Ndonëse treguesit e tregtisë me pakicë (në mallrat joushqimore) pësuan rënie gjatë vitit të kaluar importet e naftës shënuan rritje të pazakontë. Çmimet e ulëta të karburanteve në tregjet ndërkombëtare stimuluan grosistët të krijonin rezerva.
Ndërsa gjatë dy muajve të parë të vitit 2021 importet e naftës arritën 79,361 tonë me një ulje 9% në raport me të njëjtën periudhe të një viti më parë, por sasia e tyre sërish ishte në rekorde të larta historike që nga viti 1991.
Duke përjashtuar vitin 2020 importet e naftës ishin më të lartat e shënuara ndonjëherë, në një kohë që investimet në projektet e mëdha të investimeve, TAP dhe HEC-et në lumin Devoll kanë përfunduar, teksa kriza pandemike e goditi konsumin si rrjedhojë e rënies së lëvizjeve. Burimet nga tregu pohuan se importet e larta të naftës po nxiten nga mosfunksionimi i rafinerisë së naftës (ARMO) në Fier. Por edhe gjatë viteve të shkuara kur ARMO ishte e bllokuar importet e karburanteve nuk kishin prekur rekorde të tilla.
Përveç naftës rritje shënuan edhe importet e cigareve me 2% në janar- shkurt në raport me dy muajt e parë të vitit 2021 kur ende nuk kishte filluar kriza pandemike. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave gjatë dy mujorit u importuan 197 tonë cigare ose 11 tonë më shumë se më 2020.
Me rritje ishin importet e kafesë të cilat përgjatë dy mujorit 202 ishin 3.1 për qind më të larta se vitin e kaluar në këtë periudhë. Gjithsej u importuan 1128 tonë kafe ose 34 tonë më shumë se një vit më parë.
Nga mallrat e akcizës vetëm importi i birrës shënoi ulje të ndjeshme me 29%. Gjatë dy mujorit 2021 importet totale të birrës arritën në 2978 mijë litra ose 1214 mijë litra më pak se një vit më parë. Burimet nga tregu thonë se rënia e importeve është ndikuar nga masat kufizuese që nuk lejojnë funksionin e bareve dhe restoranteve pas orës 20:00. Birra zakonisht konsumohet pas kësaj ore, ndaj rënia e importeve për këtë artikull lidhet me rënien e konsumit për shkak të masave të kufizuese.
Ministria e Financave referoi se për muajin janar (të dhënat fiskale për shkurtin ende nuk janë publikuar) të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 3.2 miliardë lekë, 0.2 miliardë lekë ose 6.3% më pak se janar 2020, si dhe 0.6 miliardë lekë ose 21.3% më shumë se plani i akcizës për janar 2021. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga akciza ka pasur produkti cigare, me një rritje +15 ton (+8%) me një efekt +157 milionë lekë më shumë se viti i kaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.