Importet e cigareve në nivelin më të ulët në 15 vjet; Kompanitë: Nuk ka rënë konsumi

29/06/2015 8:41 AM 0 komente

Importet e cigareve ishin vetëm 840 ton për 5 mujorin e parë të këtij viti, duke shënuar një rënie prej 8.4% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të Ministrisë së Financave.

Ky është niveli më I ulët I importeve në 15 vjet, që nga viti 2000, kur hynë gjithsej në Shqipëri 795 ton cigare. Më pas importet u rritën ndjeshëm, për të arritur rekordin në vitin 2006, me gati 1600 ton.

Që nga 2013, importet e cigareve kanë shënuar një rënie të djeshme, që përkon dhe me periudhën e fillimit të rritjes së akcizës për paketë, që u shtrenjtua me 20 lekë për paketë në vit për të arritur aktualisht në 110 lekë për paketë.

Ndërsa ky shtrenjtim kishte për qëllim, sipas deklaratave të atëhershme të Ministrit të Shëndetësisë, që të ndikonte drejtpërdrejt në përmirësimin e kujdesit shëndetësor të qytetarëve, kompanitë pohojnë se në bazë të studimeve të tyre, rezuton se konsumi nuk ka rënë. Sipas studimeve të kompanive, importet në vitin 2014 ishin rreth 2.9 miliard fije, ndërsa këtë vit parashikohen 2.8 miliardë fije. Konsumi total mesatar në Shqipëri vlerësohet rreth 3.5 miliard fije bazuar në importetet mesatere të disa viteve rresht, përqindjes së konsumatoreve duhanpirës dhe numrit të cigareve në ditë, duke lënë në këtë mënyrë “zbuluar rreth 20% të konsumit”. Rreth 40% e popullsisë është duhanpirëse.

Rënia e importeve të cigareve është një nga arsyet e rënies së TVSh-së në dogana, që ranë me 2.9 miliardë lekë me bazë vjetore për 5 mujorin e parë 2015. Edhe të ardhurat nga akciza në doganë, megjithëse janë 1.4 miliardë lekë më shumë se fakti i 5 mujorit 2014, janë 4.4 miliardë lekë më të ulëta sesa planifikimi i financave në fillim të vitit, me optimizmin që vinte nga rritja e akcizës për disa produkte, si psh cigaret.

monitor_importi i cigareve

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of