Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka siguruar tashmë fondin e parave që i duhen për të importuar energjinë për muajin nëntor dhe dhjetor. Me një vendim të veçante të qeverisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i është dhënë një hua afatshkurtër në vlerën 1 miliardë lekë apo rreth 7.3 milionë euro që do i kalojë OSHEE-së.
OSHEE dhe KESH kanë shpenzuar deri tani rreth 100 milionë euro për importet e energjisë duke përballuar situatën me fondet e tyre(OSHEE) dhe paratë nga kredia e Bankës Botërore (KESH), ndërkohe që kjo ashtu sikurse është lajmëruar ka kufizuar kompanitë tek pjesa e investimeve.
Për nëntorin dhe dhjetorin OSHEE ka rezervuar një pjesë të sasisë së energjisë nga operatorët e tregut por që konfirmimin final do ta japë për nëntorin në 23 tetor dhe për dhjetorin në 23 nëntor.
Vendimi i qeverisë
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 dhe 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që përfaqëson ministrinë e linjës dhe aksionarin e vetëm të shoqërisë OSHEE, sh.a., t’i jepet një hua afatshkurtër me vlerë 1 000 000 000 (një miliardë) lekë, për t’u përdorur nga OSHEE, sh.a., për sigurimin e blerjes së energjisë elektrike për furnizimin e konsumatorëve deri më 31.12.2017.
Kushtet e huas përcaktohen në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe OSHEE, sh.a.-së.
Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1 të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, parashikuar për emergjenca natyrore, i miratuar për vitin 2017.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.