Impianti fotovoltaik 13.9 mln euro i KESH kalon rishikimin final, pritet vendimi për financimin

20/01/2021 11:00 PM 0 komente

Projekti për ndërtimin e një impianti fotovoltaik mbi liqenin e hidrocentralit të Vaut të Dejës ka kaluar një tjetër fazë sa i takon mundësisë së financimit.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i ka dhënë miratimin final konceptit të paraqitur të projektit ndërkohë që mbetet pezull ende aprovimi i financimit që parashikohet të jetë në datë 27 janar 2021. BERZH bëri me dije se projekti me një vlerë afërsisht 14 milionë euro nuk do të financohet plotësisht prej saj por të paktën 9.75 milionë euro do të jepen nga banka dhe pjesa tjetër nga vetë kompania e gjenerimit të energjisë.

Referuar dokumenteve projekti do të zhvillohet në rezervuarin e Vaut të Dejës, në Veri të Shqipërisë, pranë qytetit të Vaut të Dejës. Sipërfaqja e impiantit fotovoltaik lundrues do të jetë rreth 12 hektarë. Krahasuar me sipërfaqen e përgjithshme të rezervuarit, kjo përfaqëson 0.45% të sipërfaqes së tij.

“Kapaciteti i instaluar i parashikuar është 12,9 MW fuqi maksimale: prodhimi mesatar vjetor i energjisë do të jetë 17434 MWh: kjo korrespondon me konsumin mesatar të një qyteti me 10 000 banorë.

FV lundrues do të ankorohet në fundin e rezervuarit (me blloqe betoni, vida toke/augers ose pajisje të ngjashme), lidhur me FV lundrues me kabllo nënujorë. Impianti FV do të përfitojë nga afërsia me hidrocentralin e Vaut të Dejës, dhe do të ketë kësisoj një lidhje të afërt me rrjetin. Nuk do të ketë nevojë për linja transmisioni të gjata ose linja të tensionit të lartë.

Disa vendndodhje u vlerësuan për impiantin fotovoltaik lundrues. Gjiri i Gomsiqes u përjashtua për arsye të përbashkëta të konservimit të larmisë biologjike dhe ruajtjes së turizmit/peizazhit” thuhet në dokumentet e përgatitura nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe paraqitur në BERZH.

Pak ditë më parë KESH çeli një procedurë për një tjetër park fotovoltaik më të vogël. Bëhet fjalë për ndërtimin dhe instalimin e impiantit fotovoltaik në digën e Qyrsaqit në HEC Vau i Dejës me një kapacitet të instaluar prej 5.142 MWp në digën e Qyrsaqit, HEC Vau i Dejës.

Për këtë projekt fondi limit i vendosur nga KESH ishte pak më shumë se 470 milionë lekë apo rreth 3.8 milionë euro./N.Maho

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of