ILO: Në Shqipëri gati 57% e të punësuarve në të zezë, kryeson bujqësia, tregtia dhe ndërtimi

07/01/2021 11:01 PM 0 komente

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) referoi se punësimi informal në Shqipëri është 56.7% e totalit të të punësuarve që raportohen nga të dhënat e Anketës së Forcës së Punës, e realizuar nga INSTAT në vitin 2019.

Duke përjashtuar bujqësinë, informaliteti në tregun e punës përllogaritet 32.2%.

Të dhënat nga grafiku bashkëngjitur tregojnë se nga ata që punojnë, vetëm 43.3% paguajnë sigurime dhe pjesa tjetër është në të zezë, shumica i takon sektorit të bujqësisë.

Nga totali i punonjësve informatë, 63,9% i përkasin sektorit të bujqësisë, 12.6% sektorit të tregtisë, 7,6% ndërtimit, 4,2% restoranteve dhe hoteleve. Më tej, në sektorin e industrisë, punojnë 3.2% punonjësve informalë, në transport 3%, në sektorin e shërbimeve, 1.9%.

Aktivitet profesionale, ato të administratës publike, artit dhe argëtimit janë më pak të ekspozuara ndaj punësimit informal.

Të dhënat më të detajuara tregojnë se meshkujt janë më të prirur për të punuar në të zezë. 59% e totalit të meshkujve që punojnë ishin në të zezë, kundrejt 54% të femrave. Duke përjashtuar sektorin bujqësor, 40% e meshkujve të punësuar janë në të zezë, kundrejt 32.2% e femrave.

Nga totali i personave që punojnë në të zezë, 73% e tyre punojnë në aktivitete që nuk janë të formalizuar në tatime dhe 26% të tjerë punojnë në aktivitete shtëpiake si të vetëpunësuar. Vetëm 0.6% e të punësuarve pa sigurimeve punojnë në aktivitete të regjistruara në tatime.

Deri në vitin 2019, Shqipëria kishte nivelin më të lartë të punësimit në Ballkanin Perëndimor me 53.8% të forcës së aftë për punës, por Banka Botërore ka analizuar se, rritja e punësimit mund të ketë reflektuar pjesërisht formalizmin në rritje të tregut të punës. Pas vitit 2015, qeveria ka ushtruar aksione kundër informalitetit, duke bërë që një pjesë e shtuar e punësimit të jetë vetëm formalizim.

Por anketa e forcës së punës e analizuar nga ILO tregon se punësimi informal vijon të jetë një fenomen shqetësues për Shqipërinë, i cili mund të përkeqësohet më tej nga kriza e pandemisë.

Në fund të vitit 2019, INSTAT raportoi si të punësuar 1,2 milionë persona, prej të cilëve u raportuan se paguajnë sigurime nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vetëm 782 mijë persona./B.Hoxha

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of