë, me trafikun e pasagjerëve që mendohet se do t’u rikthehet niveleve të parakrizës në 2024, edhe ky një vit më vonë se parashikimet e mëparshme.

Trafiku ndërkombëtar u tkurr me 96,8% në qershor, krahasuar me të njëjtin muaj një vit më parë.

“Përparimi shkencor në luftën kundër COVID-19, duke përfshirë dhe zhvillimin e një vaksine të suksesshme, mund të ndihmojnë në një rimëkëmbje më të shpejtë. Megjithatë, për momentin, rreziku për tkurrje është më i madh krahasuar me parashikimet e mëparshme” – nënvizoi IATA.

Alexandre de Juniac, drejtues i përgjithshëm dhe CEO i IATA, thotë se trafiku ndërkombëtar përfaqëson dy të tretat e udhëtimeve ajrore botërore në kohëra normale. Vera, që zakonisht është një sezon biznesi, shtoi z. De Juniac, po shfaq pak sinjale rimëkëmbje, pasi shumë vende mbeten të mbyllura apo kanë vendosur “karantina vrasëse të kërkesës”.

Për kompanitë ajrore ky është një lajm i keq që tregon nevojën e qeverive për të vijuar masat lehtësuese – financiare dhe jo vetëm”. Ai u bëri thirrje qeverive të marrin masa për të rritur besimin te fluturimet ajrore, ndër të cilat “teste të kujdesshme, të shpejta dhe të përballueshme”, si dhe masa për gjurmimin e kontakteve.

Vende të ndryshme në Bashkimin Europian u kanë dhënë ndihmë kompanive ndërkombëtare. Air France, për shembull, ka marrë nga shteti një ndihmë prej 7 miliardë eurosh, edhe pse në fillim të korrikut njoftoi se gjithsesi do të shkurtonte 7500 vende pune për të përballur pasojat ekonomike të krizës. Kompania holandeze KLM do të marrë 3,4 miliardë euro fonde nga arkat e shtetit, ndërsa Gjermania ka miratuar një plan shpëtimi prej 9 miliardë eurosh për Lufthansa-n.

*Alice Tidey
Burimi: Euronews

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of