Të ardhurat në pesë muajt e parë të vitit janë rritur me 41.8 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë me një vit më parë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj deklaroi se sipas një analize vlera e përllogaritur si pasojë e efektit të çmimeve është 13 miliardë lekë.
“Të ardhurat në pesë-mujor 233 miliardë lekë, duke u rritur me 21.8% në krahasim me vitin e kaluar. Rritja ka qenë e gjerë, si në akcizë, si në kontribute, ashtu dhe në TVSh.
Vlera totale e rritjes së të ardhurave krahasuar me vitin e kaluar ka qenë 41.8 miliardë lekë. Ministria e Financave ka bërë një analizë se sa ka qenë kjo vlerë si pasojë e rritjes së çmimeve dhe sa vjen nga aktiviteti i bizneseve. Vlera e përllogaritur si pasojë e efektit të çmimeve është 13 miliardë lekë. Nëse do të reduktonim efektin e çmimeve rritja në krahasim me vitin e kaluar do të ishte prej 29 miliardë lekësh apo 13% më shumë se e njëjta periudhë se një vit më parë.
Ekonomia shqiptare për 5 mujorin është rritur paçka rritjes së çmimeve. Kjo rritje ka ardhur e bazuar në qarkullimin e sektorëve, ku përveç ndërtimit që është reduktuar me 1.6%, kemi pasur rritje në të gjithë sektorët e tjerë në total qarkullimi i sektorëve është 13.5%: Prodhimi është rritur 8.6%, shërbimet 2.5%, transporti 28.5% dhe tregtia me 50.4%”, tha Ibrahimaj.
Ibrahimaj tha se shqetësim kryesor mbetet rritja e çmimeve, ndërsa rritja ekonomike për vitin 2022 pritet të jetë 3.24%.
“Rritja ekonomike ne tremujorin e parë ishte 5.97%. në Krahasim me tremujorin e katërt të vitit të kaluar kemi pasur një përshpejtim të rritjes ekonomike. Ne presim rritje me 3.24% rritje për gjithë vitin. Në tremujorin e parë ka pasur rritje në të gjithë sektorët. Ka pasur rritje në të gjithë sektorët më e lartë ka qenë tek ndërtimi me mbi 25.49%, ndjekur më pas nga tregtia me shumicë dhe pakicë me një rritje prej 10.55%.
Konsumi i popullatës u rrit me 8.63% dhe përbën peshën kryesore të rritjes ekonomike, përben 78.3% të GDP.
Përshpejtimi i rritjes ekonomike dhe ngadalësimi i huamarrjes së brendshme dhe të huaj ka çuar në një reduktim të nivelit të borxhit që për tre mujorin e parë ka arritur në 69.6%. Ngadalësimi i nivelit të borxhit vihet re që në vitin 2021, ku nga 74.5% që ishte në 2020, në 2021 u reduktuar në 73.2%.
Shqetësimi kryesor në këtë pesë mujor ka qenë rritja e çmimeve të ushqimeve, kryesisht nga konflikti Rusi Ukrainë. Për muajin maj inflacioni rezultoi 6.7%, ndërkohë në nivel pesë mujor, inflacioni është 5.2%.
Treguesit e tërthortë tregojnë se ambienti ekonomik është stimulues për biznesin.
Në krahasim me muajin prill, në muajin maj kemi pasur një rritje prej 2939 biznese të reja, ose 2.5 për qind. Ndërkohë që për periudhën janar maj kemi pasur një rritje prej 6099 biznese të reja ose 5.2% krahasuar muajin dhjetor 2021. Dhe një rritje me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregtia e jashtme
Për periudhën janar- maj kemi pasur rritje të importeve në vlerë, 27%, ndërkohë që në vëllim importet janë ngadalësuar me 4%. Ngadalësimi ka ardhur kryesisht si pasojë e uljes së importeve të mineraleve dhe lendeve djegëse të ndikuar nga çmimet e larta por edhe nga ulja e importeve të produkteve kimike dhe plastike. Nga ana tjetër importet e pijeve dhe ushqimeve janë rritur si në vlerë edhe në vëllim. Në vëllim janë rritur me 9% dhe në vlerë me 25% krahasuar më të njëjtën periudhë të një vitit më parë.
Importet në maj janë rritur me 29% në vlerë, ndërsa në vëllim kanë mbetur të pandryshuar nga maji 2021.
Eksportet
Ne kemi pasur rritje si në vëllim dhe në vlerë. Vëllimi është rritur me 7.%. Në vlerë me 37% në maj krahasuar me majin e vitit të kaluar”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.