E kush nuk ka menduar të paktën një herë të shkojë për pushime në Ibiza?
Isla Blanca është një ndër destinacionet më të vizituara në muajt e verës.
Jeta e natës, argëtimi, bare dhe diskoteka ku mund të qëndroni deri në agim, nuk janë të vetmet atraksione…
Mjafton të dish të zgjedhësh vendet e duhura dhe Ibiza është i përshtatshëm edhe për ata që nuk e pëlqejnë “zhurmën”, një vend ideal për t’u çlodhur dhe për të rifituar energjitë….
Të humbësh në rrugicat e qytetit…
Pushimet në Ibiza nuk kanë kuptim nëse nuk vizitoni Dalt Vila, akropolin e Ibiza/Eivissa, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Qyteti i vjetër është i gjallë në çdo orë të ditës e natës, është vendi ideal për t’u argëtuar dhe për të bërë një shopping të “shëndetshëm”.
Kështjella Almudaina, Cattedrale Santa Maria de les Neus dhe Teatro Pereyra (ku çdo verë mbahen koncerte me muzikë live) janë ndër monumentet historike që duhet të vizitoni në qytetin e vjetër.
Plazhet
Plazhet më të njohura janë Talamanca e Playa d’en Bossa. Dhe pranë tyre gjeni edhe të famshmin Sa Caleta.
Parco Naturale di Ses Salines është ideal për ata që janë tipa sportivë, për ecje në këmbë apo me biçikletë. Meriton një vizitë edhe Cala Lentrisca, e njohur për ujërat e saj të gjelbra – në të bruztë.
Për ata që janë të pasionuar pas artit urban rekomandojmë një ndalesë në Sant Antoni de Portmany, kur prej disa vitesh artistët e rrugës ftohen të lënë shenjën e tyre në muret e qytetit dhe rezultati është një ylber ngjyrash që i jep jetë fshatit.
Pjesa verilindore në Ibiza, mes Santa Eulària des Riu e San Joan de Labritja ofron surpriza në brendësi të saj. Ju do të mbeteni të mrekulluar nga fshati – portokaj, limonë, bajame. Rrugë të ngushta, trafik inekzistent dhe një natyrë e mrekullueshme…. Ibiza që ju nuk e mendoni…!
Evente
Nga qershori në shtator, gjithë baret më të famshme të ishullit mirëpresin Dj me famë ndërkombëtare. Ndër më të njohurit janë Pacha, Ushuaïa e Amnesia.
Ju duhet të shënoni në axhendë edhe Bloop Festival, i cili sipas Lonely Planet është një ndër tetë festivalet më të mirë të artit urban në botë, i cili zhvillohet nga data 23 gusht deri më 16 shtator në Sant Antoni.
Ku të qëndroni
Duke qenë një ishull mjaft i famshëm dhe turistik, në Ibiza nuk është e vështirë të gjesh një vend ku të qëndrosh. Nëse doni të shijoni një pamje të mrekullueshme të detit, si në një kartolinë, mund të rezervoni në Hotel Torre del Mar, në Eivissa (b&b -100 – 130€); Las Mariposas (80 – 150€), në Sant Antoni de Portmany.
Ata që duan natyrën nuk ka se si të mos rezervojnë një dhomë në hotelin Can Xuxu (duke filluar nga 150 deri në 300€), një vend i mrekullueshëm në zemër të Ibiza-s rrethuar nga kaktus, palma, lule shumëngjyrëshe që të çojnë në pishinë, ku shefi i kuzhinës (një kuzhinë në qiell të hapur) përgatit pjatat e ditës.
Dalt Vila, Qyteti i Vjetër i Ibiza-s, është një labirint me rrugica të ngushta dhe sheshe të vogla ku mund të humbni. Shëtitjet në këto rrugë janë mënyra më e mirë për të zbuluar çdo detaj të tij.
Porti i Ibiza-s është një ndër vendet më të bukura, veçanërisht në muzgu, kur dritat e anijeve pasqyrohen në ujë, duke krijuar një atmosferë romantike.
Parku natyror Ses Salines është një ndër vendet më të bukura në Ibiza. Në të gjenden plazhe spektakolarë, me duna rëre të bardhë dhe ujëra të kristaltë ku mund të notoni në relaks të plotë.
Platges de Comte është padyshim vendi ideal për të parë perëndimin e diellit. Po aq bukur është edhe gjatë ditës për t’u zhytur në ujërat e saj të bruzta.
Përgjatë bregdetit ju mund të shihni shtëpitë tipike të peshkatarëve të shndërruara në depozita, nëpër shkëmbinj.
Cala Llentrisca është një ndër plazhet më të bukura të Ibiza-s. Është vendi ideal për ata që duan të çlodhen dhe të jenë të rrethuar veç nga deti dhe natyra.
Sa Conillera është një ishullth, pjesë e ishujve Balearë, në veriperëndim të Ibiza-s, ku sipas legjendës, thuhet se këtu ka lindur gjenerali i Kartagjenës, Hanibali. Ishulli është ideal për ata që duan natyrën e egër.