Panairi i elektronikës që zhvillohet çdo vit në Berlin, IFA, dhuroi surpriza të shumta. Spikatën pajisjet elektro-shtëpiake, por nuk munguan as smartphone-t, kufjet e deri te pajisjet e çuditshme…
Në panairin më të rëndësishëm dhe më “të vjetër” të elektronikës që zhvillohet çdo vit në Berlin mbizotëruan tri tema kryesore: 1) Inteligjenca Artificiale, e cila po hyn, në mënyrë të padukshme, brenda pajisjeve tona kryesore; 2) Komandat zanore, me të cilat menaxhojmë, gjithnjë e më shumë gjëra; 3) 5G, përhapja e shpejtë e së cilës do të ndryshojë fytyrën e qyteteve.
Ashtu si çdo vit, që nga lindja e saj në vitin 2005, IFA mirëpret më shumë se 180.000 delegatë dhe shumë prej tyre vijnë nga Kina, Koreja, Japonia, duke vërtetuar se teknologjia ka thyer përgjithmonë kufijtë gjeografikë. Instituti GFK prezantoi një studim që shfaq një tablo të tregut botëror dhe Bashkimit Europian.
Të dhënat tregojnë se në botë, ky sektor vlen më shumë se 1,01 trilionë dollarë, me një rënie -0,2% në vitin 2018. Në 6 muajt e fundit, konsumatorët kanë shpenzuar 210 miliardë euro për smartphone të rinj dhe në tregun europian, qarkullimi i sektorit është 255 miliardë euro. Më shumë se një e katërta, 26%, shkon për blerjen e smartphone-ve, element dominues në panair.
Furra H-KEEPHEAT për Millennial
Pajisjet shtëpiake – frigoriferë, lavatriçe, furrat, pasi lidhen me internetin për arsye ndonjëherë të tepërta, sot u përshtaten stilit të jetës së familjeve të reja, që kanë zakone krejt të ndryshme nga ato tradicionale. Hooper, markë nën zotërimin e gjigantit Haier, i njëjti që ka blerë edhe Candy, prezantoi në IFA 2019, H-KEEPHEAT, furrën e parë që përveçse gatuan ushqimin në temperaturë të ulët, mes 63 dhe 70 gradë, ruan brenda saj ushqimet në mënyrë që të mos humbin aromën. “Familjet që kanë kohë vetëm në fundjavë, do ta kenë ushqimin, si të sapogatuar, gjatë gjithë javës, pa pasur nevojë që ta ngrohin sërish”, tha Yannick Fierling, CEO për Europën i Haier. Slogani i kompanisë është “Cook the way You live”.
Videokamera për t’u mbajtur në xhep
Videot zënë tashmë një vend të rëndësishëm në jetën tonë dixhitale dhe mjetet për të realizuar imazhet po bëhen gjithnjë e më të vogla dhe të fuqishme. Videokamera Insta360 Go ka përmasat e një çakmaku të vogël, peshon 20 gramë dhe ofron një cilësi befasuese imazhesh në 4K. Ajo mund t’i transferojë fotot te smartphone, për t’i edituar në mënyrën që dëshirojmë. Dyshimit të ekspertëve në lidhje me aftësinë e saj për të ofruar imazhe të qarta, kompania i përgjigjet duke ofruar një stabilizator të dedikuar. Software FlowState, i krijuar për videokamerën e re, do të kushtojë rreth 200 euro.
Frigoriferi që porosit vetë pijet
Nga Japonia vjen startup Shiftall, që e prezanton pajisjen e saj në seksionin IFA Next. Bëhet fjalë për një frigorifer të vogël, që mund të mbahet në zyrë, në palestër, apo në shtëpi, që lidhet në cloud me një platformë të dedikuar me “magazinën” e pijeve dhe mjeteve të shpërndarjes. Çdo herë që nxirrni prej tij një shishe – birrë, apo pije tjetër, frigoriferi i porosit produktet në mënyrë inteligjente. Në kuptimin që software mëson se cilat janë shijet tuaja. Birrë e kuqe? Pije energjike? Pije pa sheqer? Ai përdor sistemin e prezantuar nga Amazon dhe Netflix për të parashikuar shijet tuaja, duke sugjeruar produkte të reja.
Makina fluturuese, gati për Lojërat Olimpike të Tokio 2020?
Entuziazmi që shfaqin të rinjtë inxhinierë nën drejtimin e CEO-s, Tomohiro Fukuzawa, është çarmatosës. Ata kanë krijuar prototipin e një makine fluturuese, të cilin do të donin ta shfaqnin në Lojërat Olimpike Tokio 2020 dhe koha është vërtet e ngutshme. Ne pyesim se për sa para kanë nevojë… “Rreth 1 milion e gjysmë dollarë” – thonë ata, për një produkt që do të kushtojë 300 mijë dollarë në treg. Sponsorë të kësaj makine janë marka me peshë, Panasonic apo Toyota, që besojnë në këtë projekt. Ekzemplarët e parë nuk do të jenë me guidë autonome, por do të kenë nevojë për një pilot dhe një pasagjer.
Smartphonet 5G
Siç është shkruar në javët e mëparshme, LG zgjodhi IFA 2019 për të prezantuar smartphone e saj të parë me tre ekrane. G8x ThinQ ka dy ekrane kryesorë dhe një të tretë të pasmë. Nuk është ende gati të dalë në treg, por mendohet se nuk do të duhet shumë kohë. Samsung, nga ana tjetër, prezantoi Galaxy A50, smartphone 5G “për të gjithë”, i cili ndërthur teknologjinë e fundit me një çmim të leverdishëm. Sony prezantoi Xperia 5, pasardhësi i Xperia 1 (kapërcimi në numra është i dukshëm).
Kufje me përkthyes
Ndër pajisjet më të dobishme dhe interesante që u panë në Panairin e Berlinit janë kufjet smart Timekettle. Bëhet fjalë për kufje-përkthyes, që përkthejnë në kohë reale të folurin në shumë gjuhë të huaja. Ky është një aksesor që mund të bëjë diferencën kur ju udhëtoni, si për turizëm, edhe për punë.
Televizorët inteligjentë
Prania e televizorëve smart në IFA 2019 përmblidhet në dy shkronja: 8K. Për shembull, LG prezantoi zyrtarisht gamën “Signature”, me ekran OLED 8K. Nga ana tjetër, Samsung shfaqi televizorin e ri të serisë “The Frame”, një televizor gjigant QLED 8K, me ekran 98 inç.
Pajisje të çuditshme në IFA 2019
Gjatë panairit të elektronikës që u zhvillua në Berlin (6 – 11 shtator) nuk munguan as pajisjet vërtet të çuditshme. Ndër to spikasin Barisieur Coffee Alarm Clock, një pajisje që shërben njëkohësisht si alarm zgjimi në mëngjes, orë dixhitale dhe makinetë që bën kafe; jastëku me bisht, diçka tipike japoneze, i quajtur Qoobo Tail Cushion, i cili kur e përkëdhelni, tund bishtin; Babeye, një videokamerë për fëmijë të sapolindur, e cila mund të vendoset te veshja e fëmijës për të bërë video në kohë reale të jetës së përditshme; televizori transparent nga Panasonic, një prototip TV OLED, i cili i mbyllur shndërrohet në një element arredimi, kurse i ndezur është një ekran modern etj.