“Impakti i mbylljes nga Covid-19 në aktivitetin ekonomik”, Banka e Shqipërisë do të masë efektet në industri

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë po punojnë që të masin efektet që ka pasur në ekonomi karantinimi i detyruar, me synim frenimin e përhapjen së koronavirusit.
Pothuajse të gjitha ekonomitë në Europë dhe botë u detyruan të mbyllen për më shumë se dy muaj nga mesi i marsit deri në fund të majit, si një përpjekje për të frenuar pasojat që Covid-19 kishte në humbjen e jetëve. Kjo mbyllje dha një efekt të madh në të gjithë ekonomitë.
“Impakti i mbylljes nga Covid-19 në aktivitetin ekonomik”, është një studim për të cilin po punon Bledar Hoda, Nga Departamenti i Kërkimeve në bankën e Shqipërisë.
Materiali synon të masë impaktin relative të pandemisë në disa ekonomi për të cilat ka qenë e mundur të gjenden tregues të aktivitetit ekonomik me frekuencë mujore.
Paraprakisht është e qartë se rënia e prodhimit industrial në ekonomitë e prekura nga Covid-19 do të jetë funksion i përshkallëzimit të masave ndaluese. Për të matur përmasat e ndalesave përdoret ndryshimi mujor i “indeksit të mbylljes” i ndërtuar nga Universiteti i Oksfordit, i cili mat përshkallëzimin e ndalesave në intervalin nga 0 në 100 për 40 ekonomi në botë.
Rezultatet paraprake sugjerojnë se prodhimi industrial pëson rënie prej rreth 2.5-4% për çdo 10 pikë përqindje shtrëngim të “indeksit të mbylljes”.
Indeksi i mbylljes arriti nivelin maksimal prej mesatarisht 0.85-0.95 në muajt prill-maj, në grupin e ekonomive në këtë studim. Rritja mujore e prodhimit industrial për to parashikohet të luhatet në proporcion me ecurinë e indeksit të mbylljes në ekonomitë që preken nga Covid-19.
Komente