Skulptura shqiptare, në tri dekadat e fundit, ka pësuar një sërë ndryshimesh në kalimin nga periudha e krijimtarisë së Realizmit Socialist në atë të pas viteve ‘90.
Ky ndryshim u shoqërua dhe me një lëvizje tektonike të vetë mentalitetit artistik dhe koncepteve, të cilat bënë që zhvillimet e kohës, si dhe rënia e kanoneve, të riformatonte hierarkinë artistike me daljen në skenë të një brezi të “ndryshëm” artistësh, të cilët e shihnin formën dhe mjetin si një mënyrë për të qenë më komunikues dhe intim me publikun. Dhe kur flasim për këtë gjeneratë artistësh, të cilët kanë eksploruar tredimensionalin dhe dymensionalin me efikasitet, ndjeshmëri, elegancë dhe intimitet në komunikim, nuk mund të mos fokusohemi tek Ilirian Shima.
Ilirian Shima, lindur në Tiranë në vitin 1964, përfundoi studimet e larta për skulpturë në vitin 1989. Pikërisht në këtë vit ai dallon me basorelievin e diplomimit “Shtegtimi”, krijuar në materialin shamot i pjekur në furrë me glazurë. Kjo vepër, edhe sot, është e instaluar në hollin e Fakultetit të Artit Skenik në Universitetin e Arteve, duke e bërë një nga veprat e pakta të diplomimeve që i ka rezistuar kohës.
Vepra është një thirrje e brendshme e artistit për të dalë jashtë kornizës asfiksuese të kohës, si dhe një kërkesë e brendshme për liri. Kompozicionalisht, ai formoi dhe një koncept i cili do ta shoqëronte më vonë në krijimet e basorelieveve të mëpasshme. Në vitin 1991, ai u largua për në Greqi, ku në pak kohë arriti që falë talentit të krijojë një reputacion mes skulptorëve dhe të jetë i pranishëm në shumë ekspozita dhe galeri. Ka realizuar ekspozita vetjake në galeri të rëndësishme, si “Olga Georgantea Gallery”, “Space Art: Tenny”, “Gallery Aenaon”, “Gallery Titanium’, “Gallery Vourkariani”, “Art Zone”, etj. Në vitin 2014, ai organizon ekspozitën e parë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve, të titulluar “FARAJON”.
Ilirian Shima, nëpërmjet një krijimi inteligjent, stilistikisht elegant dhe ndërtimit të një koncepti të ri, ku spikati ndjeshmëria e formës, mendimit dhe racionalitetit, u përzgjodh si artisti që krijoi bustin e Homerit për vendlindjen e tij, në ishullin e Iosit në Greqi. Kjo konsiderohet si një arritje tejet ambicioze për çdo krijues, konkurs i cili mblodhi shumë skulptorë të huaj dhe vendas.
Ilirian Shima njihet si një njohës shumë i mirë i ndërtimit të formës në mermer, nëpërmjet së cilës ai arrin të luajë dhe të krijojë emocione tejet të forta, ku predominon intimiteti, në të cilën ai mundohet të futet në skutat më të panjohura të dëshirave njerëzore.
Objektet që zgjedh për të hulumtuar në realitetin e përditshëm duken të zakonshme, por Iliriani, me një këndvështrim unikal, zbulon në to histori dhe metafora.
Në sajë të formave tejet të thjeshta dhe elegante krijon narrativë intriguese dhe e fton shikuesin të krijojë interpretimin e tij, duke u kthyer në një bashkëbisedim të heshtur, i cili nuk duhet ndërprerë.
Kjo gjë arrihet dhe falë njohjes shumë të mirë të formës dhe hapësirës, ku ai nuk e ekzagjeron atë dhe me elegancën që e trajton e kthen Ilirian Shimën në një dashnor të vërtetë të formës. Metafora e tij është shumë njerëzore, ku i thur himn jetës, dashurisë, bollëkut, duke na ofruar një univers Dionisian.
Një ndër veprat publike më të njohura është “Shqiponja”, porositur për sheshin qendror të Lushnjës, të cilën e ka realizuar në materialin e bronzit.
Mund të themi se ajo është vepra e parë me karakter figurativ e stilizuar në vendin tonë, ku ai shfrytëzon reflektimin e materialit në evidentimin e formave dhe ndërtimin e një marrëdhënie interaktive me shikuesin.
Iliriani krijon dhe në mediumin e pikturës, ku falë njohjes shumë të mirë të vizatimit, si dhe të koncepteve fauviste koloristike, të trashëguara nga glazurimi i qeramikave, krijon kompozime tejet emocionuese dhe të mirëmenduara.
Si njohës shumë i mirë i materialit dhe i arteve të aplikuara, artisti është një ndër më të preferuarit në vendin fqinj për porosi të veçanta të personalizuara, ku njihet për stilizimet në mermer, dru dhe hekur. Ilirian Shima është fitues i një sërë çmimesh ndërkombëtare në skulpturë.
Iliriani është një figurë ekscentrike, i cili eksperimenton vazhdimisht, duke e bërë që të jetë në kërkim të rrugëtimeve të reja, ashtu siç dhe vepra që ai krijoi 33 vite më parë, “Fluturimi”, paralajmëroi se ky artist do dilte përtej kornizave në hulumtim të hapësirave të reja.
“Monitor” ofron disa nga krijimet e Ilirian Shimës, mes tyre dhe bucetin e veprës “Homer”, i instaluar në varrin e Homerit në ishullin e Iosit. Vlen për t’u përmendur se është boceti origjinal fitues.
Përgatiti: Genci Përmeti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.