Ikën dhe e katërta, Bankës së Kreditit i hiqet licenca, Shqipëria mbetet me 12 banka

06/06/2019 9:20 AM 0 komente

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi në mbledhjen e fundit revokimin e licencës së Bankës së Kreditit të Shqipërisë sh.a., për shkak të fillimit të procesit të likuidimit vullnetar nga ana e vetë bankës. Largimi I kësaj banke e çon numrin e tyre në sistemin bankar shqiptar në 12, nga 16 që ishte një vit më pare, pas largimeve të mëparshme të NBG, Veneto bank (të finalizuara) dhe ICB (kjo e fundit ende në proces).

Dy vitet e fundit, sistemi bankar ka qenë mjaft aktiv në drejtim të shitjeve e blerjeve. 2018-a u mbyll me 14 banka, nga 16 që ishin në fillim të vitit, pasi banka greke NBG u ble nga Banka Amerikane e Shqipërisë dhe Intesa Sanpaolo bank përthithi bankën Veneto, në linjë me të njëjtin proces të bankave mëmë në Itali.

Ndërkohë, Union Bank është në proces të finalizimit të blerjes së Bankës Ndërkombëtare Tregtare (ICB), që pritet të përfundojë brenda këtij viti, duke e çuar numrin e bankave në 12.

Transaksione të tjera ishin blerja e Societe Generale nga hungarezët e OTP-së, të cilët kanë hyrë tashmë në tregun shqiptar dhe tashmë banka është shndërruar në OTP bank Albania.

Në proces finalizimi është dhe blerja e Tirana Bank, nga grupi shqiptar Balfin nga grekët e Bankës së Pireut, të cilët hoqën dorë nga rajoni, pas krizës që mbërtheu sistemin bankar grek. Tirana bank do të vijojë të ruajë identitetin e saj (të mbajë të njëjtin emër) dhe pas ndryshimit të pronësisë.

 

Banka e Kreditit me aktivitet minimal

Banka e Kreditit të Shqipërisë ka filluar aktivitetin e saj që vitin 2003, me një grup aksionerësh kuvaitianë ( AlKharafi), të cilët më parë kishin në zotërim edhe hotel Sheraton në Shqipëri, nga i cili hoqën dorë mëse një vit më parë, kur ia shitën grupit shqiptar Kastrati.

Banka e Kreditit të Shqipërisë ka pasur historikisht një aktivitet tepër minimal dhe të papërfillshëm  në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, në fund të 2018-s, banka zotëronte vetëm 0.08% të totalit të aktiveve të sistemit bankar shqiptar. Banka nuk ka dhënë kredi dhe depozitat në të janë sa 0.01% e totalit të depozitave të gjithë sistemit, në fund të 2018-s.

Si rrjedhojë, dalja e saj nga tregu nuk pritet që të ketë asnjë efekt në sistemin bankar, përveç uljes së numrit të tyre.

 

Miratohet rregullorja “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”

Kjo rregullore, e miratuar në të njëjtën mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës të BSH,  përcakton kuadrin për zbatimin e shtesave makroprudenciale të kapitalit, si instrumente për zbatimin e politikës makroprudenciale, në përputhje me përcaktimet në dokumentin e Strategjisë së Politikës Makroprudenciale. Këto shtesa kapitali përfshijnë shtesën konservuese të kapitalit, shtesën kundërciklike të kapitalit, shtesën e kapitalit për bankat me rëndësi sistemike dhe shtesën e kapitalit për rrezikun sistemik strukturor.

Qëllimi i tyre është forcimi i rezistencës së sektorit bankar ndaj rreziqeve sistemike me natyrë ciklike dhe strukturore, si edhe zbutja e prociklikalitetit në veprimtarinë e ndërmjetësimit financiar. Sipas rregullores , bankat duhet t’i përmbushin shtesat makroprudenciale të kapitalit, në mënyrë graduale përgjatë një periudhe 5-vjeçare, që fillon nga marsi 2020. Rregullorja shoqërohet me dy metodologji, që detajojnë mënyrën e aplikimit të tyre.

Rregullorja dhe metodologjitë janë konsultuar me industrinë bankare dhe publikun përgjatë një periudhe 9-mujore.

Miratimi i kësaj rregulloreje dhe  metodologjitë shoqëruese, përfaqësojnë një përafrim të plotë të standardeve evropiane të fushës.

 

Miratohet rregullora “Vlerësimi për qëllimet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme”

Rregullorja përcakton kriteret, kushtet dhe mënyrën e zgjedhjes së vlerësuesit të pavarur nga Banka e Shqipërisë si dhe kërkesat bazë për mënyrën e kryerjes së vlerësimeve për qëllimet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Njëkohësisht kjo rregullore ka për qëllim të përcaktojë metodologjinë e vlerësimit të diferencës në mënyrën e trajtimit, për të vlerësuar nëse aksionarët dhe kreditorët do të ishin në një pozitë më të favorshme në rast se do të kishte filluar procedura e likuidimit të detyruar në vend të procedurës së ndërhyrjes së jashtëzakonshme, si dhe metodologjinë e përshtatshme për përcaktimin e vlerës së detyrimeve që rrjedhin nga produktet derivative.

 

Revokimin e licencës së Bankës së Kreditit të Shqipërisë sh.a.

Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës vendosi revokimin e licencës së Bankës së Kreditit të Shqipërisë sh.a., për shkak të fillimit të procesit të likuidimit vullnetar nga ana e vetë bankës.

 

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi edhe Raportin e Mbikëqyrjes 2018, i cili trajton funksionet e mbikëqyrjes bankare, aktivitetet dhe veprimtaritë kryesore të Bankës së Shqipërisë në këtë fushë, si dhe detajon zhvillimet në kuadrin ligjor dhe rregullativ gjatë vitit 2018. Raporti analizon ecurinë e sistemit bankar dhe të treguesve të veçantë të tij, zhvillimet sasiore e cilësore të këtij sistemi në vend.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of