Industria e fabrikimit është joshëse. “Nga fabrikimi mund të presësh që të shërohen dy sëmundjet më të mëdha të njerëzimit, besëtytnitë dhe skllavëria”, shkroi Ferdinando Galiani, mendimtar iluminist.
Më shumë se 250 vite më vonë, qeveritë pajtohen me pikëpamjen e tij për fabrikat, si një kurë për sëmundjet e kohës, duke përfshirë ndryshimin klimatik, humbjen e vendeve të punës në klasën e mesme, mosmarrëveshjet gjeopolitike dhe rritjen e dobët ekonomike duke e mbështetur këtë pikëpamje me një entuziazëm që nuk është vënë re prej disa dekadash, shkruan The Economist.
Asnjë vend nuk shpenzon më shumë se Amerika. “Ku është shkruar se ne nuk mund të bëhemi sërish kryeqyteti prodhues i botës?” tha Joe Biden, presidenti i vendit. Në kërkim të një përgjigjeje, ai ka angazhuar për këtë nismë rreth 1 trilion dollarë, ose gati 5% të PBB-së amerikane.
Si përgjigje, BE-ja ka ndryshuar rregullat e ndihmës shtetërore, në mënyrë që qeveritë kombëtare të mund të shpenzojnë lirisht në këtë fushë.
Këto nisma kanë ndjekur shembullin e fuqive aziatike në rritje. Strategjia e Kinës “Made in China” synon ta kthejë vendin nga një aktor i madh prodhues, në një aktor mbizotërues. Strategjia indiane “Make in India” shpreson të rrisë pjesën industriale të ekonomisë në 25% të vlerës së shtuar, deri në vitin 2025.
Tregjet në zhvillim me burime të shumta natyrore, duke përfshirë Indonezinë dhe Zimbabven, kanë ndaluar eksportin e lëndëve të para, si pjesë e përpjekjeve për të mbrojtur industritë në atdhe.
Në Perëndim, synohet që të luftohet rënia industriale, e cila ndihet fort nga votuesit. Si pjesë e prodhimit ekonomik global, prodhimi ka rënë nga 19% në vitin 1997, në 16% sot, ku rënia më e madhe është vënë re në vendet e pasura.
Në Kinë dhe në Indi, pjesa e industrisë në prodhimin ekonomik duket se është afërsisht në të njëjtin nivel si tre dekada më parë, por edhe në këto vende, ajo ka rrëshqitur kohët e fundit (shih grafikun 1).
Përkrahësit e sektorit të fabrikimit japin katër argumente që mbështesin përpjekjet për të ndryshuar këtë prirje.
Së pari, politikanët në Perëndim thonë se fabrikat janë një burim profesionesh të sigurta, që prodhojnë një klasë të mesme më të madhe dhe më të kënaqur.
Së dyti, përkrahësit e shohin fabrikimin si një nxitës të risisë dhe rritjes ekonomike. Këto nevojiten urgjentisht për të nxitur tranzicionin e gjelbër (që është arsyeja e tretë), i cili do të parapëlqehet nga elektorati nëse do të ofrojë vende pune lokale.
Së fundmi, tensionet midis Amerikës dhe Kinës i kanë shtyrë udhëheqësit botërorë që të rishqyrtojnë se cilat mallra janë strategjikisht të rëndësishme dhe duhet të prodhohen më afër vendit.
Fillojmë duke marrë parasysh llojin e punësimit që ofrohet. Ideja e një “pune të mirë në fabrikim” është e vjetëruar. Gjatë shekullit XX, njerëzit pa arsim universitar mund të gjenin paga të mira, siguri në punë, autonomi personale dhe përparim në karrierë, duke punuar në fabrika.
Në të vërtetë, pak më shumë se një dekadë më parë, punët e fabrikimit në Amerikë ofronin paga 5% më të larta krahasuar me ato të shërbimeve të ngjashme dhe ofronin orë të arsyeshme dhe përfitime bujare.
Por kohët e fundit, gjendja ka ndryshuar: shumë punë të mira në fabrikim, nuk ekzistojnë më (shih grafikun 2).
Në të gjitha vendet e pasura, punësimi që kërkon aftësi teknike të nivelit të mesëm (si operatorët e makinerive) është më pak i kërkuar se më parë. Popullatat e pasura shpenzojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave për shërbime; kërkesa industriale plotësohet gjithnjë e më shumë nga tregjet në zhvillim.
Qoftë në Detroit apo në Dortmund, pasojat janë të dukshme dhe të njohura. Në një pamje të parë, ata që vajtojnë humbjen e vendeve të punës në sektorin e fabrikimit, kanë të drejtë. Por a ia vlen të paguhet për t’i rikthyer ato?
Këtu ka një pengesë. Pavarësisht se sa shpenzojnë qeveritë, nuk është e qartë nëse punë të tilla mund të rikthehen. Si fillim, pagat në prodhim kanë rënë ndjeshëm. Pagat e punëtorëve në sektorin e fabrikimit në Amerikë tani janë 5% më të ulëta se ato në sektorin e shërbimeve.
Për më tepër, fabrikat e teknologjisë së lartë që po përpiqen të tërheqin Amerika dhe Europa, janë shumë të automatizuara, që do të thotë se ato nuk janë më një burim i rëndësishëm punësimi për njerëzit me pak kualifikime.
Një shembull i mirë i kësaj është fabrika e rinovuar e automjeteve elektrike e kompanisë Ford në Këln, në brigjet e lumit Rin, në Gjermani. Shasia dhe trupat e automjeteve janë të veshura me kimikate që i përgatisin makinat për lyerje dhe parandalojnë korrozionin.
Kjo ndodh në shumë kate të fabrikës dhe numri i punëtorëve të përfshirë në punën në kantier, është zero. Robotët e verdhë me shkëlqim janë mjaftueshëm të përparuar për të monitoruar vetveten.
Edhe pse nevojiten punëtorët për montim (po aq sa për automjetet tradicionale me benzinë), aktiviteti kërkon shumë më tepër trajnim. Ky shembull reflekton edhe tablonë kombëtare: sipas një studimi nga Wolfgang Dauth në Institutin për Kërkimin e Punësimit, robotët industrialë e kanë bërë punën e disponueshme më të ndërlikuar.
Fabrika bujqësore
Ndërkohë, industria e zhvilluar i ngjan sektorit të shërbimeve. Sipas FMN-së, shërbimet e lidhura me fabrikimin janë rritur si pjesë e prodhimit global në dekadat e fundit. Montimi i një pajisjeje nuk është një profesion ku mund të fitohen shuma të mëdha parash.
Sensorët e lëvizjes të ndërtuara nga kompania Bosch janë produkte të përparuara. Por firma gjermane e teknologjisë ofron gjithashtu softuerë dhe shërbime shoqëruese, si monitorimi gjatë gjithë kohës i mallrave ku janë drejtuar sensorët.
Modelimi i këtyre shërbimeve, përshtatja e tyre me nevojat e klientëve janë të gjitha shërbime që po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për prodhuesit modernë, dhe pak prej tyre ofrojnë llojin e punësimit që mundësonte dikur industria.
Ç’mund të themi për rolin e industrisë si burim i risisë dhe rritjes ekonomike? Në vendet në zhvillim, sektori i fabrikimit tërheq punëtorë nga bujqësia, një formë relativisht joproduktive e punësimit. Si rezultat i rishpërndarjes së punës, prodhimi rritet.
Megjithatë, teksa zinxhirët e furnizimit janë bërë më të përparuar, kjo rrugë është bërë më e vështirë për t’u ndjekur. Prodhimi i një celulari iPhone, përfshin një proces të ndërlikuar. Pavarësisht përpjekjeve të zyrtarëve lokalë dhe stimujve të fortë gjeopolitikë që Apple të largohet nga Kina, India mbetet veçse një vend për montimin përfundimtar të pajisjes.
Kush e nxiti prodhimin?!
Historianët ekonomikë po vënë gjithnjë e më tepër në pikëpyetje idenë e përhapur se ishte mbështetja e shtetit për prodhimin ajo që luajti një rol vendimtar në zhvillimin ekonomik të Azisë Lindore dhe Perëndimit.
Mund të themi të paktën se rritja e produktivitetit në shërbime dhe heqja e proteksionizmit ishin gjithashtu vendimtare.
Sipas një punimi nga Dominick Bartelme në Universitetin Michigan, në dekadat e fundit, nuk ka pasur pothuajse asnjë lidhje midis rritjes ekonomike dhe pjesës së prodhimit të ekonomisë, në vendet e OECD-së (shih grafikun 3).
Rritja e lartë e produktivitetit në sektorin e fabrikimit, në krahasim me shërbimet dhe bujqësinë ka edhe rreziqet e veta. Ekonomistët kanë zbuluar se shërbimet financiare, teknologjike dhe ligjore mund të rrisin produktivitetin gjetiu, duke përfshirë industrinë. Sipas FMN-së, hendeku midis rritjes së produktivitetit në prodhim dhe shërbime, është tkurrur në shumë vende që nga fillimi i mijëvjeçarit.
Në Kinë dhe në Indi, drejtimi i tij ka ndryshuar, dhe produktiviteti i shërbimeve është duke u rritur më shpejt. Për më tepër, shërbimet janë një fushë e gjerë, duke filluar nga mësimdhënia, deri në teknologji. Kjo e fundit krenohet me një rritje jashtëzakonisht të shpejtë të produktivitetit, që së shpejti mund të nxitet edhe më tej nga Inteligjenca Artificiale.
Kapaciteti më i madh i industrisë për risi ka gjithashtu një kleçkë. “Matja e shpenzimeve për risi është më e lehtë në firmat prodhuese, të cilat priren të kenë departamente të posaçme për kërkim dhe zhvillim”, vëren Paul Hünermund nga Shkolla e Biznesit në Kopenhagën.
Shpenzimet shtetërore për kërkim dhe zhvillim shpesh i drejtohen industrisë, shpjegon ai, edhe pse shërbimet mund të jenë më inovative sesa tregojnë matjet e zakonshme.
Argumenti më i fortë për rëndësinë e prodhimit për risinë vjen nga ekonomistët, të cilët theksojnë se shumë përparime teknologjike, ndodhin në vendet ku industria dhe shërbimet bashkëjetojnë. Gary Pisano dhe Willy Shih, nga Shkolla e Biznesit në Harvard, theksojnë rëndësinë e “të mësuarit duke prodhuar” në industri si prodhimi i çipave të teknologjisë së lartë.
Ideja është përqafuar nga politikanët, duke përfshirë Amerikën, Kinën dhe Gjermaninë.
Megjithatë edhe këtu provat janë të përziera. Në vitin 2001, Tajvani lehtësoi një ndalim në det të hapur, duke rezultuar në lëvizjen e një pjese të prodhimit në Kinë. Akademikët që studiuan pasojat, zbuluan se u ul risia në mallrat e prekura.
Megjithatë, kjo u baraspeshua nga rritja e risisë në mallra dhe teknologji të tjera, pasi u çliruan burimet e kërkimit dhe zhvillimit. Rezultati ishte specializimi, jo një risi më e ulët e përgjithshme.
Një rast tjetër për shpenzimin e parave të shtetit në industri (sidomos atë ekologjike) është se së shpejti bota do të ketë nevojë për më shumë mallra fizike për të arritur emetimet neto zero.
Investimi i nevojitur për tranzicionin e gjelbër është me të vërtetë tronditës: i gjithë stoku i kapitalit që varet nga lëndët djegëse fosile duhet të zëvendësohet. Këtu përfshihen aeroplanët, sistemet e ngrohjes, termocentralet dhe automjetet.
Rrjetet elektrike në mbarë botën duhet të bëhen më elastike për t’i bërë ballë paqëndrueshmërisë së burimeve të rinovueshme. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, vlerëson se investimi total i nevojshëm është rreth 4 trilionë dollarë (ose 4% e PBB-së aktuale globale) në vit, deri në vitin 2030.
Nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve kritike është një fushë ku paratë mund të shpenzohen me mençuri. Sipas Komisionit të Tranzicionit të Energjisë, një institut kërkimi, mjaft metale janë gjetur për të kënaqur “oreksin e gjelbër” deri në vitin 2050.
Megjithatë, zgjerimi i furnizimit kërkon kohë. Dhe rreziqet janë të larta: për shembull, një zhvendosje në teknologjinë e baterive me natrium mund të ulë kërkesën për litium. Investimet e qeverisë për të rritur furnizimin dhe përpunimin e metaleve mund të ndihmojnë në kapërcimin e pengesave të tilla për investime.
E njëjta gjë nuk është e vërtetë për pajisjet e tjera “të gjelbra”, për të cilat kërkesa do të krijojë ofertë. Panelet diellore janë një shembull i tillë.
Rritja e tanishme e kërkesës, pasi Amerika instaloi 47% më shumë në tremujorin e parë të vitit 2023 se sa në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, i ka shtyrë kompanitë në Kinë dhe gjetiu, të rrisin kapacitetin.
Komisioni i Tranzicionit të Energjisë vlerëson se prodhimi i paneleve diellore tashmë tejkalon kërkesën e mundshme deri në vitin 2030 që është e vërtetë edhe për bateritë kur përfshihet prodhimi i planifikuar (shih grafikun 4).
Në zona të tjera, si pompat e ngrohjes, kapaciteti mund të shtohet shpejt nëse dëshirohet.
Politikanët gjithashtu shpresojnë se shpenzimet do të krijojnë firma, madje edhe industri të reja. Ata kanë shpresën se do të krijohen kompani të reja si Tesla dhe BYD, që operojnë në fushën e automjeteve elektrike.
Të dobishme do të ishin edhe fabrikat që përdorin shumë energji, të ndërtuara në vende me energji të mjaftueshme, të lirë dhe të rinovueshme. Por nga një perspektivë globale, një garë e subvencioneve, në fund, nuk sjell një përfitim të përbashkët.
Për shembull, gigafabrika që u hap në Francë, pasi qeveria e joshi me bateri ProLogium, nuk mund të ndërtohet edhe në Holandë.
Gjithashtu shtetet nuk kanë gjasa të korrin fitime që e kalojnë shumë shifrën e parave që shpenzojnë. Sipas raporteve, Gjermania ka rritur ofertën e saj për Intel nga afërsisht 7 miliardë euro, në 10 miliardë euro, në një përpjekje për të joshur prodhuesin e çipave që të ndërtojë një fabrikë të re në Magdeburg, dy orë larg Berlinit.
Edhe pse rajoni do të përfitojë përmes vendeve të punës dhe vizitorëve, Gjermania në tërësi nuk ka gjasa të ketë përfituar shumë, pasi taksapaguesit do të kenë financuar shumicën e përfitimeve më të gjera.
Qeveritë kanë mbrojtur prej kohësh prodhimin ushtarak me logjikën që të sigurohet se do të ketë furnizime të mjaftueshme me armë kur ato të nevojiten. Por lista e mallrave për të cilat vendet nuk duan të varen nga të tjerët, është rritur vitet e fundit, gjë që ka nxitur rritjen e shpenzimeve në këtë industri.
Ndërprerjet e furnizimit gjatë dhe pas pandemisë Covid-19, nxorën në pah dobësitë: një përleshje për pajisje mjekësore mbrojtëse nxiti përpjekjet për grumbullimin e rezervave; mungesa e çipave të zakonshëm ngadalësoi prodhimin e makinave; mungesa e gazit në Europë, pasi Rusia pakësoi furnizimin, ishte një shembull alarmues se si mund të shfrytëzohej varësia ekonomike.
Muri kinez
Kina ka dhënë një shtysë tjetër në këtë drejtim. Më 3 korrik, vendi njoftoi planet për të kufizuar eksportin e dy metaleve, galiumit dhe germaniumit, që nevojiten për teknologjitë optike dhe gjysmëpërçuese.
Zyrtarët thonë se masa është një përgjigje ndaj Amerikës që kufizon eksportin e mallrave, si çipat e teknologjisë së lartë dhe makineritë që i prodhojnë ato. Është gjithashtu një sinjal se Kina mund të godasë Perëndimin aty ku i dhemb.
Sa problematike janë kufizimet e furnizimit në të vërtetë? Në rastin e disa “metaleve të luftës” që janë të rrallë, mund të themi se janë shumë përçarës. Por ekonomitë e tregut mund të përshtaten me kufizimet e dhimbshme.
Kur Rusia nisi luftën në Ukrainë vitin e kaluar, Europa Kontinentale mori 40% të gazit nga vendi pushtues. Furnizimet u pakësuan gjatë verës; çmimet e gazit u katërfishuan. Politikanët kishin frikë se industri të tëra do të ndaleshin, duke ndërprerë zinxhirët e furnizimit dhe duke çuar në një recesion mizor.
Rezultati i vërtetë ishte më i butë. Qeveritë siguruan furnizime gjetiu; firmat investuan në pajisje të kursimit të gazit, ose gjetën burime të ndryshme energjie; familjet konsumuan më pak.
Konsumi europian i gazit në shtatë muajt deri në mars, ishte pothuajse një e pesta më e ulët se në vitet e mëparshme.
Ekonomia u dobësua, por një krizë e plotë u shmang. Kështu ndodhi edhe kur Kina ndërpreu furnizimin e metaleve të rralla në Japoni në vitin 2010.
Kompanitë gjetën mënyra për t’i zëvendësuar këto inpute, pa e ndërprerë shumë prodhimin. Tregjet kanë një kapacitet të natyrshëm për të kapërcyer mungesat, për arsyen e thjeshtë se firmat kërkojnë të fitojnë para.
Hulumtime të tjera tregojnë përfitimet e diversifikimit. Qeveritë tani po priren të rrisin prodhimin vendas në mënyrë që vendet e tyre të mos jenë shumë të cenuara ndaj ndërprerjeve në furnizimet e huaja.
Por hulumtimi i botuar vitin e kaluar nga FMN-ja, tregon se vetëmjaftueshmëria më e madhe ka të ngjarë t’i bëjë vendet më të rrezikuara ndaj goditjeve të ardhshme, jo më pak.
Për shembull, afrimi i pikave të prodhimit pranë vendit do ta bënte prodhimin të varur nga kushtet në atdhe dhe për rrjedhojë, të cenueshëm ndaj ndonjë tronditjeje të madhe lokale. Nga ana tjetër, zinxhirët e furnizimit të diversifikuar janë më elastikë, pasi varen nga ecuria ekonomike në një sërë vendesh .
Zyrtarët që hartojnë politikën mendojnë se shumë nga këto të meta mund të shmangen. “Nuk ka nevojë të zgjedhësh. Amerika duhet të vazhdojë me politikën e saj ekologjike industriale dhe t’i ndihmojë miqtë të bëjnë të njëjtën gjë”, thotë Jennifer Harris, zyrtare e Shtëpisë së Bardhë.
Për arritjen e këtij qëllimi, administrata e Biden-it, pas miratimit të ligjeve që rregullojnë subvencionet e saj, i ka interpretuar ato në një mënyrë që i bën disa materiale të disponueshme për prodhuesit e huaj. BE-ja gjithashtu dëshiron të hyjë në partneritet me vendet për furnizimin e materialeve kritike.
Përpjekje të tilla mund të zvogëlojnë dëmin e shkaktuar nga iluzioni i prodhimit, i cili duket se ka pushtuar politikanët në mbarë botën.
Vetëm pasi axhenda të dështojë, qoftë për shkak se tranzicioni i gjelbër nuk krijon vende pune, ose për shkak se nuk është arritur rritja ekonomike që prisnin qytetarët, apo për shkak se prodhimi i subvencionuar nuk ka shpresa, një brez i ri udhëheqësish më në fund do të fillojë të pyesë nëse kjo industri është vërtet ilaçi për sëmundjet më të mëdha të njerëzimit.
Përktheu: Lira Muça