IFC emëroi Nicolas Marquier në pozicionin e Menaxherit Rajonal për Ballkanin Perëndimor.
Marquier do të jetë përgjegjës për përpjekjet rajonale të IFC-së për zhvillimin e sektorit privat dhe tërheqjen e investimeve të reja private në fusha kyçe, duke përfshirë ndërlidhjen dhe aftësinë ripërtëritëse klimatike, në kuadër të sfidave madhore ekonomike me të cilat përballet rajoni.
Në kuadër të pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe kushteve të vështira financiare në mbarë botën, ekonomitë e rajonit vijojnë të vuajnë, veçanërisht sa i përket çmimeve të larta të ushqimit dhe energjisë. Me gjithë pengesat, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mundësi të ruajnë një trajektore rritje me nivele të ulta karboni, ndërkohë që kriza e vazhduar e energjisë thekson nevojën për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër me qëllim arritjen e rimëkëmbjes përfshirëse dhe rezistuese.
Në cilësinë e tij si Menaxher Rajonal për Ballkanin Perëndimor, Marquier theksoi nevojën për më shumë investime të sektorit privat, të cilat do t’i mundësojnë vendeve të rajonit të trajtojnë sfidat që lidhen me hapësirat e ngushta fiskale.
“Partneriteti ndërmjet IFC-së dhe Ballkanit Perëndimor ka nisur më shumë se 30 vite më parë. Përmes këndvështrimit tonë unik si institucion financiar për zhvillimin udhëheqës në botë dhe si institucion i përqendruar në sektorin privat, jemi në pozicionin e përshtatshëm për të mbështetur rajonin dhe për ta ndihmuar atë të arrijë synimet e veta zhvillimore, ndërkohë që lehtësojmë edhe procesin e integrimit evropian në vendet e Ballkanit Perëndimor,” tha Marquier.
Përpara se të merrte këtë detyrë, Marquier ka qenë Menaxher i zyrës së IFC-së në Singapor, Malajzi dhe Brunei. Në këtë pozicion ai përforcoi kapacitetet e zyrës rajonale qendrore të IFC-së për Azinë dhe Paqësorin dhe përshpejtoi investimet jashtë vendit nga sponsorizuesit me seli në Singapor. Më parë, Marquier ka qenë këshilltar i dy Drejtorëve Menaxhues, të njëpasnjëshëm në IFC-së.
“Strategjia jonë në Ballkanin Perëndimor është të mbështesim tranzicionin e gjelbër dhe digjital, duke ndihmuar në rritjen e aftësive ripërtëritëse ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike dhe duke përmirësuar konkurrueshmërinë,” tha Rana Karadesh, Drejtori Rajonal i IFC-së për Evropën. Ajo shtoi, “Nga këtej e tutje, synimi jonë është të investojmë në të gjithë sektorët në rajon, veçanërisht në energji të rinovueshme, në industrinë bankare, shitjet me pakicë, prodhim, dhe kapital investimi, ndër të tjera.”
Marquier zëvendëson në këtë pozicion Ary Naïm, i cili ishte përgjegjës për vendet e Ballkanit Perëndimore dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), përfshirë Poloninë, Rumaninë, Bullgarinë dhe Kroacinë, në cilësinë e Menaxherit Rajonal që prej gushtit të vitit 2020. Tanimë IFC-ja ka përcaktuar dy nënrajone të veçanta brenda rajonit të saj të Evropës për të ndihmuar më tej mbështetjen dhe stimulimin e zhvillimit të sektorit privat në Evropën Qendrore dhe Juglindore. Në këtë mënyrë, Marquier, i cili do të vendoset në Beograd, Serbi, do të jetë përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, dhe Ary Naïm, i vendosur në Varshavë, Poloni, është përgjegjës për vendet anëtare të BE-së.
Marquier ka kombësi franceze dhe mban diplomë bachelor për ekonomi dhe financë nga Universiteti i Durham në Mbretërinë e Bashkuar, dhe diplomë master në Menaxhim Organizativ nga Universiteti i Sorbone në Paris.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.