Pas përfundimit me sukses të fazës së zbatimit dhe lidhjen me rrjetin kombëtar të energjisë elektrike, njësia e parë e Impiantit Fotovoltaik Lundrues të Banjës ka filluar me sukses operimet tregtare. Impianti po prodhon energji të rinovueshme dhe ajo po futet në rrjetin shqiptar të energjisë. Projekti ndodhet në rezervuarin e Banjës, ku Statkraft operon Hidrocentralin e Banjës me kapacitet të instaluar 72 MW. Impianti Fotovoltaik Lundrues i Banjës është një projekt inovativ kërkim-zhvillimi me kapacitet të planifikuar të instaluar prej 2 MWp.
Njësia e parë e këtij impianti, që përbehet nga 1536 panele diellore, ka kapacitet të instaluar prej 0.5 MWp dhe mbulon një sipërfaqe afërsisht 4,000 m2. Veç kësaj, 160 panele të njëjtë janë vendosur në tokë për krahasim dhe dokumentim të efektit ftohës në panelet lundruese. Projekti planifikon të vazhdoje me fazën e dytë të zbatimit gjatë gjysmës së dytë të vitit 2021, kur do të instalohen edhe tre njësi të tjera lundruese, me kapacitet të instaluar shtesë prej 1.5 MWp.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga ambasadori i Norvegjisë në vendin tonë, Jens Erik Grøndahl, si dhe përfaqësues të kompanisë Statkraft kanw inspektuar nga afër projektin e implementuar në hidrocentralin e Banjës.
Ministrja Balluku e cilësoi këtë projekt si një risi ku brenda së njëjtës hapësirë kemi një integrim të dy burimeve të rinovueshme të energjisë.
“Shqipëria është një vend me prodhim të lartë të energjisë nga burimet ujore, ngjashëm me Norvegjinë, kjo ka qenë një nga arsyet e interesit tonë për të investuar në vend si pjesë e zgjerimit ndërkombëtar. Sot shohim që Shqipëria mund të luajë një rol kyç si nyje e energjisë së rinovueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përvoja jonë prej më shumë se një dekadë në Shqipëri ka treguar se është e mundur të arrihen suksese në fushën e energjive të rinovueshme në vend, dhe arritjet tona janë mundësuar falë një bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet shqiptare. Jemi krenarë të njoftojmë se kemi përmbyllur me sukses fazën e parë të një tjetër projekti inovativ në energjinë e rinovueshme në Shqipëri, me fillimin e prodhimit të energjisë diellore nga Impianti Fotovoltaik Lundrues i Banjës.” tha Time Iyer Utne, Zv. Presidente e Statkraft, Përgjegjëse për Azinë Jugore dhe Europën Juglindore.
“Kjo ditë shënon një arritje të madhe për Statkraftin në Shqipëri dhe një hap më tej në transformimin drejt energjive të rinovueshme nëpërmjet zgjidhjeve inovative. Pas fillimit të operimeve tregtare në hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës, po shohim mundësitë për t’i optimizuar më tej këto asete të energjisë së rinovueshme. Impianti Fotovoltaik Lundrues i Banjës është një shembull konkret i integrimit të burimeve të ndryshme të energjisë së rinovueshme” tha Rigela Gegprifti, Drejtore e Përgjithshme e Statkraft në Shqipëri.
Statkraft është e pranishme në Shqipëri nga viti 2007 permes investimit te bere ne kaskaden e Devollit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.