Piktori Ilir Pojani bën pjesë në grupin e studentëve të shkëlqyer të përgatitur në AAB, Tiranë në vitet 70-të. Ai lindi në Tiranë, ku kryen me rezultate të shkëlqyera Liceun Artistik Jordan Misja, e më tej diplomohet në degën e grafikës në AAB (1977). Që student bashkëpunon me revistën satirike të kohës Hosteni dhe mbron diplomën me një cikël karikaturash. Emërohet piktor në këtë revistë, duke kontribuar në rinovimin konceptual dhe artistik të saj. Është një ndër piktorët shqiptarë më të suksesshëm në gjininë e satirës në vitet 1978“1989, duke qenë përherë i pranishëm në kopertinën e parë të saj. Në këto vite merr pjesë në konkurse ndërkombëtare të karikaturës (Turqi, Kanada, Bullgari) dhe vlerësohet me çmime të rëndësishme (çmimin e 3-të në Sallonin Ndërkombëtar të Karikaturës, Montreal, Kanada, Çmim nderi në Festivalin e I-rë Ballkanik të Karikaturës, Athinë, Greqi). Pojani ilustronte për revista të ndryshme, libra, krijonte logo grafike dhe njëkohësisht ishte i pranishëm në Ekspozitat e Konkurset Kombëtare me veprat e tij të artit në gjininë e satirës, duke tërhequr në vazhdimësi vëmendjen e kritikës dhe të publikut. Që në vitet e liceut ishte një nga vizatuesit e veçantë, duke treguar gjithmonë vëmendje në hollësitë dhe krijimin e një vepre të bukur në përgjithësi. Në fundin e viteve 90-të fillon të ekspozojë veprat në pikturë, fillimisht si anëtar i Shoqatës së Piktorëve të Pavarur (1992) e më tej me disa ekspozita radhazi, në grup ose vetjake.Në veprat e para në pikturë, kryesisht në gjininë e kavaletit (vaj mbi kanavacë), piktori Ilir Pojani shprehet në formë të veçantë e tejet interesante. Ai preferon të realizojë një pikturë me prirje dekorative, por pa iu larguar imazhit figurativ. Imazhi i Pojanit ngarkohet nga piktori me mesazhe shumëplanëshe dhe vepra e tij shpesh është e koduar. Kur duhet të qëndrosh para veprës së Pojanit, ndjen sigurisht që prej saj rrezatohet qetësi dhe paqe, më së shumti ngjyrat janë pa kontraste dhe në një harmoni të heshtur, por që të tërheqin. Veprat e tij janë të realizuara me një teknikë të përsosur dhe ruajnë freski. Ai nuk krijon cikle piktorike të veçantë. Ciklet e tij, apo më saktë veprat e Pojanit, i kushtohen njeriut dhe pushtetit, duke preferuar tablo me pak figura, të cilat interpretohen dhe stilizohen, e shpesh kthehen edhe në simbole apo dhe shpalosin heshturazi vizione, mundësi, analiza vetjake të artistit mbi historinë apo fenomene të caktura. Pra, kemi të shpalosura figurativisht qëndrimet dhe idetë filozofike të artistit Ilir Pojani. Delikatesa e penelatës së veprave të Pojanit është e pranishme në çdo vepër, por ka dhe vepra që shpalosin një nerv artistik dhe koloristik të papritur ngacmues e që na krijojnë tablo me ngjyra të plota e të fuqishme.Veprat që revista Monitor i ofron lexuesit të saj janë pjesë e koleksionit privat të avokatit Përparim Kalo dhe janë krijime të viteve 1993-2003. Çmimi i veprave të piktorit Ilir Pojani luhatet nga 2000-8000 euro.
Ylli Drishti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.