ICAO: Kompanitë ajrore do të humbin rreth 5 mld $ në tremujorin I nga Koronavirus

23/02/2020 4:12 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Vlerësimet paraprake të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) tregojnë një ulje të përgjithshme që shkon nga 39% deri në 41% të kapacitetit të transportit të pasagjerëve të kompanive ajrore në tremujorin e parë 2020. Edhe destinacionet e preferuara turistike të kinezëve, të bllokuar në vendin e tyre, rrezikojnë humbje të mëdha.

Është një fakt i pranuar tashmë që Koronavirus po kushtëzon rëndë botën e aviacionit dhe turizmit. Bllokimi i fluturimeve nga dhe drejt Kinës ka përfshirë dhjetëra kompani ajrore. Shumë turistë kanë anuluar fluturimet për shkak të frikës nga infektimi. Pak ditë më parë, Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil publikoi një deklaratë me disa parashikime që lidhen me ndikimet ekonomike të virusit kinez tek kompanitë ajrore ndërkombëtare.

ICAO shkruan në raport se rreth 70 kompani ajrore kanë anuluar të gjithë fluturimet ndërkombëtare nga dhe drejt Kinës. Sipas organizatës, kjo lëvizje ka reduktuar me 80% numrin e pasagjerëve të kompanive të huaja në fluturimet drejt Kinës (ose që nisen nga ai vend) por edhe një reduktim me 40% të fluturimeve kombëtare.

Parashikimet optimiste para virusit

Duhet të theksohet se para shpërthimit të epidemisë, kompanitë ajrore kishin parashikuar – për tremujorin e parë të 2020, një rritje të trafikut të pasagjerëve me 9% në rrugët ndërkombëtare nga dhe drejt Kinës. Shifrat ishin në tendencë pozitive. Ndikimi i Koronavirusit është një shok i vërtetë. Vlerësimet paraprake të ICAO tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti, kapaciteti i pasagjerëve është reduktuar nga 39 deri në 41 %, ose 16,4 – 19,6 milionë pasagjerë krahasuar me parashikimet.

Në shifra kjo përkthehet në një reduktim potencial 4 – 5 miliardë dollarë të ardhura operative bruto për kompanitë ajrore në të gjithë botën. Duhet të saktësojmë se këto vlerësime nuk përllogarisin impaktin potencial të reduktimit të lëvizjes se avionëve ndërkombëtarë të mallrave. Me pak fjalë, dëmi i përgjithshëm ekonomik është sigurisht i nënvlerësuar.

Humbjet për Japoninë dhe Tajlandën

Analistët e ICAO u ndalën edhe në ndikimin potencial në turizëm në tremujorin e parë 2020, për shkak të reduktimit të numrit të udhëtarëve kinezë. Organizata vlerësoi se Japonia mund të humbë 1,29 miliardë dollarë të ardhura, ndjekur nga Tajlanda, me 1,5 miliardë. Dy vendet janë destinacionet kryesore të turistëve kinezë, së bashku me Singaporin, Vietnamin dhe Korenë e Jugut. Ndërsa në Europë, destinacioni kryesor është Italia, që pozicionohet tashmë prej kohësh para Francës, Gjermanisë dhe Spanjës.

Sipas ICAO, pasojat e Covid-19 do të jenë më të mëdha se ato që shkaktoi epidemia SARS në vitin 2003, duke parë numrin e madh të fluturimeve të anuluara.

Burimi: Il Sole 24 Ore

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of