Idetë e reja inovative mund të kthehen fare mirë në projekte sipërmarrëse që mund të rezultojnë fitimprurëse për të gjithë ata që dëshirojnë të zhvillojnë aktivitete origjinale dhe të dallohen nga të tjerët. Është e kotë të thuhet, por pjesa më e madhe do të bazohet te dixhitalizimi, kompjuteri personal dhe interneti, që do të jenë mjetet kryesore. Po cilat mund të jenë disa nga këto aktivitete?
Pastrimi i filtrave të ajrit
Ajri i rënduar dhe i ndotur shpesh bëhet burim shqetësimesh dhe alergjish për shumë njerëz jo vetëm në mjediset e bareve dhe lokaleve, zyra, por edhe në ambientet e banimit. Specialisti i pastrimeve të sistemit të ajrit është domosdoshmëri, veçanërisht aty ku të tjerët nuk arrijnë të futen si për çështje aftësish, por edhe mungese kohe. Ky specialist mund të ofrojë edhe shërbime të tjera shtesë që kanë të bëjnë me pastrimin e objekteve të tjera më të ndërlikuara.
Trajner informatik
Nëse jeni të pasionuar pas botës së kompjuterit dhe të programimit dhe keni përvoja, atëherë mund ta “shisni” atë. Mund të mësoni përdorimin e kompjuterit ose të programeve të ndryshme, atyre që e kanë të nevojshme këtë. Duhet të keni mjaftueshëm durim dhe qartësi në atë që do t’iu mësoni nxënësve tuaj. Ky aktivitet mund të realizohet nëpërmjet internetit ose në shtëpitë e të interesuarve. Mund të adoptohen programe të thjeshta ose të personalizuar në kompjuter në bazë të kërkesave specifike.
Konsulentë për bloger
Janë rreth 27 milionë blog-e që qarkullojnë vetëm me platformën WordPress dhe fenomeni ka të ngjarë që të rritet ende.
Ekzistojnë tri tipologji blog-esh: personalë, për biznesin e vogël dhe për kompanitë.
Përdoruesi fillestar mund të ndeshet me kompleksitetin e funksionimit të platformës, e cila nuk është e thjeshtë dhe intuitive për të gjithë. Në këtë pikë, roli profesional i ekspertëve mund të jetë i nevojshëm për të lehtësuar konfigurimin, personalizimin, marketingun dhe futjen e përmbajtjeve. E njëjta gjë vlen edhe për krijimin e faqeve të internetit dhe portaleve të e-commerce.
Futja e të dhënave
Nëse jeni i shpejtë në të shkruar dhe keni njohuri për hedhjen e të dhënave në mënyrë të pastër në kompjuter, një punë e cila do të bënte për ju do të ishte ajo e hedhjes së të dhënave. Është një pozicion shumë i domosdoshëm, veçanërisht në ato sipërmarrje që kanë një “mal” me informacione dixhitale, që duhet të transferohen në vende të sigurta, siç janë disqet e memories.
Për ta thjeshtësuar sa më shumë këtë proces ekzistojnë disa programe që lejojnë që të dixhitalizohen dokumentet e shkruara, pasi ato të jenë skanuar. Ka edhe programe që arrijnë të shkruajnë në kompjuter tekstet e folura me zë, sikur të ishit duke përdorur tastierën. Një nga programet që mund të përdoret në shtëpi për këtë qëllim është Nuance.
Desktop publishing
Jeni të lindur për dizajn dhe keni kreativitet? Atëherë për ju bën profili “desktop publishing”. Në praktikë është ai person që realizon projektime grafike dhe editoriale për departamentin e marketingut në një kompani. Është një punë që ndryshon çdo ditë dhe që ofron variete dhe stimuj të vazhdueshëm.
Prodhime biznesi artizanale
A e keni menduar ndonjëherë se një pasion i thjeshtë artizanal mund të kthehet në një punë që mund të gjenerojë të ardhura? Ndoshta jeni marrë me letrën për mobilim, drurin, metalin, xhamin, por tashmë në fakt është momenti që ta komercializoni. Si ju duket? Horizontet e artizanatit janë të pafundme dhe vënë në provë kreativitetin tuaj. Tipologji të tjera mund të jenë qëndisjet, përgatitja e aksesorëve, si shalle, kapele, etj. Për promovimin e tyre një ndihmë e çmuar është edhe e-commerce, sistemi që lejon shitjen e produkteve nëpërmjet internetit.
Ekspert kërkimi në internet
Në qoftë se keni një kompjuter, një lidhje të shpejtë të internetit, ju mund të filloni të merreni me një punë interesante që ka të bëjë me motorët e kërkimit, e cila ju lejon të kryeni kërkime, anketime, raporte statistikore dhe të merrni të dhëna për nevoja të ndryshme. Aftësitë tuaja do të rriten me kohën dhe në varësi të funksioneve teknike, që do të keni në dispozicion. Shpejtësia e eksplorimit do të rritet me kalimin e kohës dhe ju do të bëheni më efikasë në kërkime.
Si ta bëni biznesin të suksesshëm
Në librin e tij të ri “Milja e parë, një udhëzues për të hedhur ide në treg”, guruja Scott D. Anthony, partner dhe drejtues i kompanisë konsulente “Innosight” nxjerr në pah strategjitë që mund të ndihmojnë për të kthyer një projekt në një biznes të suksesshëm. Në një artikull të “Inc.com” nënvizohen hapat më të rëndësishëm.
Nisni me kërkimin në “tavolinë”. Edhe pse mund të jeni i bindur për faktin se askush nuk e ka një ide brilante si e juaja, sigurohuni që nuk është tashmë e patentuar.
Suksesin testojeni me një eksperiment. Pyesni veten se çfarë do të ndodhte nëse ideja do të funksiononte me të vërtetë. Kjo do t’ju ndihmojë të kuptoni se cilat janë hapat e ardhshëm të strategjisë tuaj: si të menaxhoni furnizuesit dhe bashkëpunëtorët, konkurrencën e kështu me radhë.
Mos anashkaloni modelin e “4P”: Përcaktoni objektivin për produktin tuaj, pozicionimin, çmimin, blerjen e frekuencave dhe penetrimin në treg, të nevojshme për të siguruar një kthim të investimit.
Bëni një telefonatë. Thërrisni një mik (ose një mik të mikut tuaj), i cili punon në fushën që ju interesojnë dhe bëjini të gjitha pyetjet e rastit. Edhe pse kjo mund të duket e parëndësishme, në të gjitha gjasat do t’ju ndihmojë të zbuloni se si shkojnë gjërat në të vërtetë.
Imagjinoni një transaksion të tërë. Anthony sugjeron që të shikohet i gjithë zinxhiri i shitjes për të shmangur surpriza: cilat janë kanalet e shitjes? Si konsumatorët do të paguajnë për produktin? A ka dikush tjetër që mund të kërkojë një përqindje për transaksionin?
Nëse jeni duke menduar për hedhjen në treg të një produkti, atëherë realizojeni vetë ju, pavarësisht nga zgjedhja e materialeve. Në këtë mënyrë do ta keni më të lehtë t’ua shpjegoni njerëzve të tjerë.
Bisedoni me klientët potencialë. “Është e habitshme se sa shumë novatorë ecin përpara me idenë e tyre pa marrë mendime të tjera”, – thotë Anthony.
Ideja mund të testohet në internet apo në ndërtimin e një faqe interneti për produktin apo shërbimin tuaj. Kurrë mos harroni se keni nevojë për një provë që ideja juaj të funksionojë.
Së fundi, nisuni nga niveli i fitimit hipotetik (dhe të dëshirueshëm) dhe më pas bëni “prapa”, duke theksuar pikat e ndryshme që përbëjnë kostot dhe të ardhurat tuaja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.