Pandemia duket se nuk ka frenuar ata që duan të investojnë në energji dhe kryesisht në impiante eolikë pasi në më pak se dy muaj pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë janë paraqitur tre aplikime për kapacitet deri në 3MW. Bëhet fjalë për atë kategori impianesh që nuk cilësohen si koncesione tipikë dhe që mund të kalojnë vetëm me firmën e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas MIE bëhet fjalë për aplikimin e “SEMAN ENERGY” sh.p.k që ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë se Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti eolik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, me kapacitet 3 MW, në fshatin Grykë, Njësia Administrative Topojë, Qarku Fier.
Më herët ishte shoqëria “NATURAL ENERGY SYSTEM” sh.p.k që ka shprehur interesin i për ndërtimin e një impianti eolik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, me kapacitet 3 MW, në Zonën e Semanit, Bashkia Fier, Qarku Fier.
Po kështu edhe shoqëria “SPARK WIND” sh.p.k që sipas MIE ka shprehur për ndërtimin e një impianti eolik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, me kapacitet 3 MW, në Zonën e Pilurit, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë.
Impiantet eolikë deri në 3 MW dhe ato fotovoltaikë deri në 2MW mund të kalojë pa vendim qeverie. Por teksa për impiantet fotovolatikë ka pasur zbatim konkret dhe janë aktive një seri licencash që iu blihet energjie me një çmim 71.2 për qind (sipas vendimit të fundit të ERE) për impiantet eolikë nuk ka projekte të zbatuara që të kenë hyrë në prodhim.
Interes për impiante eolikë ka pasur vazhdimisht në vendin tonë por kompanitë nuk kanë arritur të çojnë asnjëherë deri në fund investimet për të cilat iu janë dhënë autorizimet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.