“Ikea”, operatori suedez i tregtimit me pakicë të mobilieve ka aplikuar në qeverinë indiane për hapjen e dyqaneve në këtë vend, duke përfituar nga lëvizja e fundit e Nju Delhit për të hapur biznesin e retail-it edhe për sipërmarrësit e huaj.
Aplikimi nga “Ikea” është kulmimi i viteve të negociatave për hapjen e dyqaneve në Indi, ku ndërtimi që është në bum, ka rritur ndjeshëm kërkesën për mobilime shtëpish.
“Ne e dimë që shumë njerëz po presin me padurim për hapjen e dyqanit të parë ‘Ikea’ në Indi”, tha Mikael Ohlsson, president dhe shef ekzekutiv. “Sapo aplikimi ynë të miratohet, ne do të zhvillojmë një plan solid për ngritjen e dyqaneve tona për shumë vite me radhë”.
“Ikea” planifikon të investojë 1.5 miliardë euro në hapjen e rreth 25 dyqaneve. Sapo ajo të marrë miratimin nga qeveria, kompania synon të hapë 10 dyqane brenda një dekade. Tregtuesi më i madh i mobilieve për shtëpi tha se dyqani i parë do të hapet 4-5 vjet pas miratimit fillestar. “Ikea” publikoi muajin e kaluar se planifikon të dyfishojë ritmin e hapjes së dyqaneve të saj në botë, në 20-25 dyqane në vit, duke u fokusuar veçanërisht në tregjet në zhvillim si Kina dhe India. Kompania tha se këtë vit mund të investojë deri në 757 milionë dollarë në fazën e parë të planit të saj në Indi dhe se investimi total në dekadën e ardhshme mund të arrijë në 1.9 miliardë dollarë. Megjithatë, bisedimet me politikëbërësit indianë për të arritur në këtë pikë ka qenë një proces i gjatë dhe i lodhshëm për tregtuesin suedez. Megjithëse India ka lejuar ortakëri të huaj në 51% në “retail-ët me markë unike” që nga 2006-a, “Ikea” nuk pranonte krijimin e një bashkëpronësie, por kërkonte pronësi të plotë në njësitë e tregtimit në Indi. Kompania loboi fort që Nju Delhi të rriste limitin e aksioneve të kompanive të huaja në kompanitë me brande unike. Pas negociatave intensive, kompania besonte se ia kishte arritur qëllimit në vitin 2008, kur qeveria pranoi të rriste limitin, por jo duke bërë ndonjë ndryshim të politikës. “Ikea” deklaroi në 2009-n se hiqte dorë nga përpjekjet për të investuar në Indi. Më së fundi, vitin e kaluar, India vendosi të lejonte pronësinë 100% në kompanitë e tregtimit të brandeve unike, por më pas vijoi të vendosë kushte të panumërta, për të cilat “Ikea” tha se do të ishte e pamundur të përmbusheshin. Nju Delhi fillimisht dëshironte që 30% e të gjitha produkteve që shiteshin nga retail-ët e huaj të merreshin nga kompanitë e vogla dhe të mesme në Indi. “Ikea” argumentoi se për shkak të nivelit të saj të ambicies, furnizuesit indianë duhet të rriteshin shumë më tepër se 1 mijë dollarë kapital investimi, nivel ky referencë për kompanitë e vogla.