Kompanitë e lojërave të fatit ishin historikisht ndër më fitimprurëset në vend, edhe për normë, edhe në vlerë. Por, pas një vendimi politik, nga 1 janari i vitit 2019, ligji për lojërat e fatit mbylli pak vite më parë aktivitetin për bastet sportive dhe kazinotë elektronike, duke lejuar vetëm aktivitetin e kazinosë në qendër të Tiranës, bingot tradicionale dhe Lotarinë Kombëtare (një koncesion 10-vjeçar). Në 2019-n, “Regency International Casino Tirana” u rendit sipas të dhënave nga Tatimet (kompania nuk ka dorëzuar ende bilanc), në vendin e 13, pasi fitimet u pesëfishuan në 1.3 miliardë lekë.
Kompania ka shënuar ndryshime në strukturën e aksioneve në fillim të vitit 2020. Janë shtuar ortakët GAMING INVEST (51% të aksioneve) dhe “TAIVAN PARK CENTER-TPC” (26%) dhe janë larguar ortakët “Status Development”, “Gaming Investments Overseas Holding-Hotels & Tourism” dhe “Nova Triumph”. 22% e aksioneve vazhdojnë të zotërohen nga “T A I W A N”.
Aktiviteti i kazinove pritet të vijë në zgjerim. Në shtator 2020, qeveria miratoi dy vendime ku, së pari, përcaktohen koordinatat se ku lejohet aktiviteti kazino brenda qytetit dhe që saktësisht përfshin zemrën e tij nga Rruga e Barrikadave tek rruga “Urani Pano”; rruga “Dedë Gjon Luli”; rruga “Ibrahim Rrugova”; Bulevardi “Zhan D’Ark”, rruga “Xhorxh W. Bush”.
Konkretisht, kjo zonë përfshin pjesën nga 15-katëshi tek Unaza, Parku Rinia, tek “Xhorxh Bush” që është në Unazë në rrugën ku ndodhet edhe selia e Partisë Demokratike. Vendimi i dytë përcakton kriteret për garën për dhënien e një licence.
Sipas ligjit “Për lojërat e fatit” licenca e një kazinoje kushton 1 miliard lekë për vetëm një sallë lojë dhe kjo shumë duhet të shlyhet në mënyrë të barabartë çdo vit, gjatë gjithë periudhës së licencës (10 vjet çka do të thotë 100 milionë lekë çdo vit). Subjektet duhet që të kenë një kapital 1.2 miliardë lekë, ndërkohë që vendimi i qeverisë përcakton sesi do të veprohet me shpalljen e garës.
“Lotaria Kombëtare” vijon të jetë një aktivitet jofitimprurës, që kur filloi aktivitetin në 2012, për shkak të shpenzimeve të larta për çmimet financiare, marketingut e të aktivitetit. Ndonëse të ardhurat në 2019-n u dyfishuan në 653 milionë lekë, humbjet u rritën me 15%, në 354 milionë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.