Intervistë me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj,
Një nga pikat e forta, por edhe të diskutuara të programit të mazhorancës së majtë, mbetet ajo e sigurimit falas të shërbimeve shëndetësore për mbarë popullsinë. Sfidë kjo aspak e lehtë dhe që duket se ka nisur me disa reforma, ku kryesoret janë: programi i kontrollit bazë për grupmoshën 40–60 vjeç, ngritja e shërbimit kombëtar të urgjencës, mirëfunksionimi i tregut farmaceutik, përfshirë rritjen e standardeve të farmakovigjilencës, krijimi i sistemit të informacionit shëndetësor me dosjen elektronike të qytetarit në qendër dhe padyshim përmirësimi rrënjësor i shërbimit spitalor, duke përfshirë furnizimin normal dhe ritmik me barna dhe materiale mjekësore, etj. Në një intervistë për “Monitor”, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, tregon çfarë është bërë deri tani, si do të arrihet të realizohet skema e ofrimit falas të shërbimit universal shëndetësor, si do të reduktohet një nga fenomenet më negative që ka sot shëndetësia, ai i dhënies së parave nën dorë për të marrë shërbimet e që mendohet se zë rreth 60% të totalit të pagesave.
Qeveria e majtë ka vetëm pak muaj që ka nisur punë, ndoshta është herët, po a mund të bëjmë një bilanc të punës suaj të deritanishme në krye të Ministrisë së Shëndetësisë?
Besoj së një bilanc i plotë i punëve të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë do të bëhet në përmbushjen e 100 ditëve të para të mandatit, megjithatë duke qenë se 75 ditë kanë kaluar, mund të bëjmë një përmbledhje të punëve të kryera, pa pretenduar se lista në vijim do të jetë shteruese.
Janë hartuar dhe përcjellë për miratim ndryshimet e nevojshme në ligjin për sigurimet shëndetësore që eliminojnë regresivitetin në pagesën e kontributeve të detyrueshme të punëdhënësve dhe punëmarrësve, që anulojnë ngarkesën kontributive për të vetëpunësuarit, që krijojnë bazën ligjore për fillimin vitin e ardhshëm të kontrollit bazë vjetor, falas për popullsinë në grupmoshën 40–60 vjeç, si dhe për harmonizimin e drejtimit të fondit të sigurimit të kujdesit shëndetësor me parimet e përgjithshme të organizimit të trupave kolektive të drejtimit të institucioneve publike.
Janë hartuar dhe përcjellë për miratim ndryshimet e nevojshme në ligjin e prokurimit publik, që krijojnë mundësinë që për prokurimin e barnave, materialeve mjekësore dhe shërbimeve të ndryshme të mirëmbajtjes të mund të zbatohen rregulla të reja.
Janë hartuar dhe përcjellë për miratim ndryshimet e nevojshme në ligjin e barnave, që përmirësojnë mënyrën ekzistuese të regjistrimit, negociimit, importimit dhe shpërndarjes së barnave dhe materialeve mjekësore, duke përfshirë edhe materiale dentare dhe pajisje të ndryshme mjekësore.
Janë hartuar dhe përcjellë për miratim ndryshimet e nevojshme në ligjin e arsimit të lartë, që përmirësojnë bashkërendimin e aktiviteteve akademike dhe mjekësore në spitalet universitare.
Krahas përgatitjes së projektligjeve të mësipërme, ne po punojmë edhe për hartimin e projektakteve nënligjore për të bërë efektiv zbatimin e ndryshimeve ligjore të propozuara.
Brenda mundësive shumë të kufizuara financiare dhe në shtrëngesë rregullash të prokurimit kemi mundësuar përmirësimin e furnizimit me barna citostatikë dhe barna të tjerë për QSUT, me një vlerë rreth 900 mijë USD, si dhe të furnizimit me barna të Spitalit Universitar të Traumës, me një vlerë rreth 150 mijë USD.
Po ashtu, kemi realizuar edhe furnizimin e laboratorit të QSUT me materialet mjekësore për analizat e markuesve të sëmundjeve tumorale të nevojshme për ekzaminimet e një periudhe 12-mujore.
Kemi mundur që të rivëmë në punë në dispozicion të ekzaminimeve të pacientëve pajisjet biomjekësore, qoftë në QSUT (disa skanerë dhe rezonancën manjetike), qoftë në Spitalin Universitar të Traumës (skaner), qoftë në Spitalin Rajonal të Durrësit (skaner dhe rezonancë manjetike), qoftë në Spitalin Rajonal të Korçës (skaner). Ndoshta këtë pjesë të punës nuk do ta paraqisja si arritje, po të mos kisha konstatuar se lajmi për daljen jashtë pune të këtyre pajisjeve nuk do të zinte kohën dhe hapësirën e çdo mediumi.
Që nga data 1 tetor kemi bërë zero tarifat e ekzaminimeve për sëmundjet tumorale, pa dallim nëse personat janë të siguruar apo jo.
Kemi filluar dhe një proces të çlirimit të hapësirave të qendrave spitalore nga aktivitete tregtare joshëndetësore. Ia kemi dalë ta realizojmë në QSUT dhe do të vazhdojmë edhe në spitalet e tjera të vendit.
Bazuar edhe në programin e qeverisë, z. ministër, cilat janë disa nga objektivat që ju synoni të realizoni?
Programi i qeverisë është publik. Objektivi kryesor është mbulimi universal me kujdes shëndetësor i financuar nga taksimi i përgjithshëm. Për të arritur aty, na duhet të realizojmë fillimisht disa reforma, ku kryesoret janë programi i kontrollit bazë për grupmoshën 40–60 vjeç, ngritja e shërbimit kombëtar të urgjencës, mirëfunksionimi i tregut farmaceutik përfshirë rritjen e standardeve të farmakovigjilencës, krijimi i sistemit të informacionit shëndetësor me dosjen elektronike të qytetarit në qendër dhe padyshim një përmirësim rrënjësor i shërbimit spitalor, përfshirë furnizimin normal dhe ritmik me barna dhe materiale mjekësore, funksionimin normal të pajisjeve biomjekësore ekzaminuese dhe kuruese, përmirësimin infrastrukturës spitalore, zbatimin e protokolleve të mjekimit, kostimin e paketave të shërbimeve spitalore. Këto janë edhe drejtimet kryesore të punës sonë, që në këto ditë të fillimit, për të cilat kemi hartuar edhe planet e detajuara të ndjekjes në vijimësi.
Me gjithë sa më sipër, synojmë të zgjasim jetën e shqiptarëve dhe të shtojmë vitet e jetës së shëndetshme.
Pak kohë më parë, Kryeministri Rama prezantoi edhe nismën për të “rikthyer” të rinjtë që studiojnë jashtë që të kontribuojnë për zhvillimin e vendit, përfshi këtu edhe sektorin e shëndetësisë, çfarë mund të na thoni më shumë?
Ne kemi ftuar profesionistët e shëndetësisë përfshirë mjekë, ekonomistë të shëndetësisë, menaxherë të institucioneve shëndetësore, specialistë të sistemeve të informacionit shëndetësor që të na ndihmojnë në realizimin e reformave të domosdoshme dhe të nevojshme për një kujdes shëndetësor që shqiptarët meritojnë.
Unë jam shumë i lumtur për gatishmërinë njerëzore, profesionale dhe atdhetare që demonstruan qoftë ata që erdhën, qoftë ata që nuk arritën të vinin për shkak të impenjimeve të punës.
Pas këtij takimi të parë, kemi rënë dakord që të vijojmë një bashkëpunim më të drejtpërdrejtë e më të frytshëm në përputhje me prioritetet tona. Bashkëpunimi do të realizohet në forma të larmishme, të cilat do të skicohen në javët në vijim.
Le të kthehemi te problematika, sektori i shëndetësisë vuan nga pagesat e larta nën dorë për të marrë shërbimin, çfarë masash do të ndërmerren për të ulur këtë fenomen shumëvjeçar?
Sëmundja e pagesave nën dorë, të larta apo të ulëta, është e hershme, madje e kronicizuar. Në mjekësi, sëmundjet kronike nuk shërohen, vetëm kurohen. Në rastin tonë, duhet të shërohemi me patjetër. Duhet të përmirësojmë infrastrukturën e institucioneve shëndetësore, duhet të furnizojmë ritmikisht dhe mjaftueshëm, në mënyrë që të mos krijojmë konkurrencë për burime të pamjaftueshme. Këtu është gjeneza e nevojës për të paguar nën dorë. Duhet të rrisim transparencën dhe llogaridhënien. Duhet të rrisim cilësinë e procesit të përgatitjes së profesionistëve të rinj të shëndetësisë dhe të mbështesim edukimin e vazhdueshëm. Duhet të nxisim rolin e urdhrave të profesionistëve të shëndetësisë. Duhet të shpërblejmë, sipas meritës, dhe duhet të ndëshkojmë shkelësit e ligjit, rregullave, etikës dhe praktikave të mira. Nuk është e lehtë, sepse ndërthuren dhe aspekte kulturore të pranimit të kësaj të keqeje si e domosdoshme.
Një nga pikat më të debatuara edhe gjatë paraqitjes së programit ka qenë ajo e mbulimit universal të popullatës me kujdes shëndetësor, çfarë nënkupton kjo?
Prej disa vitesh, ne kemi zhvilluar një debat të hapur me publikun për shkallën e ulët të mbulimit me kujdes shëndetësor që realizon sistemi aktual i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Prej 18 vjetësh, numri i personave që sigurohen në mënyrë të drejtpërdrejtë është ende më pak se 500 mijë vetë, ndërkohë që popullsia e shëndetshme në moshë pune në Shqipëri është rreth 1,6 milionë persona. Kjo bën që numri i personave që nuk kanë qasje në kujdesin shëndetësor publik, është shumë i madh dhe këta duhet të paguajnë me para në dorë për kujdesin kur kanë nevojë. Kjo është edhe një nga arsyet që shton pagesat nën dorë apo keqpërdorimin e burimeve të kufizuar financiare, materiale dhe njerëzore. Sigurisht që shkaku kryesor i numrit të vogël të kontribuuesve të drejtpërdrejtë është papunësia e madhe. Në këto kushte, ne kemi propozuar që kujdesi shëndetësor duhet të ofrohet për të gjithë shqiptarët rezidentë sipas nevojës, duke u financuar nga kontributi i gjithë anëtarëve të shoqërisë nëpërmjet taksimit të përgjithshëm.
Shpenzimet publike për kujdesin shëndetësor janë shumë modeste, ndër më të ulëtat në Europë. Megjithatë, në kushtet e shpërdorimeve aktuale do të ishte e padrejtë të kërkohej më shumë financim për shëndetësinë, nëse nuk ia dalim t’u tregojmë shqiptarëve se me të njëjtin nivel shpenzimi është e mundur të arrihen përmirësime të ndjeshme.
A parashikohet që nga ky model të përfitojnë edhe ata që janë të papunë, dhe si?
Do të përfitojnë të gjithë qytetarët rezidentë në Shqipëri, pa dallim nëse janë të punësuar apo jo. Qytetarët shqiptarë që janë rezidentë në vend do të mund të marrin kujdes shëndetësor përmes sistemit të referimit në institucionet publike, si dhe në ato institucione jopublike me të cilët ne do të kontraktojmë.
Ju parashikoni edhe ngritjen e Shërbimit Kombëtar Shëndetësor, çfarë funksionesh do të ketë?
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar do të jetë paguesi i vetëm i kujdesit shëndetësor për shqiptarët që do të përfitojnë kujdes sipas nevojës. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar do të kontraktojë me ofrues të shërbimit publik apo jopublik, në bazë të paketave të kujdesit që do të miratohen dhe kontraktohen.
Po për sa i përket njohjes së kontributeve shëndetësore në spitalet private, a ka një plan për këtë? Nga monitorimet, a mund të na thoni sa të ardhura gjeneron ky sistem dhe sa për qind të shërbimeve mbulon kundrejt spitaleve shtetërore?
Në Shqipëri, ashtu si edhe në sektorë të tjerë, informacioni është shumë i mangët. Në shëndetësi, mungesa ndihet edhe më shumë. Llogaritë Kombëtare të Shëndetësisë nuk mbahen dhe për pasojë vlerësimet janë të përafërta. Sipas këtyre vlerësimeve, më shumë se gjysma e shpenzimeve të shqiptarëve për shëndetësinë bëhen nga pagesat e drejtpërdrejta të buxheteve familjare. Duke kthyer te thelbi i pyetjes suaj, duhet të shpjegoj se në të ardhmen kontributet e detyrueshme shëndetësore nuk do të ekzistojnë. Megjithatë ne e konsiderojmë sistemin jopublik të institucioneve shëndetësore si plotësues të kujdesit që ofrohet nga institucionet publike. Për pasojë, Shërbimi Shëndetësor Kombëtar si pagues i vetëm do të blejë kujdes shëndetësor edhe tek institucionet jopublike.
Ju keni premtuar edhe disa lehtësi fiskale për këtë sistem, cilat janë ato, afatet e zbatimit dhe kostot që do reflektohen në buxhet?
Ne jemi angazhuar që do të heqim Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për barnat dhe materialet mjekësore. Ministria e Financave e ka përfshirë këtë angazhim në paketën e re fiskale për vitin 2014. Për të mos krijuar vështirësi në tregun farmaceutik, duam që fillimi i zbatimit të heqjes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të përkojë me listën e re të barnave të rimbursueshme për vitin 2014. Nëse këtë gjë nuk e arrijmë dot që më 1 janar, është krejt e realizueshme ta arrijmë brenda 4-mujorit të parë të vitit. Reflektimin në projektbuxhetin e 2014-s po e realizojnë specialistët e Ministrisë së Financave. Duhet pasur parasysh se, nëse ulen të ardhurat në buxhetin e shtetit, do të ulen edhe shpenzimet për atë pjesë të barnave dhe materialeve shëndetësore që shpenzohen nga institucionet publike të shëndetësisë. Kështu që efektet negative në buxhet nuk janë shumë të ndjeshme.
Intervistoi: E. Bedalli
Synimi
Shpenzimet publike për kujdesin shëndetësor janë shumë modeste, ndër më të ulëtat në Europë. Megjithatë, në kushtet e shpërdorimeve aktuale do të ishte e padrejtë të kërkohej më shumë financim për shëndetësinë, nëse nuk ia dalim t’u tregojmë shqiptarëve se me të njëjtin nivel shpenzimi është e mundur të arrihen përmirësime të ndjeshme.
Skema
Në të ardhmen, kontributet e detyrueshme shëndetësore nuk do të ekzistojnë. Megjithatë, ne e konsiderojmë sistemin jopublik të institucioneve shëndetësore si plotësues të kujdesit që ofrohet nga institucionet publike. Për pasojë, Shërbimi Shëndetësor Kombëtar, si pagues i vetëm, do të blejë kujdes shëndetësor edhe tek institucionet jopublike.
Buxhetet
Për këtë vit, buxheti i shëndetësisë u llogarit në rreth 28.7 miliardë lekë. Kjo shifër ishte disi më e ulët se e një viti më parë dhe si rrjedhim, nuk arrin të plotësojë të gjitha nevojat, të gjitha kërkesat që ka vendi ynë, sidomos në sigurimin e medikamenteve në spitalet e mëdha. Nga ky fond, 13 miliardë i shkuan sistemit spitalor, 9 miliardë lekë sistemit shëndetësor parësor dhe pjesa tjetër për investime dhe vaksinimin e fëmijëve. Në vitin 2012, ky buxhet u llogarit në rreth 29 miliardë e 114 milionë lekë, ndërsa në 2011-n, në rreth 29 miliardë e 617 milionë lekë. Vihet re se në vitet e fundit, shpenzimet për shëndetësinë kanë ndjekur një tendencë në rënie.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.