Një studim i publikuar nga IFC-ja (anëtare e Grupit të Bankës Botërore) tregon se marrëveshja historike globale për ndryshimet klimatike e miratuar vitin e kaluar në Paris, ka ndihmuar në mundësimin e hapjes së pothuajse 23 trilionë USD investime inteligjente klimatike në tregjet në zhvillim deri në vitin 2030.
Nga momenti kur Marrëveshja e Parisit (marrëveshje e cila është nënshkruar edhe nga Shqipëria) u miratua në dhjetor 2015, një numër total prej 189 vendesh kanë dorëzuar plane kombëtare që kanë si synim rritje të rëndësishme të zgjidhjeve klimatike — duke përfshirë energjinë e rinovueshme, qytetet me shkarkim të ulët karboni, eficencën e energjisë, menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, dhe bujqësinë inteligjente ndaj klimës. Këto plane ofrojnë një udhërrëfyes të qartë për investimet që do të kenë si synim infrastrukturën që i reziston klimës dhe do të kompensojnë për kostot fillestare të larta, përmes përfitimeve në eficencë dhe kursime në lëndë djegëse.
Studimi i IFC-së, bazuar në angazhimet kombëtare për ndryshimin e klimës dhe politikat në themel të 21 ekonomive të tregjeve në zhvillim, identifikon sektorët në secilin rajon, ku potenciali për investime është më i larti. Kjo përfshin ndërtesat e gjelbra në Azinë Lindore dhe Paqësor — ku Kina, Indonezia, Filipinet dhe Vietnami shfaqin një potencial prej 16 trilionë USD për investime inteligjente nga ana klimatike. Amerika Latine dhe Karaibet ofrojnë mundësinë tjetër më të madhe — veçanërisht në transportin e qëndrueshëm, ku potenciali për investim në Argjentinë, Brazil, Kolumbi dhe Meksikë është rreth 2.6 trilionë USD. Mundësitë në Azinë e Jugut janë kryesisht në infrastrukturë rezistente ndaj klimës, ku 2.5 trilionë USD mundësi ekzistojnë në Indi dhe Bangladesh.
“Nuk ka pasur një moment më të mirë se momenti i tanishëm për investime inteligjente nga ana klimatike”, tha Philippe Le Houérou, Zëvendëspresident Ekzekutiv dhe Drejtor i Përgjithshëm i IFC. “Kjo pasqyron uljen e jashtëzakonshme në çmimin e teknologjive të pastra dhe ngritjen e politikave inteligjente të cilat po i nxisin bizneset të investojnë. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të vendosen synime ambicioze — të cilat janë arsyeja se përse IFC-ja është angazhuar të rrisë investimet tona në klimë në 28 për qind të angazhimeve vjetore deri në 2020 dhe të mobilizojë një shumë tjetër prej 13 miliardë USD përmes investitorëve të tjerë.
Afrika Sub-Sahariane përfaqëson një mundësi prej 783 milionë USD — veçanërisht për energjinë e pastër në Bregun e Fildishtë, Kenia, Nigeri dhe Afrikën e Jugut. Në Europën Lindore, tregjet më të mëdha — Rusia, Serbia, Turqia dhe Ukraina — paraqesin një potencial të kombinuar për investim prej 665 miliardë USD, kryesisht në eficencën e energjisë dhe ndërtesa të reja të gjelbra. Në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, potenciali total i investimeve klimatike për Egjiptin, Jordaninë dhe Marokun përllogaritet në 265 miliardë USD, më shumë se një e treta e së cilës është për prodhimin e energjisë së rinovueshme. Ndërsa 55 për qind (146 miliardë USD) është për ndërtesa, transport dhe zgjidhje për mbetjet, të cilat janë inteligjente nga ana klimatike.
Një gjetje tjetër e raportit është që veprimet qeveritare do të kenë rëndësi kritike për të çliruar plotësisht potencialin e investimeve. Ai rekomandon që qeveritë të integrojnë angazhimet kombëtare klimatike në strategjitë e tyre të zhvillimit dhe proceset buxhetore, të forcojnë klimën e investimeve për industritë inteligjente ndaj klimës, dhe të caktojnë në mënyrë strategjike fondet publike për të mobilizuar kapitalin privat — për shembull, duke ulur riskun dhe duke ofruar mbështetje për projektet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.