Piktori Idlir Koka i përket brezit më të ri të piktorëve abstrakt shqiptarë. Ai ka lindur në Tiranë (1979) ku dhe jeton dhe krjon aktualisht. Pasi kryen studimet për pikturë në Liceun Artistik “Jordan Misja” (1997), Koka diplomohet për grafikë në AAB, Tiranë. Koha e studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku në këtë periudhë mjaft programe ishin reformuar apo dhe plotësuar me lëndë të reja, ishte për piktorin Idlir Koka, mjaft e rëndësishme. Në atelienë e Profesor Gazmend Lekës ai u njoh dhe eksperimentoi me ngjyrën si një element i magjisë së imazhit piktorik, ndërsa në leksionet e Gëzim Qëndros mbi artin konceptual abstragimi dhe idetë ishin prioritare. I tërhequr nga arti bashkëkohor amerikan dhe veçanërisht nga Julian Schnabel (1951), Jan Michael Basque, Koka fillon të realizojë që student vepra jo të zakonshme, duke përdorur objekte nga jeta e përditshme (jastëk, sënduqe të vjetër etj.) dhe të ekspozojë ciklet e veprave të tij. Eksperimentimi i krijimit të frakturave mbi telajo që krijonin relieve e në ndonjë rast edhe altorelieve e gati vepër skulpturore, gradualisht krijoi te piktori Koka prirjen në vazhdimësi të krijimit të veprave të veçanta abstrakte, ku në disa raste ngjyra luan rolin e plotësimit të telajos me penelata dhe “hapësira unike” njëngjyrëshe dhe herë-herë (në ciklet e fundit), telajot mbeten të prekura “me delikatesë” nga “peneli”, i cili mbart energji dhe ekspresivitet. Piktura e Kokës ka një kronologji ciklike; ajo fillimisht “mbajti mbi vete” materiale nga jeta e përditshme duke kaluar edhe në krijimin e strukturave skulpturore, vazhdoi me një kolorit të ngjeshur shprehës dhe aktualisht piktori është në fazën e “pastrimit”, gjetjes, zgjedhjes me mjaft delikatesë dhe realizimit të tablove me pak ngjyra ku vendin parësor e zë dekorativiteti koloristik, njollat estetike që komunikojnë me spektatorin me një gjuhë artistike “të koduar”. Edhe pse nga rrugicat e Tiranës, akoma piktori Koka ka ruajtur në koshiencën e tij artistike imazhet e dyerve me trokitëse, gurëve me kalldrëm apo pëlqen dhe inspirohet nga vizatimet e fëmijëve. Ai komunikon me publikun me një gjuhë abstrakte, ku ngjyra luan rolin e një mesazhi apo dhe të transmetimit të shpirtit artistik të lirë, pa limite. Aftësia e krijimit të pikturave në formë ciklesh me 20-30 tablo, mundëson dhe komunikimin e artistit me spektatorin elitar, ku magjija, e papritura, ngjyra shpalosin imagjinatë, dekorativitet dhe kulturë. Mjetet bashkëkohore artistike (teknika mix), e ndihmojnë artistin Koka të transmetojë idetë dhe koshiencën e brendshme artistike. Minimalisht, në ciklet e fundit Koka preferon të kuqen si elementin ngjyrues kryesor, tingëllues që herë krijon hapësira thellësie të pacaktuar e herë luan rolin e një njolle apo elementi plotësues ngjyrues në tablo. I ndodhur në kontakt të vazhdueshëm me artin bashkëkohor, veprimtaritë dhe ekspozitat më interesante, Koka ka zgjedhur rrugën e artistit të lirë duke u angazhuar fuqishëm në krijimtarinë e tij që gradualisht po krijon një fizionomi individuale të veçantë ndër piktorët bashkëkohorë abstraktë shqiptarë. Për lexuesit e revistës “Monitor” Koka ka ofruar 6 tablo të tij të realizuara gjatë viteve 200304. Tablotë e piktorit Idlir Koka, duke pasur delikatesën koloristike, dekorativitetin dhe imazhet abstrakte, mund të jenë mjaft interesante në arredimin nga ana e arkitektëve të ambienteve shlodhës, dhomave të gjumit apo dhe si pjesë e arredimit të zyrave të kompanive të biznesit. Nëpërmjet revistës “Monitor” ju mund të keni mundësinë të njiheni edhe me vepra të tjera të piktorit Koka si pjesë e koleksionit të studios së tij. Çmimet e veprave të piktorit Idlir Koka variojnë nga 550700 euro.
Ylli Drishti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.