Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj bëri të ditur se sektori i turizmit në periudhën maj-qershor ka shënuar rritje dyshifrore.
“23% më shumë u rrit qarkullimi i biznesit në sektorin e Hoteleri-Turizmit, referuar deklaratave të TVSH-së për periudhën Maj -Qershor 2022 krahasuar me Maj -Qershor 2021”, tha ministrja në një postim në rrjetet sociale.
Pothuajse të gjithë aktivitetet e këtij sektori rezultuan me rritje, përkatesisht “Akomodime të tjera” me 80% dhe “Hotele dhe struktura të ngjashme” me 57%.
Punësimi gjithashtu shënoi rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ose me rreth 23% krahasuar me periudhën para pandemisë (2019).
Të dhënat e tjera tregojnë gjithashtu se sektori i turizmit ka shënuar ecuri positive në maj dhe qershor. Si dhe në maj, në qershor, numri i shtetasve të huaj që hynë në vend është rritur ndjeshëm, duke bërë që për 6 mujorin, ardhjet e turistëve të rriten ndjeshëm në raport me 2019-n.
Sipas të dhënave të INSTAT, për periudhën janar-qershor, në vend kanë hyrë gjithsej 2.5 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 16.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Ndërsa në raport me 6 mujorin e një viti më parë, rritja është 37.5%.
Vetëm në qershor, në vend kanë hyrë 876 mijë shtetas, me një rritje prej gati 40% në krahasim me muajin qershor të vitit 2019. Ndërsa në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë kanë hyrë 43% më shumë të huaj.
Për muajin maj, sipas INSTAT, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 66,1%, në krahasim me maj 2021. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm:
-numri i vizitorëve rezidentë është rritur me 41,6%;
– numri i vizitorëve jo-rezidentë është rritur me 88,6%;
Numri i net-qëndrimeve gjithsej është rritur me 87,0%, në krahasim me maj 2021.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.