Kryediplomati i Bashkimit Europian tha se Brukseli do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë për luftën e nisur kundër Ukrainës, duke targetuar industrinë e naftës dhe bankat e Moskës, si dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për dezinformimin.
“Ne po punojmë për paketën e gjashtë të sanksioneve që synon të nxjerrë nga sistemi SWIFT akoma më shumë banka, të listojë aktorët e dezinformimit dhe të trajtojë ҫështjen e importeve të naftës,” tha në një postim në Twitter Josep Borrell, kreu i njësisë së politikës së jashtme në Komisionin Europian të BE-së.
Raundi i fundit i sanksioneve do të prekë gjithashtu Sberbank, huadhënësin kryesor të Rusisë, thanë diplomatët, duke e shtuar atë në listën e bankave që janë përjashtuar nga sistemi i mesazheve SWIFT.
Borrell tha se masat e propozuara të Komisionit kundër Rusisë, e cila sulmoi Ukrainën nga toka, deti dhe ajri më 24 shkurt, do t’u paraqiten 27 vendeve anëtare të BE-së për miratim.
Zyrtarët thanë se presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pritet të paraqesë sanksionet e reja të propozuara të mërkurën dhe se ato do të përfshijnë ndalimin e importit të naftës ruse deri në fund të këtij viti.
Embargoja ndaj naftës ruse do ta privonte Moskën nga një burim i konsiderueshëm të ardhurash, por arritja e një marrëveshjeje në lidhje me këtë masë ka bërë që vendet e bllokut të ndahen, duke qenë se BE mbështetet te Rusia për 26 për qind të importeve të saj të naftës.
Hungaria dhe Gjermania ishin mes atyre vendeve që kishin rezerva për një embargo të naftës. Një ndër shqetësimet e tyre ishte fakti se rritja e çmimeve të energjisë do të dëmtonte ekonomitë e BE-së, të cilat janë tashmë duke u përballur edhe me inflacionin e lartë.
Rezistenca ndaj një embargoje ndaj naftës ruse u zbeh gjatë javës së kaluar, pas një marrëveshjeje që do të ofronte përjashtime për Sllovakinë dhe Hungarinë, thanë diplomatët për Reuters, duke përmendur dy vende shumë të varura nga nafta e papërpunuar ruse.
Sipas organizatës kërkimore “Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër”, vendet e BE-së i kanë paguar më shumë se 47 miliardë euro Rusisë për gaz dhe naftë që kur ajo filloi pushtimin e Ukrainës.
Zelenskyy nxit marrjen e masave për naftën
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i kërkoi BE-së që të vendosë një embargo të naftës kundër Rusisë, gjatë një fjalimi në parlamentin e Shqipërisë ditën e martë.
“Bankat ruse duhet të përjashtohen plotësisht nga sistemi financiar ndërkombëtar”, tha ai. “Unë ju kërkoj të mbyllni portet tuaja për anijet ruse dhe të kufizoni numrin e turistëve rusë që vijnë te ju.”
Rusia “paralajmëron” Perëndimin
Në përgjigje ndaj valës së sanksioneve që pasuan pushtimin e Ukrainës, Rusia ka prezantuar disa masa hakmarrëse, si kundër shteteve, ashtu edhe ndaj individëve të lidhur me ato vende që janë aleate me Kievin.
Presidenti rus Vladimir Putin tha se ai mund të ndërpriste eksportet dhe marrëveshjet tregtare, përgjigjja më e ashpër e Kremlinit ndaj sanksioneve.
Putin nënshkroi një dekret të zgjeruar të martën, i cili ndalonte eksportin e produkteve dhe të lëndëve të para për njerëzit dhe subjektet që përfshiheshin në një listë sanksionesh, e cila duhet të hartohet brenda dhjetë ditëve nga qeveria ruse, sipas udhëzimit të Putin.
Dekreti, i cili hyri në fuqi pas botimit të tij, i jep Moskës mundësinë për të bërë kaos në tregje, pasi ajo mund të ndalojë në çdo moment eksportet ose të prishë kontratat me një subjekt ose individ që është përfshirë në listën e sanksioneve.
Qeveria ruse ka dhjetë ditë kohë për të hartuar listat e atyre që do të sanksionohen, duke mos llogaritur politikanët perëndimorë që janë tashmë pjesë e këtyre listave.
Putini e përcaktoi në mënyrë eksplicite këtë dekret si një përgjigje ndaj atyre që ai i konsideron si akte të paligjshme të Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve të saj, që synojnë të privojnë “Federatën Ruse, qytetarët e Federatës Ruse dhe subjektet juridike ruse nga të drejtat e pronësisë, ose të kufizojnë të drejtat e tyre të pronësisë. ”
Dekreti përcakton “masa të veçanta ekonomike hakmarrëse në lidhje me veprimet jomiqësore të disa shteteve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare”./ Reuters