Për këtë vit janë identifikuar disa sektorë ku mund të investohet, pasi nuk kanë pengesa të forta hyrëse dhe kanë perspektivë për rritje.
Një raport i ri i kompanisë amerikane të kërkimit “IbisWorld” ka identifikuar tetë sektorë që ofrojnë mundësi të mira për investime. Instituti që monitoron mbi 700 industri ka marrë në konsideratë ata sektorë që nuk kanë pengesa të forta për të hyrë, ndërsa kanë potenciale për rritje.
Në krye të listës të publikuar nga revista “Forbes” janë lojërat që gjenden në rrjetet sociale, që përgjatë pesë viteve të fundit kanë njohur rritje me 180%, ndërsa parashikohet që gjatë vitit 2013, rritja e sektorit në total të jetë në rreth 32%. Përhapja e internetit dhe e celularëve po furnizon më së miri këtë sektor. Sipas një tjetër kompanie kërkimi, “Nielsen”, poseduesit e një smartphone shpenzojnë 30% të kohës së tyre në rrjetet sociale.
Por, ka edhe një lajm tjetër që mund të çojë “ujë” (para) në “mullirin” e zhvilluesve të programeve, ajo e zhvillimit të lojërave të fatit. Rritja e basteve ligjore i mundësuan “Zynga”-s, zhvillueses së lojërave të fatit në rrjetet sociale, që të përmirësonte bilancet, falë edhe “dritës jeshile” që hapi guvernatori i Nju Xhersei për këtë sektor. Për herë të parë në gjashtë muajt e fundit, kompania e drejtuar nga Mark Pincus përmbysi parashikimet e analistëve. Sipas Dennis Farrell, analist i “Wells Fargo”, lojërat online të fatit mund të gjenerojnë 650-850 milionë dollarë të ardhura për sektorin në kohë shumë të shkurtër.
“Hapësira” e dytë e mundësive e identifikuar nga “IbisWorld” përfaqësohet nga “virtual data room”, portale të rezervuara për ata që kanë fjalëkalimet. Kërkesa për të transferuar të dhëna të sigurta është në rritje. Sipas vlerësimeve, rritja do të jetë 16% për vitin 2013 dhe do të arrihet një xhiro prej 730 milionë dollarësh. Kjo tendencë konfirmohet edhe nga vitet e kaluara. Gjatë pesë viteve të mëparshme, rritja ka qenë në nivelin rreth 14%. Për të gjithë ata që mendojnë të investojnë te siguria e të dhënave, duhet ta dinë se kërkesa është në rritje dhe do të vijë të jetë me përmirësimin e kushteve ekonomike.
Në vend të tretë, është shitja online e këpucëve. Një shërbim që po njeh rritje falë kostove zero për kthimin dhe instrumentet e dixhitalizuara për matjen, që kanë joshur së tepërmi konsumatorët. Ky sektor, gjatë pesë viteve të fundit, është rritur mesatarisht me 16%. Parashikohet që gjatë vitit 2013 xhiroja të arrijë në 9 miliardë dollarë, vetëm për tregun amerikan ku “Amazon” me “Zappos” e “FootLocker” zënë 16%. Nëse kërkohen konfirmime edhe për anën tjetër të Atlantikut, mjafton që të kujtojmë “Zalando.com”, një perandori që qarkullon më shumë se 500 milionë euro.
Në vendin e katërt gjenden shërbimet dixhitale të kërkimit, më saktësisht ato që bëjnë verifikimin dhe rikuperimin e të dhënave të humbura, të fshira ose të falsifikuara.
Në pesë vitet e fundit, ky lloj shërbimi është rritur me 11%, një tendencë që sipas “IbisWorld” do të vazhdojë e tillë edhe për vitin 2013. Të ardhurat e këtij sektori kanë arritur në rreth 1 miliard dollarë dhe duke qenë se është një biznes botëror, është i pasur me mundësi për të gjithë ata që kërkojnë klientë jashtë kufijve kombëtarë.
Më shumë se 9% rritje është parashikuar për shërbimet që ofrojnë ekspertët e sigurisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit, nevoja për të cilët është gjithnjë e më shumë në rritje, falë investimeve në teknologji që po bëjnë kompanitë dhe duke qenë se shkeljet nuk kursejnë askënd. Si të tilla mund të kujtojmë atë ndaj “The New York Times”, “Sony” e “LinkedIn”. Qarkullimi financiar i shërbimeve të atyre që merren me “It security consulting”, sipas institutit amerikan të kërkimit, do të tejkalojë këtë vit shifrën 5 miliardë dollarë.
Edhe agjencitë e udhëtimeve online po njohin progres, veçanërisht ato që ofrojnë paketa udhëtimesh të pazakonta. Kostoja për të hapur një agjenci udhëtimi online është e ulët, ndërsa konkurrenca ka tendencë të rritet. Kërkuesit parashikojnë që sektori do të rritet me 6% këtë vit.
Për të gjithë ata që duan të investojnë në mediat tradicionale, instalimi i shërbimeve televizive dhe “teatrit” në shtëpi mund të jetë një mundësi e mirë. Xhiroja vjetore e këtij sektori parashikohet të arrijë në 12 miliardë dollarë. Gjatë vitit 2012 rritja ishte 4%.
Opsioni i fundit renditet ai i investimeve në shërbimet e përkthimit, që favorizohen nga efektet e globalizimit. Sipas “IbisWorld”, rritja e shërbimeve të këtij sektori do të llogaritet në rreth 3.4% gjatë këtij viti, ndërsa xhiroja financiare në mbi 3 miliardë dollarë.
Edhe sektori i modës, mund të jetë…falë edhe ecurisë që ka pasur në tregjet aziatike, nuk i ka ndier shumë efektet e krizës. Por, a është “fashion” një sektor i mirë ku mund të investohet? Ekspertët thonë se po, edhe pse nuk përjashtojnë rreziqet.
Sipas tyre, veçanërisht markat më të mëdha, gëzojnë një sërë avantazhesh, pasi gëzojnë popullaritet kudo në botë. Në shumë vende në zhvillim, ekspertët thonë se po krijohet një klasë e mesme që aspiron të arrijë një nivel luksi të krahasueshëm me atë të vendeve të zhvilluara, ndërsa të pasurit e rinj i konsiderojnë veshjet dhe bizhuteritë e firmave të mëdha si “status simbol”, si një mundësi që duhet të shfrytëzohet në çdo rast. Ky fenomen gjithnjë e më shumë po del në pah nga investitorët më kërkues, që prej kohësh kanë vënë në shënjestër disa tregje specifike, veçanërisht ato orientale.
Pikërisht falë kësaj tendence, sektori i modës e ka ndier më pak krizën në krahasim me të tjerët. Rezultatet financiare për grupet më të mëdha janë pozitive, por nuk mund të flitet më për bum. Nuk mungojnë edhe rastet kur bilancet kanë pasur tendencë rënieje.
Vendet që bëjnë “tendencë”…
Për të krijuar një ide, na ndihmojnë analizat e ndërmarra nga grupi “Credit Suisse”. Banka zvicerane çmon se “sytë” duhet të hidhen nga konsumatorët e rinj, bëhet fjalë kryesisht për tregjet e vendeve në zhvillim, por edhe ato në Brazil, Rusi, Indi e Kinë, që janë të destinuara të njohin një trend rritës. Mundësi interesante, sipas “Credit Suisse”, ofrojnë kompani si “Kraft Foods” e “Swatch”.
Një vend që veçohet nga banka zvicerane është edhe Gjermania, që vendi i tretë më i ndjeshëm për gjallërimin e ekonomisë botërore. Vendi i drejtuar nga kancelarja Merkel favorizohet nga dobësia e euros, por edhe nga norma e papunësisë që është nën nivelin e vendeve të tjera të Eurozonës. Në listën e Bursës së Frankfurtit, analistët veçojnë emra si “Deutsche Post”, “Deutsche Wohnen” e “ProSieben”.
Një ide tjetër investimi, sipas analizave të bankës zvicerane na çon në Japoni, ku gjatë vitit 2013, Banka Qendrore do të adoptojë një politikë monetare më agresive. Në këtë mënyrë do të ofrohen më shumë mundësi investimi në sektorë si ai imobiliar, por edhe në disa sektorë të eksportit, apo të sigurimit të jetës.
Më tej, “Credit Suisse” i kthehet Europës. Ekspertët sugjerojnë Anglinë si një vend ku të gjithë treguesit ekonomikë janë më inkurajues në krahasim me pjesën tjetër të Kontinentit të Vjetër. Sugjerohet që të investohet në sektorë që do të gjallërohen më shumë gjatë këtij viti, siç është ai i pasurive të paluajtshme.
Në Europë, ajo sugjeron emra kompanish, si: “BT”, “Pro7”; “Roche” e “Seb”, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këshillojnë, “CMS Energy”, “McDonald’s”, “Microsoft” e “UPS”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.