Ide marketingu që nuk kushtojnë

09/07/2012 9:35 AM 0 komente

Bizneset e vogla, për shkak të kapitalit të pakët, si monetar edhe në burime njerëzore, duhet të tregohen të zgjuara dhe strategjike në përpjekjet për të krijuar një marketing efektiv. Kemi parasysh këtu që marketingu dhe reklamat janë një ndër zërat kryesorë në shpenzimet e një biznesi. Por jo vetëm që këto shpenzime janë më të kushtueshme, por janë edhe më të rëndësishme. Kthimi i investimit mund të vonojë ose të dështojë te një biznes që nuk hedh hapat e duhur në marketing. Te bizneset e vogla nuk është e domosdoshme të shpenzohen para pa fund për një proces të tillë, por gjithsesi, duke i kushtuar rëndësi disa detajeve të rëndësishme, mund të arrihet një marketing i suksesshëm me buxhet minimal, për të përmirësuar imazhin e kompanisë. Më poshtë do të gjeni pesë mënyra për të realizuar një marketing të mirë, duke shpenzuar pak.

 

Kartëvizitat e biznesit

Vetëm sepse një biznes është i vogël nuk do të thotë që të mos ketë një imazh të fuqishëm. Pavarësisht industrisë së kompanisë tuaj, kartëvizitat e biznesit duhet të reflektojnë gjithmonë profesionalizmin, stilin dhe mbi të gjitha, të projektojnë suksesin e biznesit tuaj. Zgjidhini kartëvizitat me zgjuarsi. Vlerësoni llojin e letrës, logon, ngjyrat dhe përmasat. Ato mund të jenë të dizenjuara në të dyja anët, ku në njërën mund të shkruhen informacionet e kontaktit dhe te tjetra detaje mbi produktet ose një hartë e vogël që tregon vendndodhjen e biznesit. Mundësitë e zgjedhjeve dhe alternativave janë të pafundme.

 

Firmosja e e-mail-eve

Si një nga format më të përdorura dhe të preferuara të komunikimit, njerëzit dërgojnë me dhjetëra të tillë çdo javë dhe deri në qindra në muaj. Për më tepër, e-mail-et që ne dërgojmë shpesh kalohen (forward) te persona të tjerë. Prandaj, është një ide shumë e mirë që të shtoni një “signature” standarde në fund të e-mail-eve që dërgoni, në mënyrë që ju dhe biznesi juaj të ekspozoheni më shumë. E mira është që të përfshini në të emrin tuaj, biznesin dhe/apo website-n e biznesit tuaj, ndonjë numër telefoni, apo slogan. Nëse nuk keni një tashmë, futuni në llogarinë tuaj, shkoni në opsionet/preferencat/rregullimet dhe ndryshoni “Signature”. Kaq, është e thjeshtë.

 

Rrjetet sociale

Gjatë përpjekjeve për ta bërë biznesin tuaj të njohur, nuk duhet harruar përdorimi i rrjeteve sociale si “Facebook”, “Twitter”, “Linkedin”, “Google+”, etj. Në këto faqe ju mund të publikoni gjithçka, që prej eventeve speciale, ofertat, shitjet, apo llojet e produkteve dhe shërbimeve. Më së shumti mund të komunikoni me klientët tuaj ekzistues, por edhe potencialë të ardhshëm. Gjithashtu, edhe gjetja e bashkëpunëtorëve ndër radhët e biznesmenëve të tjerë është një mundësi e mirë që ofrojnë këto rrjete.

 

Bisedat me njerëzit

Si lidhet kjo me marketingun efektiv? E thjeshtë. Sepse fjala e gojës është një ndër format më të mira të publicitetit. Kur një klient kënaqet nga shërbimi juaj, ai do t’u thotë miqve, familjes, etj. Edhe këta të fundit do të bëjnë të njëjtën gjë e në vazhdim. Pra, edhe ju mund të flisni me të tjerët për biznesin tuaj, seriozitetin dhe cilësinë e tij. Një klient i pakënaqur e shpërndan shumëfish përvojën e tij të keqe me të tjerët, kështu që kujdes nga gabimet me klientët.

 

Blogu

Një i tillë mund t’i japë një biznesi të vogël mundësi të shumëfishta. Përmes një blogu, bizneset mund të promovojnë produkte të reja, të ndajnë eksperiencat e mira të klientëve, të publikojnë fotografi, të organizojnë konkurse të ndryshme, apo të shkruajnë artikuj me interes rreth industrisë apo produkteve të tyre. Për më tepër, bloget janë të pakushtueshme për t’u zotëruar dhe për t’u mirëmbajtur. Që frytet e një blogu të tillë të duken, sigurohuni që ta përditësoni vazhdimisht. Nëse ende nuk keni një blog për biznesin tuaj, mund të hapni falas një të tillë. “WordPress.com” dhe “Blogger.com” janë ndër platformat më të mira që ofrojnë një shërbim të tillë.

Mbajini parasysh këto këshilla, por mos u kufizoni vetëm te këto. Për një biznes të vogël që kërkon të realizojë një marketing të mirë, janë shumë të rëndësishme të gjitha detajet. Pra, mendoni për mënyra dhe taktika të tjera, të pakushtueshme që e ndihmojnë biznesin.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of